Ekspozita “90+” nga Çlirim Ceka te Galeria “FAB” Tiranë
Të nderuar miq, Galeria FAB ka kënaqësinë e veçantë t´ju ftojë në ekspozitën personale të piktorit të mirënjohur
Çlirim Ceka
´´90 +´´
Inagurimi / 02 shtator / ora 19.30
Kohëzgjatja / 02 – 06 shtator 2024
Galeria FAB, Fakulteti i Arteve të Bukura
Universiteti i Arteve
…
Çlirim Ceka (1945) Lindi në Elbasan, ndërsa studimet e mesme i kreu në liceun e Tiranës në vitet 1958-1962. Studimet e larta do t’i kryente në ILA në vitet 1962-1967. Fillimisht do të punonte në redaksinë e ilustrimit në Shtëpinë Botuese, e më pas si pedagog i grafikës në ILA në vitet 1970-75. Më pas do të dënohej politikisht (për riedukim) në Ndërmarrjen Artistike Migjeni. Do të rikthehej në vendin e punës vetëm pas vitit 1985.
Çlirim Ceka, njihet si piktor i tablove kompozicionale, ndryshe njohur si ‘’kompozimet e mëdha’’. Ai bashkë me shumë autorë të asaj periudhe, i dhanë formë këtij formati të metarrëfimit të metodës së Realizmit socialist mes viteve ’65-’75, duke trajtuar temat kresore të saj, prej Ndërtimit të socializmit, Njeriut të ri, dhe tablove me Temë historike. Mes veprave më të rëndësishme mund të përmendim tablo “Punojmë dhe mësojmë”, 1969, (GKA), “Në kufi”, 1969, (GKA), “Në metalurgjik”, 1983 (GKA), “Dropullitja”, 1984 (GKA), “Metalurgu”, 1984 (GKA). Gjithshta ai u evidentua dhe muralen e realizuar në Muzeu Historik në Lushnje, si dhe veprat në gjininë e grafikës, si ilustrime, kopertina librash dhe cikle grafike në teknikën e linoleumit. Pjesëmarrës i rregullt i aktiviteteve të kohës, ai prej vitit 1998, jeton dhe punon në Selanik, ndërsa vepra e tij përcjell shijen grafike mbi subjekte shqiptare drejt një stilizimi të abstraguar dhe motive folkloristike.
Përveç veprave të shumta ruajtur në Galerinë Kombëtare të Arteve, veprat e tij janë ekspozuar në në Pekin (1967), Bienalen e Aleksandrisë (1968), Shangai (1968), Prishtinë (1972), Grac Austri, (1975), Paris (1984), Romë (1987), Athinë (1993), Kroaci (1997), Itali, Rumani, Selanik, etj.
Ai është autor i 14 ekspozitave personale, relizuar në Itali, Kroaci, Rumani, Danimarkë, Greqi, Shqipëri, etj., si dhe fitues i çmimit kombëtar në Grafikë në vitin 1969, dhe Onufri për Grafikë në vitin 1994.