Date

15/10/2022
Aktivitete të Përfunduara

Time

19:00

Location

Teatri Eksperimental
Art Turbina

“Vetëharrimi” në Teatrin Eksperimental

Me tekst të Besim Rexhajt dhe regji të Fadil Hysajt, produksion i Teatrit të Qytetit të Prishtinës, “Dodona” Teatri Dodona.
👉 REZERVONI 📱069 57 177 46 OSE NË INBOX 📥
BILETARIA | E MARTË-E DIEL ⏰️09.00-13.00 dhe 16.00-19.00
VETËHARRIMI, si tekst dramatik e si shfaqje teatrore, në qendër të vet e ka tragjiken e luftës e të pasluftës, me një fokusim në fatin e një të mbijetuare të dhunës seksuale të ushtruar gjatë luftës së fundit( 1998-9). Një monodramë me një bazë të fortë dokumentare, VETËHARRIMI, me anë të gjuhës së sintezës artistike, e artikulon jo vetëm dramën e individit – të femrës së dhunuar, por edhe dramën e kolektivitetit – të femrave të dhunuara, dhe, si e tillë, ajo artikulon dramën e familjes e të shoqërisë, pasojat të cilat e rëndojnë trupin dhe shpirtin e individit, të familjes e të shoqërisë!
Drama Vetëharrimi artikulon pasojat e aktit të dhunimit, pasojat dhe frustracionet e femrës së dhunuar, Fatmires, e cila, me përjashtim të familjes së saj dhe të një Qendre të Rehabilitimit, refuzohet, damkoset, përçmohet e margjinalizohet si kategori shoqërore! Fatmirja artikulon dilemat, dhembjen psikologjike e morale dhe, duke e artikuluar pozitën e saj të margjinalizuar, e shqipton absurditetin dhe nivelin e ulët e të padrejtë të trajtimit të saj dhe të simotrave të saj nga shoqëria jonë gjatë gjithë periudhës së pasluftës. Ajo, për shkak të paragjykimeve dhe të përjashtimit që i bëhet, e pushtuar nga pamundësia e artikulimit të dramës së saj individuale e familjare, e bënë luftën e saj të brendshme morale dhe, në fund, sado me dhembje të madhe, i thyen muret e heshtjes dhe, nga margjina sociale, e artikulon publikisht dramën e saj, atë dramën e cila nuk është vetëm e saj, por e të gjitha simotrave dhe familjeve të goditura nga dhuna seksuale dhe kthetrat e luftës.
VETËHARRIMI, me gjuhën e dhembjes, të akuzës, të ironisë e të qortimit moral e, madje, edhe politik, është një thirrje artistike, drejtuar sa një regjimi gjenocidial, aq edhe shoqërisë sonë, e cila, gjatë periudhës së pasluftës, e ka margjinalizuar një nga shtresat dhe një nga plagët më të rënda të luftës – të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës dhe tragjikën e traumës së tyre, që është tragjika dhe trauma jonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Almanart