
“Kinemaja para gjyqit: Nga kinokronikat e gjyqeve komuniste te filmat e vigjilencës revolucionare të masave”
KINEMAJA PARA GJYQIT: Nga kinokronikat e gjyqeve komuniste te filmat e vigjilencës revolucionare të masave.”
Prezantim libri dhe bisedë e hapur me autoren Jonida Gashi, PhD / Botuesin Ataol Kaso / Recensentët e brendshëm, Ylber Marku, PhD dhe Anxhela Çikopano, Dr, ASHSH.
6 shkurt / Ora: 18:00 / ZETA Center for Contemporary Art
“Kinemaja para gjyqit: Nga kinokronikat e gjyqeve të popullit te filmat e vigjilencës revolucionare të masave”, shqyrton pleksjen e sferave të drejtësisë dhe të kinematografisë gjatë periudhës së socializmit shtetëror në Shqipëri (1944–1991), duke hedhur dritë mbi dy nga periudhat vendimtare për formësimin e kësaj marrëdhënieje. Ato përfshijnë dekadën e parë pas ardhjes në pushtet të forcave komuniste, kohë në të cilën u hodhën bazat e ligjshmërisë socialiste dhe të artit të realizmit socialist, si dhe epokën e Revolucionit Ideologjik dhe Kulturor në gjysmën e dytë të viteve 1960, kohë në të cilën këto sfera u radikalizuan në hap me ndryshimet që kishin përfshirë shoqërinë shqiptare në tërësi. Kontributi i veçantë i këtij studimi qëndron në vendosjen e marrëdhënies midis drejtësisë socialiste dhe kinematografisë socialiste në Shqipërinë e pasluftës brenda një kuadri avangardist, duke e parashtruar ndërveprimin mes këtyre sferave më së pari në termat e shkrirjes së artit (në këtë rast të kinematografisë) me politikën (në këtë rast me drejtësinë), dhe gjithashtu brenda një kuadri krahasues. Nga policeskët ose thriller-ët sovjetikë të viteve ’30–’40, te noir-ët amerikanë të viteve ’40–’50, te filmat e kundërspiunazhit kinezë të viteve ’50–’60, autorja gjen shumëçka të dobishme në kinematografitë e kampeve kundërshtare të Luftës së Ftohtë për shtjellimin e përpjekjeve të kineastëve vendës për të sjellë luftën kundër armikut të klasës në ekranet shqiptare.
Ky event është pjesë e #SwissCulturalWeek nga @swissculturalfund.al. Një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC, zbatuar nga Qendra për Biznes, Teknologji dhe Lidership CBTL.
