Search
Close this search box.

Filmi “Rrugës” me regji të Samir Karahodës zyrtarisht i bashkohet garës në Festivalin e Kanës

Qendra Kinematografike e Kosovës ka bërë të ditur se filmi “Rrugës” me regji të Samir Karahodës është përzgjedhur zyrtarisht për t’u futur në garën e filmave të shkurtër në edicionin e 77-të të Festivalit të Kanës .

Në njoftim thuhet se është hera e dytë që një film në regji të Samir Karahodës përzgjedhet për garën zyrtare të festivalit më prestigjioz në botë, pas filmit “Pa Vend” që e kishte premierën në Cannes në vitin 2021.

“Nga 4,420 filma, “RRUGËS” është përzgjedhur mes 11 filmave të shkurtër nga 11 shtete që do të prezantohen këtë vit në konkurrencë. Kosova, Azerbajxhani, Brazili, Bullgaria, Kanadaja, Kina, Kroacia, Franca, Lituania, Portugalia dhe Shtetet e Bashkuara te Amerikes. Palma e Artë për Filmin e Shkurtër do të jepet nga Juria e kryesuar nga Lubna Azabal, të shtunën, më 25 maj, gjatë ceremonisë së mbylljes së Festivalit të 77-të të Kanës”, thuhet në njoftim.

“Rrugës” është shkruar nga Samir Karahoda dhe djali i tij Mironi, duke integruar tregime personale dhe elemente autobiografike, që pasqyrojnë shqetësimet e tyre për të ardhmen e vendit. Gjatë këtij udhëtimi të shkurtër, udhëtimi i tyre bëhet një eksplorim i lidhjes së tyre mes sfidave shoqërore dhe pasigurisë që ata kanë në atdheun e tyre.

Në rolet kryesore paraqiten Ylber Mehmeti dhe Miron Karahoda. Samir Karahoda përveç regjisë dhe skenarit, gjithashtu ishte edhe drejtor i fotografisë. Filmin e montoi Enis Saraçi.

Filmi është produksion i “SK Pictures” me producentë Eroll Bilibani dhe Samir Karahoda.

“Rrugës” është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosoves, Televizioni Kulturor Europian ‘ARTE’ dhe Televizioni Finlandez “Yle”.

Almanart