Filmi i shkurtër dokumentar “Krahët e punëtorëve” i Ilir Hasanajt është në garë për t’u futur në listën e ngushtë për çmimet “Oscars 2025”, për dokumentarin më të mirë të shkurtër.
Lajmi është bërë i ditur nga Qendra Kinematografike e Kosovës përmes një postimin në Facebook.
QKK bën thirrje që ky film të mbështetet sa më shumë duke e shpërndarë postimin e saj, me qëllim që ta marrë parasysh juria e “Academy Awards” (Oscars).
“Ta mbështesim filmin tonë duke e shpërndarë sa më shumë fotografinë e lidhur me këtë postim. Filmi ynë është zyrtarisht në garë për t’u përzgjedhur në listën e ngushtë për ‘Oscars 2025’. Realizuar nga një rreth i vogël njerëzish me zemër të madhe dhe me shumë pasion për të sjellë në ekran rrëfimet e punëtorëve të Kosovës. Shpresojmë që ky pasion përçohet përmes filmit dhe që ky rrëfim të hyjë në listën e ngushtë të ‘Oscars’ për të prekur edhe më shumë zemra”- thuhet në njoftimin e QKK-së.
Filmi “Krahët e punëtorëve” është prodhuar nga shtëpia filmike “Unseen” dhe është mbështetur financiarisht nga Qendra Kinematografike e Kosovës.
Nga 2014, Kosova ka fituar të drejtën për të përzgjedhur një film për garën e çmimeve “Oscars” në kategorinë e filmit të huaj.
Suksesi më i madh kinematografik i Kosovës mbetet nominimi i filmit të shkurtër britaniko-kosovar “Shok” në kategorinë “Best Live Action Short”, në “Oscars 2016”.
Ndërsa në vitin 2021, Kosova me filmin ‘Zgjoi’ arriti në mesin e 15 filmave më të mirë të propozuar për kategorinë filmave të huaj (joamerikanë) në “Oscars”.