
Ekspozita “Të ndjesh pamjen” nga Besim Tula te Galeria “FAB” Tiranë
Të nderuar miq, Galeri FAB ka kënaqësinë e veçantë t’ju ftojë në ekspozitën tribut dedikuar kujtimit të një prej personaliteteve më të njohur të pikturës bashkëkohore shqiptare, mikut dhe kolegut,
BESIM TULA
‘’TË NDJESH PAMJEN’’
Kuruar nga Era Tula
Dt. 16. janar, 2025, ora 19.00
Kohëzgjatja: 16 – 31 janar 2025
Galeria FAB, Fakulteti i Arteve të Bukura
Universiteti i Arteve
Rr. Ibrahim Rrugova, nr. 22 Tiranë.
TË NDJESH PAMJEN
Në 75-vjetorin e lindjes, Besim Tula vjen me një përzgjedhje të veprave të tij, nën titullin “Të Ndjesh Pamjen”, titull i huazuar nga një botim i vetë artistit i vitit 2015 për artistët e rinj, që përmbledh vizionin e tij mbi estetikën e artit pamor.
Ekspozita hapet me veprën “Vdekja e Nënës” (1990), pikturë që në leximin e kritikut Gëzim Qendro, shërbeu simbolikisht si një paralajmërim për fundin e Realizmit Socialist, duke shënuar “hyrjen e Vdekjes në hapësirën e patrazuar më parë të artit totalitar”. Megjithëse është një pikturë realiste, artisti nuk përçon vetëm praninë e vdekjes, por më thellë, mungesën e jetës – e shprehur nga trupi i fshehur i të ndjerës nën jorgan, kufijtë e vagullt të të cilit shkrihen me hapësirën përreth, duke theksuar largimin nga jeta. Për shkak të përzgjedhjes së një teme dikur e gjykuar e padenjë për t’u pranuar në hapësirat zyrtare të ekspozimit, dimensionit njerëzor, si dhe artikulimit të dhimbjes larg traditës së heronjve të tablove soc-realiste, Qendro gjykonte se kjo tablo ishte “një nga veprat e fundit të viteve ’80 që shënoi kufirin ndarës midis epokës së Realizmit Socialist dhe periudhës paskomuniste, një vepër ku dallohej më shumë koha që po vinte se ajo që po lihej pas”.
Ekspozita mbyllet me veprën “Vrasësit me pagesë” (2020), e cila është dhe puna e fundit e ekspozuar nga vetë artisti.
