Festivali “MittrixFest” ka për qëllim t’i bashkojë teatrot profesionale nga të gjitha trevat shqiptare, përgjatë gjithë kohës sa edhe zgjatë Festivali ku do të kemi mundësinë që bashkërisht t’i shohim disa nga komeditë më të mira nga vendi dhe rajoni.
Emri i Festivalit Tradicional të Komedisë “MittrixFest” ka gjenezën nga emërtimi i vjetër i qytetit të Mitrovicës, duke u bazuar në shënimet e udhpërshkruesit – kalorësit gjerman Arnold von Harff, i cilin në vitin 1499 qytetin e Mitrovicës e përshkruan si një vend të bukur me dyqane dhe stacion të karvaneve, ndërsa atë e quan Mittrix.
“MittrixFest” është festivali i vetëm i profilizuar në zhanrin e komedisë në rajonin e Mitrovicës dhe në gjithë Republikën e Kosovës. Festivali ka karter garues dhe si i tillë në vete përmban program të pasur edukativ dhe kulturor nga vendet e rajonit, si: Shqipëria, Lugina e Preshevës, Maqedonia e Veriut dhe Kosova.
Përveç shfaqjeve të komedive që do të ofrohen gjatë festivalit, pjesa tjetër e programit përfshin:
6 shfaqje / komedi teatrale të cilat janë në garë për çmimet që do t’i ndajë juria profesionale;
Ekspozitë e pikturave nga fëmijët me autizëm;
5 vizita turistike – promovim i qytetit dhe i trashëgimisë kulturore;
5 punëtori nga njohës të fushës së teatrit;
7 mbrëmje muzikore.
Këto aktivitete do të zhvillohen çdo natë nga data 2 deri më 8 tetor 2023, në ora 19:30 në Muzeun e Qytetit në Mitrovicë.