
Ekspozita “Viti zero” nga Gazmend Leka te Galeria “FAB” Tiranë
Të nderuar miq, Galeria FAB ka kënaqësinë e veçantë t´ju ftojë në ekspozitën personale të piktorit të mirënjohur
GAZMEND LEKA
“VITI ZERO”
Inagurimi / 09 Tetor / ora: 19.00
Kohëzgjatja / 09 Tetor – 29 Tetor 2024
Kurator / Ermir Hoxha
Galeria FAB / Universiteti i Arteve / Tirane
——————
‘‘Viti Zero‘‘ / teksti kuratorial
Në fillim u quajt: ‘‘Viti Zero‘‘. Të tjerë tituj erdhën më pas. U përmend aty viti i mallkuar, më pas viti i tmerrshëm, i Djallit, apo edhe Apokalipsi. Të gjithë mund të ishin. Të gjithë ishin të përshtatshëm. Por në fund natyrshëm zuri vend ai, ‘‘Viti Zero‘‘; si për ta heshtur kërkimin dhe për ta kthyer atë përsëri në pikën Zero. Ashtu si nevoja e tij për një fillim të ri, a një fund përfundimtar.
Viti Zero i Gazmend Lekës, është një mozaik tragjedish të jetuara në dekadat e fundit. Si i tillë, ai është një imazh i njohur për shumë prej nesh. Një imazh ngjethës, në kufijtë e mos-arsyes, ku logjika i la vendin marrisë, ndërsa kaosi mbretëronte bashkë me ndjellazinjtë.
E gjithë kjo, ashtu si dhe më parë, përbëhet nga dy qasje. E para, ajo më dominuesja përbëhet nga tablotë e mëdha në vaj; dhe e dyta, ajo me imazhet invers, realizuar në dimensione më të vogla në laps.
