“Tirana Feminist Library” te “Berk Botime”
Në dritën e ngjarjeve zemërthyese, të cilat i dëshmojnë përditë gratë viktima të mendësisë, shtypjes patriarkale dhe krizës së progresit në botë, merr hov dhe më të madh shtysa brenda nesh për t’u bërë bashkë e për të kontribuar drejt rritjes së burimeve edukuese dhe krijimit të një qasjeje të re ndaj përvojës së bashkëndarë dhe mbështetjes emocionale. Biblioteka Feministe lindi si një projekt i përbashkët mes Berkut, Alen Bejkos dhe Rea Nepravishtës, për të mundësuar akses në tituj të rëndësishëm akademikë e letrarë, të cilët mund të ndihmojnë në formimin e një ndërgjegjeje shoqërore të hapur, të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe mbi të gjitha te përgjegjshme. Lista e librave të ofruar u këshillua me kolektivin feminist të Tiranës, ku falenderojmë veçanërisht Doruntina Vincën për ndihmën e saj.
Ëndrra për të mbushur një raft me libra mund të duket jashtë kohe dhe paradoskale në vitin 2024, mirëpo në Shqipërinë bashkëkohore vijon të mbetet sfidë qasja te libri. Në mungesë të bibliotekave publike (fizike e online) dhe librarive në mbyllje të vazhdueshme, të porosisësh një pirg libra nga jashtë kthehet në një sipërmarrje të mirëfilltë. Mes vështirësive të livrimit, çmimeve të larta të blerjes dhe pagesave domethënëse për procedurat doganore, edhe ne vetë e kemi patur të vështirë prurjen e titujve, ndaj nuk duam as të përfytyrojmë se sa i vështirë mund të jetë sot për një student aksesi në ta.
Biblioteka Feministe synon të shndërrohet në një platformë lirie, diskutimi dhe tolerance, e cila do të mirëpresë perspektiva të ndryshme mbi cështje të migrimit, grave, diskutimit gjinor dhe një jetese më të qëndrueshme për të gjithë, në sfondin e një politike çmeritëse.
Bashkë shihemi më 11 maj, në një ditë të gjatë nga mëngjesi e deri në mbrëmje.