Search
Close this search box.

Fotografia më e mirë e Allan Tannenbaumit: John Lennoni dhe Yoko Ono, kinse duke bërë dashuri

Rrëfimi i fotografit Allan Tannenbaum, për gazetaren Lydia Figes / The Guardian

Me John Lennonin për herë të parë u takova në vitin 1975, në prapaskenat e një ngjarjeje televizive në Nju-Jork, gjatë kohës kur isha fotograf i redaksisë së “SoHo Weekly News”. Vite më vonë, kur unë ende isha në atë gazetë, vendosëm ta bëjmë një intervistë me Yoko Onon – para se të dilte albumi i ri i çiftit, “Double Fantasy”. I kishin kaluar pesë vitet e mëparshme si të vetmuar, kohë kjo gjatë së cilës rrisnin djalin e tyre Sean. Nuk e njihja personalisht Yokon, por gjithmonë kam pasur shumë respekt për të si artiste, dhe sigurisht se isha adhurues i madh i Johnit. Ideja ishte të kishim qasje te dyshja, duke iu afruar fillimisht Yokos.

Më 20 nëntor 1980, Yoko erdhi në studion time “Tribeca”, për t’i bërë fotografitë. Ishte e turpshme para fotoaparatit, por në fund u bë më e rehatshme duke i hequr kufizimet, bashkë me xhaketën e lëkurës, dhe më në fund duke e bërë një pozë të lezetshme me dorën e saj te zinxhiri i xhinseve. U pajtuam që të nesërmen të bëjmë më shumë foto në ndërtesën e apartamentit ku jetonin ajo dhe Johni – në kompleksin “Dakota”. Kam ngrënë mëngjes aty afër dhe kam ecur përreth, duke u përpjekur që të gjeja momentin e duhur për ta pyetur Yokon nëse mund të bëjmë foto edhe me Johnin dhe me Seanin. “Jo Seani”, tha ajo. “Por, do ta telefonoj Johnin”. Ai ishte miqësor dhe tha se më mbante mend nga ngjarja e vitit 1975, por mbase ishte thjeshtë i sjellshëm. Ne të tre ecnim rreth zonës së tyre të preferuar të “Central Parkut”, që më vonë – në kujtim të Johnit – u quajt “Strawberry Fields”.

Pesë ditë më vonë, mora një telefonatë ku më kërkohej që të bashkohem me ta në xhirimet e videoklipit muzikor “Starting Over”. Pasi xhiruam duke ecur nëpër park, shkuam në një pikë tjetër të tyre të preferuara, në “Cafe La Fortuna” te rruga “West 71st” – për të pirë kafe dhe për të biseduar. Më pas, me limuzinën e tyre u nisëm për në galerinë “SoHo’s Sperone Westwater”. Ishte e qartë se kisha fituar besimin e tyre dhe ata ndiheshin rehat me mua. Galeria ishte krijuar ashtu që të dukej si dhoma e tyre e vërtetë e gjumit, me dritat jashtë që shkëlqenin prej roletave veneciane. Në pjesën e parë të shkrepjeve fotografike, ata kishin veshur rrobat e tyre normale, por më pas i hoqën dhe simuluan se po çojnë dashuri. Shumëkujt nga ekipi iu kërkua që të largohen, por unë qëndrova duke bërë fotografi në mënyrë diskrete. Ndërveprimi i tyre ishte i rrjedhshëm dhe i natyrshëm; dashuria e tyre për njëri-tjetrin ishte e dukshme.

Kjo shkrepje, me Johnin të shtrirë mbi Yokon, është realizuar pas një momenti tensioni. Johni vazhdonte të përpiqej që ta puthte Yokon, por ajo e çonte mjekrën e saj gjithnjë e më lart. “Çfarë është kjo … Ben Hurja e dreqit “? Bëri shaka dhe e theu akullin. Të gjithë qeshën, veçanërisht Yoko. Ky ishte momenti kur e realizova këtë pozë teksa ata qeshin. Disa ditë më vonë në “Dakotë”, duke kërkuar nëpër negativë, Johni tha: “Janë të shkëlqyera! E di çfarë më pëlqen te fotografitë tuaja? E kapin tamam bukurinë e Yokos”.

Më 8 dhjetor, ditën e vrasjes së Johnit, më telefonoi redaktori im. Më tha se Johni ishte qëlluar. Isha në shok. Atë natë, pasi fotografova në spital dhe në stacionin policor, qëndrova jashtë “Dakotës” deri herët në mëngjes, me qindra të tjerë që rrinin zgjuar. Disa ditë më vonë, Yoko kërkoi të shkoja në apartament. Kur mbërrita, ajo ishte në shtrat. Dhimbja e saj e mbushi dhomën. Më tha se donte të ishte e zënë. Ishte mënyra e vetme e saj për ta përballuar këtë.

Punuam së bashku në një projekt për singlin “Walking on Thin Ice”. Ishte kënga e fundit që ajo dhe Johni kishin shkruar së bashku: Kur u vra, Johni mbante miksin e fundit të këngës. Kam fotografuar një rezervuar të ngrirë në pjesën veriore të Nju-Jorkut, megjithëse nuk u përdor si kopertinë e diskut, por si foto e palëvizshme në videoklip. Për shumë vjet kam qenë në kontakt me Yokon, duke marrë pjesë në festat e ditëlindjes së saj dhe duke punuar së bashku në disa projekte. Ajo me dashamirësi e shkroi parathënien e librit tim, “Johni dhe Yoko: Një rrëfim njujorkez dashurie”. Hera e fundit kur e pashë ishte ndoshta para katër vjetëve.

U bëra fotograf sepse gjithmonë më ka pëlqyer teknologjia dhe arti; fotografia i bashkon këto dy disiplina. Trajnimi im ka qenë për artin e bukur dhe për filmbërje, kështu që në thelb në mënyrë autodidakte e mësova fotografinë në vitet 1960, me një aparat fotografik 35 milimetërsh. Më nxiti edhe kureshtja për njerëzit dhe interesimi për gazetarinë. Puna në “SoHo Weekly News”, ku u pranova në vitin 1973 në moshën 28-vjeçare, ishte depërtimi im i madh. Më dha qasje në skenën muzikore të Nju-Jorkut: te koncertet dhe jeta në prapaskenë, si dhe te jeta e natës në “Studio 54”. Kam takuar dhe fotografuar pothuajse që të gjithë nga ajo skenë: grupin Clash, artistët Nico, Andy Warhol, Patti Smith, Debbie Harry, Mick Jagger, Keith Richards dhe David Bowie. Nxitja për të qenë pjesë e kësaj është ajo që më mban të vazhdoj edhe sot.

Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Almanart