
Ekspozita “Kaloi nje grua” te Galeria “Vilson Kilica” Fier
Të nderuar miq, kam kënaqësinë t’ju ftoj në hapjen e ekspozitës personale të piktorit të mirënjohur
GAZMEND LEKA
“Kaloi një Grua”
(Koleksioni BALLA)
Dt. 15 mars – 31 mars 2023
Galeria “Vilson Kilica” ne Fier
Kuruar nga Ermir Hoxha
KALOI NJË GRUA / pjesë nga teksti kuratorial
Për pjesën më të madhe të njerëzve, era e studios së një piktori është e panjohur. Ajo rëndon nga era e vajit të linit, terpentinës, dylientit dhe vernikut. Një erë e fortë, e athët, kushtëzuar shpesh edhe nga dritare të mbyllura, pirgje leckash të pista, penela të tharë e të patharë dhe një dysheme gjithë njolla gri. Dhe aty mes tyre, një artist i lodhur e i stërmunduar, me tensionin mes shpatullave dhe sytë që kërkojnë të shquajnë në gjysmë-dritë. Në pamje të parë duket se aty nuk ka asgjë romantike. E megjithatë ky është imazhi më i zakonshëm i një piktori në studion e tij.
E sikur këtij imazhi t’i shtonim dhe atë të një modeli, në këtë rast të një gruaje? Atëherë do kishim atë imazhin klasik në mendjen kureshtare të gjithkujt. Aty ku është një Piktor, është dhe një Modele. Në ekspozitën e fundme të Gazmend Lekës, kemi pikërisht këtë imazh, por kësaj radhe, erës klasike të studios i është shtuar një flagrancë. Ajo, modelja është aty, përhumbur mes rrëmujës, tërësisht e zhveshur me aromën e parfumit, ngatërruar në kufijtë e arsyes.
Në krijimtarinë e vet Leka ka qenë pothuaj gjithnjë vetëm; vetëm, me heronjtë dhe demonët e tij. Aty në studion e vet, qëndrimtar si pak të tjerë, nga mëngjesi energjik e i freskët deri në mbrëmjen melankolike, ai “fliste” me gjarprin, frytin e ndaluar, eklipset dhe objektet gjeometrike. Edhe në këtë ekspozitë ai është po aty, ku papritur mes telajosh, penelash e bojërash, shfaqet lodrimtar imazhi i një gruaje.
Interieri nr. 1 / Dhoma e saj
E gjithë ekspozita ndërtohet nga imazhe interieri, jo shumë ndryshe nga formati klasik i krijimtarisë së Lekës. Herë në “Dhomën e saj” e herë në “Dhomën e tij”, modelja e tij është ashtu, e zhveshur, e kolme dhe intriguese.
Në pjesën më të madhe të tablove, ajo është në “Dhomën e saj”, ekskluzivisht vetëm, në intimitetin e vet, teksa rrotullohet si e zënë në çark në hapësirën e ngushtë të apartamentit..
