“Quel Scandale – Carmen, e përdala rebele që vrau Bizet, kompozitorin e saj” nga Nea Tandini
Quel Scandale !
Carmen, e përdala rebele që vrau Bizet, kompozitorin e saj.
Tre muaj pas premierës së operas Carmen, kompozitori i veprës, Georges Bizet, ndërroi jetë në moshën 36 vjeçare, i sfilitur dhe i pezmatuar nga skandali dhe dështimi i operas së tij më ambicioze. Midis 60 kritikave që u publikuan në shtyp në pranverën e vitit 1875, njëra në veçanti theksoi se vënia në skenë e Carmen-it ishte e pamoralshme, dhe se personazhi kryesor vuan me siguri nga sëmundje mendore, ndaj, ajo nuk e ka vendin në skenë por në spital psikiatrik. Në fakt, heroina e Bizet nuk është e çmendur. Mëkati i saj i vetëm është liria e patupshme me të cilën ajo pëmbush epshin dhe dëshirat e saj. Kur një dashnor i mërzitet, Carmen e zëvendëson menjëherë me një tjetër. Kur një burrë i pëlqen, ajo merr iniciativën ta joshë atë, sa për ta çuar në shtrat. Carmen-it nuk i intereson martesa e as fëmijët. Ajo pi dhe kërcen me ushtarët e fshatit dhe jeton e lirë, e udhëhequr nga virtyti i vetëm dhe egoist i hedonizmit. Por në Parisin e shekullit të 19-të, ku jeta seksuale e gruas ishte e domestikuar njëkohësisht përmes martesës dhe prostitucionit, lira seksuale e personazhit të Carmenit, ishte nje provokim i pa konceptueshëm. Sikur kjo mos të mjaftonte, opera e Bizet-së vendos në skenë jetën dhe pasionet e njerëzve fare të zakonshëm dhe të papërfillshëm si punëtorë, ciganë dhe ushtarë.