Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Dea Open Air” do të zhvillojë këtë tetor edicionin e tij të dhjetë në Tiranë. Një festival që bëhet këtë muaj pjesë e jetës artistike në kryeqytet dhe sjell prodhime të ndryshme kinematografike të huaja dhe shqiptare. Pas pesë vitesh të suksesshme në Sarandë, “Dea” vjen këtë vit për herë të pestë edhe në Tiranë, për ta ndarë ofertën filmike dhe ekspertizën profesionale evropiane edhe me publikun, studentët dhe kineastët kryeqytetas. Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Dea Open Air” në këtë edicion të dhjetë është pozicionuar pranë Universitetit të Arteve, për t’i dhënë mundësi të gjithë atyre që e duan kinemanë, të ndjekin çdo ditë të festivalit. Sipas njoftimit mbi edicionin e dhjetë të festivalit, aplikuesit vijnë jo vetëm nga vendet evropiane, por edhe më gjerë, duke i dhënë aplikimit si në edicionet paraardhëse gjeografi ndërkontinentale. “Filmat e paraqitur dhe autorët që marrin pjesë në konkurrim i janë nënshtruar fillimisht seleksionimit paraprak të komisioneve ndërkombëtare, të mbyllur në fund të muajit mars 2023”, thuhet për Festivalin Ndërkombëtar të Filmit “Dea Open Air”, që këtë vit do të zhvillohet nga data 8 deri më 12 tetor. Në garë për çmimet “Dea” komisionet e përzgjedhjes paraprake kanë vendosur të përfshijnë në programin e sivjetëm gjithsej 38 filma, nga të cilët 7 në seksionin e filmit me metrazh të gjatë ose konkurrimin kryesor, 18 në seksionin e filmit të shkurtër, 6 në seksionin e filmit studentor dhe 7 në seksionin e filmit dokumentar.
Shfaqja e filmave
“Dea” mbetet edhe këtë vit open air. Programi i mbrëmjes së konkurrimit kryesor të festivalit, filmit me metrazh të gjatë ofrohet në kinema “Dea open air 1”- në amfiteatrin e Universitetit të Arteve. Në amfiteatrin e UA do të organizohet edhe ceremonia zyrtare e hapjes si edhe mbrëmja gala e ndarjes së çmimeve të edicionit X të “Dea Open Air International Filmfestival Tiranë- 2022”. Programi i pasdites i konkurrimit kryesor të festivalit, filmit me metrazh të gjatë si edhe programet e filmit dokumentar, filmit të shkurtër dhe filmit dokumentar do të ofrohen në kinema “Dea open air 2”-salla Black Box e Universitetit të Arteve. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të festivalit, të gjithë pjesëmarrësit kanë aplikuar në platformat Film Freeway dhe Festhome ose në rrugë të drejtpërdrejtë në adresën e festivalit. Edicioni i dhjetë i “Dea Open Air International Film Festival” zhvillohet me mbështetjen e Bashkisë Tiranë dhe Universitetit të Arteve, të cilët sipas organizatorëve krijojnë atmosferën e nevojshme mikpritëse për prurjet artistike dhe kontributet qytetare nga e gjithë bota. Specialistët e kinemasë, drejtorët e disa festivaleve të tjera evropiane të filmit, por dhe aktorët, regjisorët, producentët, etj, të cilët tradicionalisht i japin aktivitetit gjallërinë dhe komunikimin shumëdimensional, që kinemaja gjithnjë premton dhe realizon. /sot.com.al