Search
Close this search box.

FOTO STROBOSKOPIKE “ATIPIKE” TË GJON MILIT

Studiuesi i fotografisë Kristaq Balli, që konsiderohet njëri prej njohësve më të mirë shqiptarë të jetës dhe veprës së Gjon Milit, këtë herë na befason me një hulumtim rreth një teknike të re fotografike me të cilën gjeniu shiptar ka realizuar një seri të tërë fotografishë artistike me një harmoni tepër mbresëlënëse për çka kishte tërhequr edhe vëmendjen e filozofit dhe shkrimtarit francez, JeanPaul Sartre…

Shkruan: Kristaq Balli

Në pinakotekën e tij fotografike, mjeshtri i shquar shqiptar Gjon Mili ka lënë mijëra fotografi që kanë habitur botën. Midis të tjerash, ai konsiderohet si fotografi i parë që ka zhvilluar fototografinë stroboskopike për qëllime artistike duke e perfeksionuar atë në gjini shumë të sofistikuara pamore. Po ashtu ai ka shpikur teknikisht dhe artistikisht disa gjini të reja si “vizatimet me dritë”, “fotografitë pa formë’, etj.

Fotografitë nudo që po paraqesim sot përbëjnë disa nga shkrepjet e tij që nuk janë vënë ndonjëherë në qendër të vëmendjes, nuk janë interpretuar, apo analizuar teknikisht, edhe pse ato ndodhen të botuara në internet, disa edhe në revistën LIFE. Jo për tematikën, apo për përmbajtjen e tyre, por për mënyrën e realizimit. Sepse, në vështrimin e parë si foto të bukura estetikisht stroboskopike, ato “të mashtrojnë” duke u identifikuar si foto strobe në lëvizje. Kujtojmë se Mili edhe pse nuk ka shumë foto “nudo”, edhe pse ai i ka realizuar ato kryesisht për qëllime studimore, ai ka ndër to një kryevepër, si është “Nudo duke zbritur shkallët”.

Sidoqoftë duke mbetur në fotot strobe që po paraqesim sot, në to është përdorur një teknikë e veçantë dhe e rrallë stroboskopike tek Gj. Mili, që zor se e vë re me shikimin e parë. Ato të duken si foto stroboskopike në lëvizje, por po t’i vështrosh me kujdes, zhgënjehesh dhe dyshon se ka diçka të patakuar më parë.

Për të sqaruar këtë, na vjen në ndihmë një shkrim shoqërues i redaksisë së revistës “LIFE”, dt, 20 Shkurt 1970 me titull “Gallery”, në botimin e dy prej fotove të mësipërme nudo. Ja çfarë shkruhet aty: “Zhan Pol Sartri, duke shkruar mbi fotografin Gjon Mili, dikur përmendte se ‘Gruaja e zhveshur, e cila ju mund të mendonit, shihet nga sy në njëmijë aspekte si të një fluture’. Mjeshtri i blicit stroboskopik, Mili e ka përdorur shpesh atë për të ruajtur iluzionin e lëvizjes në qetësi. Studimet në këto faqe implikojnë gjithashtu ndriçimin strob, por këtë herë qëllimi dhe teknika janë pak më ndryshe. Modeli qëndronte i palëvizur dhe pasi blici shuhej, ai kuadratonte (panoramonte) aparatin fotografik. Rezultati ishte përsëritja ritmike që transformonte një linjë të hijshme në një tablo të plotë.” ( Gallery: LIFE 20 Feb. 1970, p. 6)

Sigurisht që “manovrimi”, apo “panoramimi” për të krijuar “iluzionin e lëvizjes në qetësi”, janë terma deri sot të patrajtuara dhe jo shumë të qarta për amatorët e Milit. Për këtë arsye unë “thirra” për ndihmë fotografin dhe studiuesin e njohur shqiptar nga Kosova z.Fahredin Spahija, i cili me shumë dashamirësi, fisnikëri e profesionalizëm (për të cilat e falenderoj me përzemërsi) më shpjegoi mua, por nëpërmjet meje edhe gjithë studiuesve e dashamirësve të fotografisë versionin e tij, mendoj të saktë e të bindshëm, për këto foto atipike strobe: “Ndërsa modeli qëndron i palëvizur në errësirë të plotë, realizohet shkrepja e parë strobe (me një shkrepje). Modeli nuk lëviz, por qëndron sërish i palëvizsshëm në errësirë të plotë, ndërsa fotografi ‘lëviz (manovron, panoramon) horizontalisht aparatin’ aq sa i nevojitet për të realizuar shkrepjen e dytë, në mënyrë që trupi i modeles të jetë ngjitur me atë të shkrepjes së parë. Pasi është siguruar për këtë, Mili realizon shkrepjen e dytë, pastaj në dinamikë të ngjashme bën të tretën, të katërtën …dhe kështu në mënyrë të njëpasnjëshme respektive realizohen dhjetë apo aq shkrepje sa janë paramenduar…”

Dy fotot e tjera (3, 4) janë botuar sërish në një numër tjetër të LIFE, nën titullin “Changes on a Classic Theme” dhe janë të njëvlefshme me dy fotot e para.

Kjo lloj fotografie zgjat disi në kohën e krijimit të fotografisë së plotë, kërkon inteligjencë, durim, vëmendje, llogaritje e parapërgatitje të mjeshtrit, por edhe palëvizshmëri, përqëndrim, stabilitet dhe lodhje deri në mpirje e ngrirje të modelit. Nga kjo gjini, Gjon Mili ka realizuar edhe disa nëngjini të cilat janë sërish në përzierje të stroboskopisë në qetësi dhe në lëvizje bashkë. Për to do të flasim një here tjetër.

Almanart