Koncert në vitin 1936 i restauruar te AQSHF
Në përfundim të projektit të restaurimit digjital, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit organizon shfaqje publike për premierën e filmit të restauruar Koncert në vitin 1936.
27.12.2022 ora 18:00 – Premierë në Tiranë, në sallën @KINOJonë të AQSHF-së.
HYRJA FALAS!
Restaurimi digjital i filmit Koncert në vitin 1936 dhe shfaqjet publike të tij, u mundësuan nga Sezoni i Filmave Klasikë – nismë e Shoqatës së Kinematekave Europiane (ACE), Program i Europës Krijuese MEDIA i Komisionit European.
Filmi Koncert në vitin 1936 u restaurua në mënyrë digjitale nga Quality Matters, me bazë në Mumbai, Indi nga një ekip restauruesish udhëhequr nga Koushik Prassanta Bhattacharya. Skanimi i elementit original negativ i figurës u krye në Kinematekën e Malit të Zi. Negativi origjinal i figurës është në gjendje të dekoloruar, ku kanali i ngjyrës së kuqe ka humbur plotësisht. Falë punës së restauruesve nën mbikqyrjen e AQSHF-së, u arrit të bëhet balancimi i ngjyrave.
Koncert në vitin 1936
Me regji nga regjisori i njohur Saimir Kumbaro, i cili realizoi disa nga filmat më të rëndësishëm të kinematografisë shqiptare, kjo komedi me ngjyra tregon historinë e dy interpretuesve, një pianiste dhe një këngëtare lirike të shkolluara në vendet e Evropës Perëndimore, të cilat vizitojnë qytetet e vogla provinciale të Shqipërisë së vitit 1936 duke marrë me vete pianon, për të sjellë artin e tyre te njerëzit e varfër dhe për të ndikuar në emancipimin e grave. Kur mbërrijnë në qytetin e vogël të Lushnjes për të dhënë koncert, ato ndeshen me paragjykime dhe me pengesa nga autoritetet vendore që paraqiten si perëndimorë, por që në thelb janë në kontrast me ta.
Në film është përdorur muzikë origjinale dhe subjekti bazohet në aktivitetin e sopranos shqiptare Tefta Tashko-Koço (1910-1947), portretizuar bukur nga aktorja Manushaqe Qinami. Kasti i filmit përfshin disa nga aktorët më të shquar shqiptarë dhe është krijuar nga artistë që lanë gjurmë në kinematografinë shqiptare të shekullit të 20-të.
Regjia: Saimir Kumbaro
Skenari: Kiço Blushi
Operator: Saim Kokona
Kompozitor: Limos Dizdari
Piktor: Astrit Tota
Montazhi: Nazmie Gazheli
Zëri: Xhevat Behri
Kostumet: Faik Këllezi
Grimi: Luçije Gjonçaj, Ana Arapi
Drejtor filmi: Fuat Çano
Prodhuar nga: Kinostudio Shqipëria e Re