“Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës” në frëngjisht, përkthimi më i mirë

Drama e Jeton Nezirajt, “Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës” së fundmi është afirmuar edhe në Francë. Ka fituar Çmimin e përkthimit në kategorinë e teatrit nga “PEN Club” i Francës. Juria ka vlerësuar përkthimin e Evelyne Noygues Sébastien Gricourt si më të mirin, përderisa Çmimi për këtë kategori është ndarë për herë të parë. “Fluturimi…”, si satirë politike, ishte dhënë premierë në dhjetorin e vitit 2012 në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Rrëfimi flet për një trupë teatrore të Kosovës në prag të shpalljes së vendit të tyre shtet. Ata orvaten të krijojnë një shfaqje. Por shfaqja e parë e shtetit më të ri dështon, njësoj sikur edhe fjalimi i kryeministrit. E realizuar në frymën e komedisë, kjo satirë politike ishte dhënë premierë në dhjetorin e vitit 2012 në Teatrin Kombëtar të Kosovës. E prej kësaj skene shfaqja me titull “Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës” ka udhëtuar në shumë vende jashtë kufirit. Nxiti reagime jo të vogla brenda e jashtë vendit. “Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës” së fundmi është afirmuar edhe në Francë. Ka fituar Çmimin e përkthimit në kategorinë e teatrit nga “PEN Club” i Francës.

Juria ka vlerësuar përkthimin e Evelyne Noygues Sébastien Gricourt si më të mirin, përderisa Çmimi për këtë kategori është ndarë për herë të parë.

Bashkëpërkthyesi Sébastien Gricourt ka thënë se ky çmim ka dy kuptime.

“Së pari, edhe nëse ishte plotësisht e papritur për mua dhe bashkëkolegen në këtë përkthim (Evelyne Noygues), ky shpërblen një punë më afatgjatë për të bërë të njohur një autor, Jeton Nezirajn, me një vepër të shumëllojshme, të gjallë dhe tashmë të mirënjohur nëpër mjaft skena me famë botërore”, ka thënë ai. Ka treguar se mendon që kjo vepër e Kosovës që njihet jashtë është një gur shtesë drejt njohjes së shtetit dhe të identitetit të qytetareve të Kosovës.

“Mendoj që ky çmim jep një kontribut për të mirën e Kosovës. Sikur çdo performancë e sportistëve të Kosovës nëpër kampionate evropiane dhe ndërkombëtare, edhe artistët e Kosovës japin dhe mund të japin edhe më shumë kontribute të çmueshme për të shpjeguar thjesht ku ka qenë, ku është dhe ku shkon Kosova”, ka thënë ai.

Sa i përket rëndësisë së Çmimit, ka thënë se “PEN Club” i Francës është një shoqatë e krijuar më 1921 për të promovuar lirinë e shprehjes dhe të krijimtarisë. Dhe se sivjet është hera e parë që jepet çmim për përkthimet, dhe kjo në katër kategori: ese, romane, teatër, poezi.

“Pra, pasi e morëm për teatrin, duhet së pari të krenohemi se çmimet jepen nga një anëtare e Akademisë Franceze (Barbara Cassin), ndërsa ne të tre (duke përfshirë Jeton Nezirajn) e marrim përkatësisht pranë veprave të përkthyera nga George Orwell, Aharon Applefield, Istvan Kemeny”, ka thënë ai. Ka shtuar se i është mirënjohës për punën e palodhshme Dominique Dolmieut i cili nëpërmjet rrjetit “Eurodram” dhe me shtëpinë botuese “L’Espace d’un Instant” arriti që në tri dekada të bënte të njohur nëpër Evropë dhe më gjerë teatrot e ideve dhe të luftimeve të ndryshme bashkëkohore.

Me përkthimin në frëngjisht, “Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës” ka kompletuar triptikun e dramave të Jeton Nezirajt të përkthyera në 10 gjuhë. “Shembja e Kullës së Ajfelit” dhe “Lufta në kohën e dashurisë” po ashtu janë të përkthyera në 10 gjuhë.

Dramaturgu Jeton Neziraj si autor i dramës ka thënë se Çmimi është lajm i mirë sidomos për faktin që është ndarë nga “PEN Klubi” i Francës, një institucion letrar prestigjioz.

“Natyrisht, Çmimi u është ndarë përkthyesve, por, megjithatë, u është ndarë për përkthimin e një drame shqipe, dhe kjo gjë pa dyshim më gëzon. Aq më tepër, që ky çmim që mbulon teatrin jepet për herë të parë. Më duhet të them me krenari që kjo dramë e imja ‘Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës’ është e 10-ta që përkthehet e botohet në Francë”, ka thënë ai.

Midis vendeve të tjera, përfshirë edhe Kosovën, “Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës” kishte çuar goxha pluhur. Më 2014, nëpërmjet Ministrisë së Kulturës i ishte kërkuar Teatrit Shtetëror në Stamboll që ta censurojë një pjesë të tekstit. Drejtori i këtij institucioni, Mustafa Kurt, kishte refuzuar, e për këtë kishte dhënë dorëheqjen.

Si arsye ishte përmendur presioni që i kanë bërë autoritetet shtetërore në lidhje me tekstin e dramaturgut kosovar dhe atë të shfaqjes “Dielli edhe kur perëndon është i madh” të Kasim Aksharit.

Reagimi i Ministrisë së Kulturës së Turqisë kishte ardhur pas premierës së shfaqjes me tekst të Nezirajt në Teatrin Shtetëror, të cilën e kishte inskenuar regjisori i njohur turk, Atilla Şendil.

Premiera qe dhënë më 7 tetor të vitit 2014 e menjëherë pas saj Ministria e Kulturës e këtij vendi formoi Komisionin për leximin e teksteve në kuadër të Ministrisë që u mor me “Fluturimin mbi Teatrin e Kosovës” dhe “Dielli edhe kur perëndon është i madh”. Ky rast kishte bërë bujë nëpër mediat turke./koha/

Almanart