Festivali “MetroSound” në edicionin e 5-të, Petrit Çarkaxhiu publikon listën e këngëve që do të këndojë

Festivali “MetroSound” këtë vit do të zhvillohet në katër mbrëmje për publikun dhe sjell në skenë artistë të njohur. Teatri Metropol në Tiranë prezanton këtë sezon projektin e ri artistik, festivalin “MetroSound” edicioni i pestë, i cili do të sjellë për publikun muzikën më të mirë të viteve 90’. “MetroSound” edicioni i pestë do të zhvillohet këtë vit në teatrin Metropol në datat 8, 9 dhe 15, 16 qershor, ku publiku që do të jetë në netët e tij do të dëgjojë artistë të njohur në aktivitetin e tyre. Eda Zari, Petrit Çarkaxhiu, Ritfolk dhe Blla Blla Blla janë këtë vit në festival.

Në natën e dytë të këtij festivali do të performojë dhe artisti shqiptar, Petrit Çarkaxhiu, ndër të tjera artisti ka publikuar dhe këngët që do jenë pjesë e repertorit të koncertit:

“Shumë i lumtur të ju njoftoj që këtë të Premte me datë 9 Qershor për herë të parë do t’mbaj koncertin recital me këngët të cilat kam filluar t’i publikoj gjatë 3 viteve të fundit, si pjesë e solo projektit tim si:

Vajza e tokave të diellit

Natë e gatë

Ra ni fjollë n’synin tem

Dul behari

Drenushë e trembur

dhe shumë të tjera të pa publikuara.

Koncerti është pjesë e edicionit të 5’të Metrosound që mbahet në Teatri Metropol – Qendra Kulturore Tirana.

Në këtë natë të veçant për mua do të jetë miku im i dashur dhe violinisti i shkëlqyer Dalvin Mamusha për t’i dhënë gjithë ngjyrën dhe shpirtin e orientit si dhe miku im i dashur dhe bashkëpunëtori nga më të afërmit gjatë realizimit të video klipeve gjatë kohës së pandemisë Tanju Süleyman i cili do të na shoqëroj në bendir dhe perkusione për ta sjellur më afër traditën e muzikës sufiste të Ballkanit, Anadollit dhe Lindjes së Mesme.

Mezi pres të takohemi bashkë në një natë jo vetëm performimi muzikor por edhe njohje nga më afër të traditave dhe kulturave mistike botërore të gërshetuara me poezi e tinguj të magjishëm që ndikuan thellësisht si burim i fortë frymëzimi.”

Almanart