Ditën e Premte, datë 26 Janar, 2024 në BLACK BOX në Universitetin e Arteve ju ftojmë në shfaqjen e filmit “DERE E HAPUR” me praninë e Regjisorit Florenc Papas. Ky aktivitet organizohet nga Universiteti i Arteve dhe “Bunker Film”. Hyrja e lirë.
Filmi tregon historinë e dy motrave që do të ndërmarrin një rrugëtim, duke u ballafaquar hera-herës me forcën e sistemit tradicional-patriarkal. Personazhi kryesor është Elma, që është një vajzë e re shqiptare, e cila jeton ilegalisht në Itali. Ajo është shtatzënë dhe babai i fëmijës tashmë është në burg. Pas dëbimit nga policia italiane, duke mos ditur kujt t’i drejtohet për ndihmë, ajo vendos të kthehet te motra e saj e madhe, Rudina. Të dyja motrat do të nisin një rrugë të gjatë me veturë drejt shtëpisë së babait të tyre tradicional. Ndërsa Rudina nget veturën, Elma do të bëjë ç’të mundet për të mos shkuar atje.
Më herët për filmin e tij “Derë e hapur” regjisori Florenc Papas ka pohuar se qëllimi është të tregojë një histori shqiptare, që ndikon shoqërinë tonë dhe që është e pranishme akoma. “Sot në Shqipëri jetojnë dy breza, ajo e prindërve tanë të cilët janë rritur në sistemin komunist dhe brezi i ri, i lindur në demokraci aty ku dhe unë bëj pjesë. Kjo përplasje midis këtyre brezave është aq e pranishme sot kudo edhe pse e vështirë ta pranojmë. ‘Derë e Hapur’ merret me jetë tematike edhe pse nuk kërkon të thotë se e gjithë shoqëria jonë është tradicionale dhe hera-herës patriarkale, por kërkon të thotë se këto forma ekzistojnë akoma dhe janë të pranishme në shoqëri”, pohon ai.