Filmi i ri i Martin Scorsese, premierë zyrtare në kinematë e gjithë globit

Filmi i fundit i Martin Scorsese, “Killers of the Flower Moon”, ka sot ditën zyrtare të shfaqjes në kinematë anembanë globit.

Premierat e 20 tetorit pritet të jenë të suksesshme, bazuar në faktin se kemi të bëjmë me një bashkëpunim të fuqishëm mes yjeve të kinematografisë. Regjisori, aktorët e shkëlqyer, skenari marrë nga një “best-seller”, ndjeshmëria ndaj një teme që prek indianët e Amerikës si dhe buxheti që arriti në 225 milionë dollarë, bënë që filmi “Killers of the Flower Moon” të pritej me padurim.

Bazuar në librin e suksesshëm të David Grann, dhe me skenar të shkruar nga Eric Roth e Martin Scorsese, ngjarjet e filmit vendosen në Oklahomën e viteve 1920. “Killers of the Flower Moon” rrëfen vrasjet e njëpasnjëshme të një fisi indianësh, pasi në tokën e tyre zbulohet naftë.

“Angazhohuni seriozisht për ta parë në kinema” bëri thirrje regjisori Martin Scorsese, i cili e ka lënë filmin të gjatë 3 orë e 26 minuta.

Sipas tij, ky është një film i veçantë, por megjithëse shumë i gjatë, do ua pasurojë jetën.

Aktorët protagonistë janë Leonardo DiCaprio, Robert De Niro dhe Lily Gladstone, por ka edhe emra të tjerë të njohur si Brendan Fraser, Jesse Plemons, Tantoo Cardinal, John Lithgow etj.

Fillimisht buxheti nga Paramount ishte rreth 160 milionë dollarë por me përfshirjen e emrave të tillë si DiCaprio dhe De Niro, shifra e pretenduar nga Scorsese arriti në 225.

Ishte Netflix që bëri një ofertë deri në 215 por në fund u shfaq oferta e Apple Studios që e plotësoi shumën e kërkuar.

Almanart