Filmi i DiCaprio-s “Killers of the Flower Moon” zbulon historinë e vërtetë të vrasjeve në Osage

I bazuar në librin best-seller me të njëjtin emër të gazetarit David Grann, Killers of the Flower Moon na rrëfen historinë e vërtetë se si një biznesmen i bardhë dhe i vetë-shpallur mik i vërtetë i komunitetit indian Osage, orkestroi vrasjen brutale të një numri të konsiderueshëm anëtarësh të këtij populli në Oklahoma në vitet e hershme 1920.

Me regji dhe bashkë-skenar të Martin Scorcese-s, filmi ka në qendër të vëmendjes marrëdhënien midis një gruaje nga komuniteti indian Osage, Mollie Kyle ( të luajtur nga Lily Gladstone), dhe veteranin e bardhë të Luftës së Parë Botërore, Ernest Burkhart (të luajtur nga Leonardo DiCaprio), nip i biznesmenit të kamur të sipërpërmendur, William K. Hale (të luajtur nga Robert De Niro).

Ngjarjet luhen në një pikë të historisë kur Osage kishte njerëzit më të pasur në botë pas zbulimit të rezervave të naftës nën tokën e tyre.

Filmi kandidat për Oscar, tregon për martesën e Ernest dhe Mollie-t, me udhëzim të xhaxhait të tij, i cili më pas hartoi planin e vrasjes të të gjithë familjarëve të Mollie-t dhe një numri të konsiderueshëm të tjerë indianësh me qëllim marrjen e parave të tyre.

Libri i Grann i përket kategorisë mister “kush e ka bërë” që hedh më shumë dritë mbi një kontekst më të gjerë historik të asaj që u njoh më vonë si „Mbretëria e Terrorit“, përfshi edhe mënyrën se si krimet kundër komunitetit Osage u investiguan dhe pjesërisht u zbuluan nga një ekip i agjentëve federalë të kryesuar nga ish-sherifi i Teksasit, Tom White (i luajtur nga Jesse Plemons).

Por në dallim nga libri, Scorsese thotë se kërkonte ta zhvendoste vëmendjen nga të „gjithë të bardhët“ tek martesa e Mollie-t dhe Ernest duke e bërë subjekt kryesor të filmit.

„Doja që gjithë vëmendjen ta kishte ajo tradhti aq e thellë familjare, ajo ishte historia që doja,“ tha Scorsese gjatë një interviste në tetor.

Ja se si versioni i Scorsese-s i historisë Killers of the Flower Moon lidhet me historinë reale pas vrasjeve të Osage.

Sistemi i kujdestarisë

Në vitin 1906, gati 45 vjet pasi kombi Osage kishte blerë dhe ishte vendosur në një qëndrim të përhershëm në territorin indian të Oklahomas Qendrore, shefi kryesor i Osage dhe avokati i quajtur John Palmer negocioi me qeverinë amerikane një marrëveshje e cila i jepte çdo vendasi një ndarje prej 657 hektarësh tokë që përfshinte edhe të drejtat e pasurive minerale nëntokësore.

Kjo do të thoshte se kur fushat e naftës u zbuluan disa vite më vonë, populli i Osage u bë populli më i pasur në botë. Megjithatë kishte një kleçkë, ky popull nuk ishte i lirë të shpenzonte paranë e vet.

Qeveria e SHBA vendosi një sistem kujdestarie, sipas të cilit populli i Osage konsiderohej i paaftë për të kontrolluar paratë e tij dhe për këtë vendosej një kujdestar. Por ky sistem bëri që kujdestarët shpesh të vidhnin paratë nga Osage.

Në film tregohet Mollie e cila viziton kujdestarin e saj për t`i kërkuar paratë për të paguar faturat mjekësore.

Martesa e Ernest dhe Mollie

Siç tregohet në film, Ernest dhe Mollie takohen teksa ai punonte si taksist në Osage. U martuan dhe kishin bashkë 3 fëijë, Elizabeth, James dhe Anna. Vite më vonë, ndërsa Ernest ishte në gjyq, vajza e tij 4-vjeçare Anna vdiq nga kolla e mirë.

Filmi pëshkruan një marrëdhënie të shkëlqyer dashurore mes Mollie dhe Ernest edhe pse ky i fundit po komplotonte vrasjen e familjarëve të saj. Scorsese tregon se ka qenë mbesa reale e çiftit, Margie Burkhart, që e bindi atë ta kthente martesën e tyre në subjektij kryesor të filmit.

Konsulenti i gjuhës osage ,Christopher Cote, megjithatë shprehet se filmi Killers of the Flower Moon duhej treguar nga perspektiva e Mollie-t dhe familjes së saj.

“Scorsese ka bërë një punë të shkëlqyer edhe pse nuk vjen nga komuniteti Osage, megjithatë mendoj se historia duket sikur më shumë është treguar nga ana e Ernest Burkhart. Dhe e treguar nga ai duket sikur ka qenë i dashuruar, por dikush që komploton të të vrasë ty dhe të gjithë familjen, kjo nuk është dashuri. Kjo shkon përtej abuzimit,” shprehet ai.

Mbretërimi i Terrorit

Terrori nisi nga viti 1921 me vdekjen e motrës së Mollie-t, Anna dhe të Charles Whitehorn, të cilët u gjetën të dy të vdekur në zona rurale me të shtëna në kokë. Në harkun kohor të 4 viteve, të paktën 24 anëtarë të komunitetit Osage, përfshi nënën, motrën tjetër, kunatin dhe kushëririn e Mollie-t u vranë barbarisht.

Filmi tregon se si Ernest e helmon dalë ngadalë bashkëshorten e tij Mollie, e cila vuante nga diabeti, duke i dhënë injeksione që e përkeqësonin gjendjen e saj.

Investigimi i FBI-së dhe gjyqi

Kur vrasja e motrës së Mollie-t dhe kunatit të saj mbushi kupën, Këshilli i Komunitetit Osage kërkoi ndihmën e qeverisë federale. Në këtë kohë, ishte krijuar Byroja e Hetimit (që më vonë do të bëhej FBI), dhe u caktua White dhe një sërë agjentësh të tjerë në terren për të zbuluar misterin që kishte kapluar Osage.

Aty u zbulua se si Hale bashkë me bashkëpunëtorë të tij kishin orkestruar më shumë se 20 vrasje si pjesë e një skeme përfitimi nga vdekjet e tyre. Bashkëpunëtorë të Hale ishin dhe Ernest dhe vëllai i tij Bryan.

Pasi u arrestuan në janar të 1926, Ernest rrëfeu rolin e tij në krime dhe identifikoi xhaxhain e tij Hale si organizatorin dhe trurin e të gjitha komploteve.

Në fund, Ernesti, Hale, Ramsey dhe Morrison u dënuan të gjithë me burgim të përjetshëm. Mollie, e cila qëndroi pranë burrit të saj derisa ai rrëfeu rolin e tij në vrasjet e familjes së saj në gjykatë në vitin 1926, u divorcua nga Ernesti dhe më vonë u martua përsëri me një burrë të quajtur John Cobb. Ajo vdiq në moshën 50-vjeçare në vitin 1937.

Almanart