Nëse doni të dini më shumë për atë se si kanë jetuar shqiptarët në fillim të shekullit të kaluar, dhe për shumë nga figurat që kanë bërë emër në atë kohë, për Abdyl Frashërin se si u kap nga turqit, kush ishin bashkëpunëtorët për kapjen e tij, dhe cila ishte fjala e tij para gjykatës ushtarake, për Mustafa Qemal Ataturkun dhe prejardhjen e tij, për Hasan Prishtinën, familjen e tij dhe kush e vrau, për Isa Boletinin dhe besnikërinë e tij, për Bajram Currin, rezistencën dhe fjalën e tij pak para vdekjes, për Luigj Gurakuqin dhe ambicien e tij, për Fan Nolin, kulturën e tij, veprimtarinë dhe atë se si u zgjodh kryeministër i Shqipërisë, për Faik Konicën si person dhe dijen e tij, për Ahmet Zogun, origjinën familjare, shkathtësitë dhe qeverisjen e tij, për Avni Rrustemin pak më ndryshe, për Marigo Posio-n, etj,
Nëse doni te dini më shumë për shqiptarët dhe prijësit e popullit shqiptar, për martesat në afërsi tek shtresat e larta shqiptare për dallim nga shtresat tjera të popullsisë, për atë se a ishte ky një imitim i turqve apo një tendencë për martesa vetëm me njerëzit e serës së tyre, për qeverisjen në kohen e Nolit e Zogut, për Shen Naumin, për ‘Ti dhe ‘Ju’ tek shqiptarët, për Tiranën, por jo vetëm për këto, lexoni këto fragmente të përmbledhura dhe më pas edhe librin “Kujtime” të Eqrem bej Vlorës.
Për Faik Konicën
….Unë e njihja atë vetëm nga emri dhe isha i entuziazmuar nga veprimtaria e tij. E kam takuar pastaj shumë më vonë dhe nga kjo njohje humbi një pjesë e entuziazmit tim ndaj personit, ndërsa vlerësimi për dijen e tij jo vetëm mbeti, por u zmadhua edhe më tepër. Si njeri Faik Konica ishte i padurueshëm: zemërak, mendjemadh, fodull, sarkastik dhe mjerisht njeri që donte të shkonte gjithmonë e tija. Kurse dijet e tij ishin të jashtëzakonshme….
Për martesat në afërsi te shtresa e lartë shqiptare
…Martesat brenda fisit, të pamoralshme për popullin e thjeshtë, ishin dukuri e zakonshme në familjet e shtresës së lartë dhe kjo për dy arsye; së pari këtu ndiqej modeli, shëmbëlltyra turke, së dyti, për shqiptarin, qoftë edhe atë të fisnikërisë së ulët, kishte rëndësi të madhe lidhja vetëm me njerëzit e seres së vet
Ky merak, për shembull, aq larg shkoi në rastin e familjes Vlora, sa për shekuj të tërë, ajo thuajse nuk lidhte martesa me dyert e tjera të mëdha shqiptare, sepse i shikonte ato si me pak te fisme, gjë që, natyrisht ishte një paragjykim i papërligjur….
… Është punë tejet e vështirë të orientohesh në ndër pleksjen farefisnore të familjeve feudale shqiptare. Të 10 apo 12 shtëpitë e shtresës së lartë kanë lidhur, zakonisht, martesa vetëm ndërmjet tyre. Kështu shpjegohet që gati te çdo çift gjen edhe lidhje gjaku mes tyre. Është, përgjithësisht, në mendësinë e shqiptarit që të mos marrë dhe të mos japë vajzë në një familje që nuk është e të njëjtit rang shoqëror me të….
Për Abdyl Frashërin
…Ai u kap në Elbasan, jo pa bashkëpunimin e disa anëtarëve të Lidhjes, nga ata që e patën kundërshtuar kryengritjen e nisur kundër Portës së Lartë.
Ai u dërgua në Prizren dhe u nxor para një gjykate ushtarake. Gjyqi e dënoi me vdekje. Pas shpalljes së vendimit, gjykatësi e pyet nëse dëshironte te thoshte diçka “Po, – tha ai. – Unë kam një djalë të vogël. I thoni atij se në qoftë se dëshiron të ketë bekimin tim, duhet të vazhdoj punën që unë nisa, por mjerisht nuk e çova deri në fund dhe të sillet kështu siç po sillem unë”. Kjo ishte përgjigjja trimërore e këtij idealisti të madh, e këtij patrioti heroik. Ndërkaq Abdyl beut iu fal jeta nga Sulltani dhe dënimi me vdekje iu kthye në 10 vjet burg kështjelle…
Për Mustafa Qemal Ataturkun
…Ndërkaq me kujtohet mirë dhe një takim shumë interesant që pata rastësisht me Mustafa Qemalin në vitin 1910, atëkohë ende një toger i thjeshtë .
Për ne ai ishte (dhe këtë mendim kemi edhe sot) me prejardhje shqiptare. I ati i tij më 1878 u shpërngul nga Leskovaci (Serbia Jugore) vend i banuar prej shqiptarësh, dhe u vendos në Prishtinë. E ëma ishte shqiptare nga Parga e Greqisë. Sot që Mustafa Qemali mban nofkën e merituar “Atatyrk” – babai i turqve, është një mendim shterpë të bësh pyetjen se a është ai, sllav, turk apo shqiptar.
…Mustafa Qemalin mund ta quaje çfarë të doje, vetëm turk jo…
Për prijësit e popullin shqiptar
…Ky popull nuk ka pasur kurrë fat me udhëheqësit e vet, të mëdhenj a të vegjël, e sidomos me ata, të cilët në kontakt me kultura të huaja kanë humbur autoktoninë e trashëguar! Shtresa e mesme dhe e lartë e Shqipërisë, me pak përjashtime, qe nga mesi i shek.. të 19-të e sot kanë qenë shpirtërisht, shpesh, në lartësi, por moralisht të padenjë për të udhëhequr këta njerëz të mrekullueshëm. Me sa duket, kontakti me botën e huaj, jo vetëm i vyshk, por edhe i kalb fare lulet në kohën e pjekurisë dhe frutat e vjetra e të reja të natyrës shqiptare…
Për Hasan Prishtinën
…Hasan Prishtina është pinjoll i bejlerëve të Vuçiternit. Dera e tyre nuk ka luajtur ndonjë rol të madh në historinë e vendit. Ka qenë vetëm një familje e nderuar spahinjsh vendas. Interesante është kulla e saj, një ndërtesë e fuqishme, si kështjellë, në mes të qytetit. Pas Tanzimatit, si rrjedhojë e heqjes së të drejtave feudale, familja u varfërua. I ati i Hasan beut u bë furnizues i ushtrisë, në fillim në Prishtinë, pastaj në Selanik, ku ai arriti të vërë sërish pasuri. Hasan beu u zgjodh dy herë me radhë deputet i Prishtinës në parlamentin turk. I mençur, i shkolluar, njeri me karakter e atdhetar i flaktë, ai punoi në mënyrë të shkëlqyer për autonominë e vendit të tij, duke arritur, sidomos në këtë periudhë të dytë dhe të fundit të Rilindjes shqiptare, të bëhet një nga personalitetet që zunë vend nderi në historinë shqiptare. Në Shqipërinë e lirë ai ka qenë shumë herë ministër, por kryesisht një udhëheqës politik. Në revoltën e Elez Isufit të vitit 1922 kundër rendit të ligjshëm shtetëror, ai luftoi për një politikë të fortë kundrejt Serbisë dhe për një reformë demokratike qeveritare në Shqipëri. Më vonë u bashkua me a’Anuncion për të ndërmarrë një sulm të përbashkët kundër Jugosllavisë. Më 1933 vritet në Selanik. Për vdekjen e tij opinioni zyrtar fajëson jugosllavët, ndërsa shumë të tjerë Presidentin e atëhershëm shqiptar, Ahmet Zogun…
Për Isa Boletinin dhe Bajram Currin
…Isa Boletini dhe Bajram Curri ishin burra ‘selfmade’, por jo krejtësisht parveny, sepse familjet e tyre në fis dhe në krahinë mbaheshin për “dyer të forta”. Isai jetonte në fshatin Boletin, në afërsi të Mitrovicës, në një shtëpi të bukur tradicionale, Bajram Curri në fisin e Krasniqëve, prej nga vinte, në perëndim të Gjakovës. Të dy ishin prototipa të condottieri shqiptarë të shek..të 20-të. Prijës popullorë të llojit më të mirë, por disi të ndryshëm për sa i përket dukjes, sjelljes po edhe mënyrës së mendimit. Isai ishte konservativ, patriarkal, i rregullt, serioz, fjalëpak, por me një pamje të jashtme të rëndë, tepër i sjellshëm e miqësor e besnik sa s’thuhet. Ai kërkonte dhe merrte vetëm çfarë i duhej patjetër. Bajram Curri përkundrazi kishte veti të tribunit popullor: shtatmadh dhe kaba, me pikëpamje socialiste (mbase sepse kishte luftuar për vite të tëra kundër sundimit feudal të Kryezive në Gjakovë). Atë që merrte (e këto nuk ishin pak), ai ua shpërndante njerëzve të vet dhe popullit. Që të dy ishin atdhetarë të zjarrtë shqiptarë, edhe pse që të dy ishin krejtësisht analfabetë. Isai u vra prej malazezve, me afrimin e trupave austro-hungareze me 1916 në Podgoricë, pas një lufte të ashpër disa orëshe (austriakët erdhën vonë dhe nuk arritën ta shpëtojnë atë dhe 17 bashkëluftëtarët e tij). Bajram Curri u vra në vendin ku fshihej në malet e Dragobisë. Më 1925 kur Zogu, me mbështetjen e qeverisë jugosllave dhe kunatit të tij Ceno bej Kryeziu, e pastroi Tiranën prej qeverisë së atëhershme socialiste të peshkopit ortodoks dhe shokëve të tij, Bajram Curri ishte në anën e këtij grupi politik. Me t’u bërë ministër i Brendshëm, i biri i armikut të tij të vjetër, Riza bej Jakovës (Kryeziu), puna e parë që bëri ishte zhdukja e armikut të vjetër të familjes. Autoritetet jugosllave që i dinin këto plane, por që edhe i trembeshin Bajram Currit për ndikimin që ai kishte në krahinën e Gjakovës, provuan me një gjest fisnik, ta shpëtonin. Ata dërguan (viti 1923) një agjent të tyre (kolonelin Juroviç) tek Bajam Curri dhe i premtuan rrugë të lirë nëse do të donte të arratisej jashtë nëpërmjet Jugosllavisë. Bajram Curri falënderoi për këtë ofertë shpirtmadhe dhe u përgjigj: “Unë kam qenë dhe do të mbetem armiku juaj! Kosova e robëruar do të më shohë mua ose mbi vig ose si fitimtar! Ndryshe jo!”
Për Marigo Posio
…zonja Marigo Posio (një atdhetare e madhe demokrate, por që i pëlqente reklama) ta kishte qepur e qëndisur flamurin e ri.
Për Ahmet Zogun
…Cili ishte Ahmet Zogu? “Mbreti i Shqipërisë” mund të më përgjigjen. Po dhe jo! Sepse vetëm me këtë titull nuk mund të shpjegohet kurrsesi personaliteti i ndërlikuar i këtij njeriu. Thelbi i kësaj dukurie historike mund të shpjegohet vetëm nën një këndvështrim të tillë: Ahmet Zogu ishte prototipi, sinteza e të gjitha vetive të mira dhe të liga të njeriut në Shqipërinë e re. Ai i kishte ato veti të gjitha në shkallën më të lartë, ndaj edhe pati një sukses kaq të madh. Askush dhe askund nuk mund të ketë sukses një njeri te një popull, pa qenë vetë kuintesenca e shpirtit të këtij populli. Ahmet Zogu e kishte këtë dhunti dhe u shfaq në çastin e duhur në skenën politike të Shqipërisë – ndaj ai është më tepër se një mbret, ai është simbol i një epoke!
Ai rridhte nga dera e bejlerëve të Matit, të njohur prej katër shekujsh si bajraktarë të fiseve të atjeshme dhe, prej tre shekujsh, edhe si kajmekamë të trashëguar (mëkëmbës vendorë të sanxhakbeut të Ohrit). I ati quhej Xhemal pashë Zogolli (zog – oglu = i biri i Zogut), e ëma Sadije hanëm Toptani (Pisha). Sipas gojëdhënës së vendit fisi i tyre ka ardhur në ato anë gjatë inkursioneve turke, mbase aty nga fundi i shekullit te 15-të dhe i pari i tyre, me emrin Zog, si shpërblim për luftën heroike në mbrojtje të njerëzve të vendit ndaj turqve, ishte martuar me bijën e vetme të sundimtarit të atëhershëm të krahinës. Pas vdekjes së këtij sundimtari, të gjitha fiset e zgjodhën atë si pasardhës të tij. Popullsia, si edhe vetë Zogu, ishte e besimit katolik, shumë luftarake dhe e varfër dhe jetonte kryesisht falë inkursioneve grabitëse mbi zonat e pasura të bregdetit.
Në burimet historike, familja e Zogut del aty nga viti 1600. Kronistët shkruajnë se në vitet 1631/32, fiset e Matit u nisën për luftë, plaçkitën tregun e Shijakut dhe shkuan gjer në Durrës por aty u ndalën nga muret e qytetit. Prijësi i këtij sulmi grabitqar quhej Zog dhe ishte pasardhës i të lartpërmendurit. Vitin pasardhës (1632) në arkivin e Portës së Lartë në listën e dekreteve gjendet urdhri i Sulltanit drejtuar sanxhakbeut të Ohrit, atij të Shkodrës dhe atij të Elbasanit, që me ushtritë e tyre të sulmojnë Matin dhe “ta zënë tradhtarin Zog gjallë a vdekur”. Kronistët njoftojnë se në janar 1633, Zogut dhe dy njerëzve të tij iu pre koka në sheshin e kështjellës së Ohrit.
I biri i Zogut u bë mysliman, shpëtoi kështu pozitën e shtëpisë e mbase edhe jetën e anëtarëve të familjes. Për shekuj të tërë familja e ruajti këtë pozitë, bëri krushqi me shumë familje feudale rrethe përqark (Biçaku, Toptani, Çoku, Hoxholli, Dishishti, Alltuni, Kryeziu, etj), dhe së fundi edhe me derën e sulltanëve Osmanë. Edhe pse në historinë e Shqipërisë osmane ajo nuk luajti ndonjë rol, me ngritjen e Zogut si mbret të Shqipërisë së re, ajo fitoi një peshë të tillë që vështirë se e ka pasur më parë ndonjë familje shqiptare.
Ahmet Zogu u lind, si fëmija i dytë i Xhemal pashë Zogollit më 8 tetor 1893 në Burgajet të Matit, dhe u rrit në Stamboll. Ai shpëtoi kësisoj prej komplekseve që rëndojnë mbi fëmijët e parë të një dere shqiptare. Në Stamboll ai përjetoi ngjarjet e lëvizjes së Turqve të Rinj dhe mësoi shumë prej tyre. Nga natyra tepër inteligjent, përveç vetive udhëheqëse të kultivuara që në fëmijëri, ai u pasurua edhe me përvojën e intrigave të politikanëve modernë Turq të Rinj, përvojë që më vonë diti ta vërë në jetë me aq zotësi në kushtet e vendit të tij. Pas kthimit në shtëpi më 1912 ai mënjanoi dalëngadalë vëllain e tij më të madh Xhelal beun, njeri që nuk shquhej për mençuri dhe mori kështu vetë në dorë drejtimin e shtëpisë dhe të krahinës.
Në vitin 1912 Ahmet Zogu nuk ishte ndonjë i panjohur. Ai kishte ardhur atë vit në Vlorë, djalë fare i ri, bashkë me kushëririn e tij, Dervish bej Biçakun (Elbasani) për t’i shprehur mbështetjen e tij Qeverisë së Përkohshme dhe kishte zënë vend në shtëpinë time. Aty pata rast ta vrojtoja mirë. Por doemos, asgjë nuk më lejoi atëherë të hamendësoja se një ditë ai do të ngjitej në majën e piramidës shtetërore dhe jo me lehtësi, siç mund të kishin bërë shumica e dorës sonë, por përmes vështirësish dhe rreziqesh, të cilat ai i kapërceu vetëm falë ambicies së papërmbajtur dhe aftësive të tij të jashtëzakonshme. Si çdo pinjoll i dyerve fisnike shqiptare ai ishte i vetësigurtë, i heshtur, i përmbajtur, krenar, por edhe i druajtur në shoqëri. Në personin e tij, vetitë natyrore të sundimtarit të zgjedhur nga zoti, ato të udhëheqësit ushtarak, të politikanit dhelparak dhe të kujdesshëm oriental, bashkoheshin, megjithatë, me cilësitë e shqiptarit kokëkrisur.
Të gjitha këto veti, ashtu si edhe gabimet e tij pasqyronin botëkuptimin dhe moralin e mjedisit ku ai u rrit. Vetë zotërimi i habitshëm, paraqitja e sigurtë dhe minierat e tij ishin rezultat i një edukimi të rreptë. Edhe pse, ç’është e vërteta, ai nuk kishte ndonjë shkollim të mirëfilltë: disa vjet në konviktin “Nymune-i teraki” në Stamboll, i dhanë atij mundësinë ta mësonte mirë gjuhën turke, por për ndonjë thellim të çfarëdoshëm shpirtëror, ai nuk pati as kohë, as dëshirë. Sikundër shumica ai ishte i lidhur me hullinë e mjedisit të tij të origjinës. Dhe si ishte ky mjedis ma karakterizoi një herë shumë bukur tezja ime Qanije hanëm Libohova – nga familja e Toptanasve – (njëra nga gratë më të gjalla dhe më energjike të stilit të vjetër që unë kam ndeshur në Shqipëri).
“Dëgjo, mor xhan, – më tha ajo – në rininë time, kur këta matjanët vinin në pazarin e Tiranës, thjesht për tregti e pa ndonjë mendim të keq, njerëzit mbyllnin dyert e dritaret. Sot ne u kemi besuar këtyre cubave jo vetëm pasurinë e katandinë, por edhe jetën tonë”.
E ashtuquajtura ‘inteligjencie’ e Shqipërisë e ka quajtur dhe e quan Ahmet Zogun injorant, i vesh atij paaftësinë për të hedhur qoftë edhe një mendim në letër pa gabime gramatikore, e qorton atë rreptë për mungesën e ndjenjës së komikes, e mban për intrigant, për njeri të dhënë pas fitimit e shumë veti të tjera edhe më të pakëndshme. Për mua të gjitha këto qortime janë shfaqje të urrejtjes.
Inteligjenca natyrore e këtij njeriu ishte e mahnitshme edhe kur ia donte puna të gjykonte dhe të zgjidhte probleme shumë të vështira dhe krejt të huaja për të ai rrallë gabonte, sikundër edhe që në shoqëri me njerëz shumë më të kulturuar ai nuk bënte kurrë figurë të keqe. Por përveç inteligjencës, ajo që i jepte atij epërsi të padiskutueshme mbi të gjithë ishte mungesa e çdo ndjesie: Ahmet Zogu as ka dashuruar, as ka urryer kurrë. Veprimi dhe sjellja e tij i nënshtroheshin gjithmonë kontrollit të një mendjeje të ftohtë e praktike, udhëhiqeshin gjithmonë dhe vetëm prej interesave të caktuara. Arsyetimet emocionale nuk kanë qenë asnjëherë pengesë për të. Kur ai ishte ende i ri, më mirë nga të gjithë atë e ka vlerësuar Esat pasha në prill të vitit 1914. Ahmet Zogu sapo ishte larguar nga shtëpia e Esatit, pas një bisede, kur Esati më tha:”A e vure re mirë këtë djalosh? Do të vijë një ditë kur ai do të shkojë shumë larg dhe do të na menjanojë të gjithëve, po të jetë se ne nuk ia shkurtojmë këmbët në kohën e duhur!”. Esat pasha nuk i shfrytëzoi shanset e veta. Përse të çuditemi atëherë që ky djalosh e lëvizi rrotën, ku theu këmbën jo vetëm Esat pasha, por edhe shumë prej nesh, edhe kjo, duke mos qenë aspak ndonjë tiran gjakatar.
Ahmet Zogun mund ta duash apo ta urresh, por nëse do që të jesh i paanshëm, duhet t’i njohësh atij një meritë: ai qe një “njeri i madh”, jo vetëm për përmasat shqiptare, por edhe në këndvështrimin ballkanik. Mund të gjesh plot gabime, lajthitje dhe mangësi në mendimin dhe veprimin e tij, por ai mbetet megjithatë një personalitet i rëndësishëm, madje më duhet të them, personaliteti më i rëndësishëm në historinë shqiptare. Kur mendon që ky ‘bej’ i rëndomtë shqiptar u bë mbret në një vend, i cili as mund të quhej shtet, mbi një popull, i cili, origjinal, i veçantë dhe individualist si asnjë tjetër, e kishte të vështirë të njihte edhe autoritetin e vetë zotit të gjithëpushtetshëm, në një kohë kur kurorat e dinastive mijëravjeçare rrëzoheshin përtokë, që ai nga kaosi i një organizimi fisnor dhe feudal farkëtoi jo vetëm një shtet, por edhe një komb, kur i mendon pra, të gjitha këto, nuk mund të mos habitesh me këtë njeri.
Që ai gaboi në disa synime politike, sidomos me politikën italiane, që ai i ngatërroi dhe i përzjeu disi mes veti problemet financiare shtetërore me ato private, kjo, natyrisht, është e vërtetë. Kur më 1919/20 ai doli nga malet amtare të Matit në rolin e një prijësi fisi me çantën e shpinës plot me traditën shpirtërore dhe shoqërore vendore dhe u fut në skenën politike shqiptare, ai mund t’i sillte me vete në çantë të gjitha mjetet e nevojshme për këtë rol. Që këto mjete ishin të shumanshme dhe u përdorën me efektivitet, provohet nga rrethana që me anë të tyre u krye organizimi i brendshëm dhe bashkimi kombëtar. Përsa kohë ishte fjala për të qeverisur një popull pasuesish me metodat autoritare të një beu, Ahmet Zogu pati sukses. Por kur Shqipëria falë përparimit të saj dhe të marrëdhënieve të ndryshuara ndaj botës, fitoi një fytyrë të re, kur Shqipëria u gjend nën ndikimin e shteteve evropiane dhe mënyrës së tyre krejt të ndryshme të mendimit, mjetet e tij dhe metodat e tij financiare do të dilnin të pavlefshme.
Koha, rrethanat dhe fati mund ta kenë ndihmuar Zogun, mund ta kenë përshpejtuar, madje edhe lehtësuar procesin e përparimit; megjithatë unë jam plotësisht i bindur se vendimtare kanë qenë vullneti i fortë dhe zotësia e këtij njeriu. Në këtë botë egoiste askush nuk të dhuron gjë badihava. Ahmet Zogu e ka merituar suksesin e tij me vështirësitë, mundimet dhe rreziqet që iu desh të përballojë…
Për Avni Rrustemin
…Një djalosh i quajtur Avni Rrustemi, një nga ata studentë të pasuksesshëm të cilët kërkojnë të shfryjnë me heroizma politike dëshirën e tyre për hakmarrje, lindur në Libohovë, i biri i një qehajai të derës së Libohovë – Asllanpashali, me anë të një vrasje të pabesë, i dha një fund të beftë jetës aventurore të Esatit. Ky djalosh, që me këtë vrasje donte të bënte emër në Shqipëri, nuk ishte veçse një vegël në duart e kundërshtarëve të Esat pashës. Ata i dhanë mjetet e nevojshme për këtë vrasje dhe morën njëherësh përsipër mbrojtjen e tij para gjykatës franceze. Se kush pikërisht ishin këta kundërshtarë, sot vështirë ta thuash. Me siguri mund të thuhet vetëm se pothuaj të gjithë nacionalistët, madje dhe disa bejlerë (mjerisht edhe të tillë që kishin përfituar nga Esati) miratuan vrasësin dhe vrasjen. Midis tyre, në radhën e parë, ishte edhe Ahmet bej Zogu…
Për Luigj Gurakuqin
…Luigj Gurakuqi, një njeri me kulturë të madhe, por edhe ambicioz jashtë çdo mase…
Për Fan Nolin
…Miku im personal dhe kundërshtari politik, metropoliti shumë i kulturuar, Fan Noli…
…Ky burrë i mençur u bë shtytësi dhe simboli i këtij revolucioni, gjoja shoqëror dhe ekonomik. Fitorja e tij e solli atë në karrigen e kryeministrit (16 qershor 1924). Zgjedhja u bë me short, si në lojërat e fatit. Mëtues për këtë post ishin Sylejman bej Delvina, Qazim Koculi dhe Fan Noli, secili kishte miqtë dhe kundërshtarët e vet. Një votim i rregullt parlamentar nuk mund të bëhej , sepse, e para nuk kishte fare parlament, e dyta, edhe sikur të kishte, deputetët demokratë nuk përbënin shumicën. Atëherë u përdor një sistem special. U hodhën në një shportë tri pusulla me emrat e të tre kandidatëve dhe pastaj u mor një ‘fëmijë i popullit’ (mbase ndonjë arixhofkë e vogël) të nxirrte njërën nga këto pusulla. Fati zgjodhi Fan Nolin dhe u bë kryeministër.
Fan Noli (Stilian Mavromati) u lind në vitin 1883 në fshatin shqipfolës të Ibrik Tepesë, në afërsi të Edrenesë. Përgatitjen për t’u bërë më vonë ç’u bë, ai ua detyron (rrjedhojë e politikës së turqve për t’i parë si grekë të gjithë ortodoksët, edhe kur ata flisnin gjuhë tjetër) shkollave greke në fshatin e lindjes dhe në Stamboll. Pas mbarimit të gjimnazit ai jetoi disa kohë në kryeqytetin turk, duke bërë punë të ndryshme. Meqë kishte prirje për aktor, filloi të luajë në skenën e një trupe të vogël teatrale në skelën e Galatës. Një ditë fati e solli që të takohej me ca priftërinj rusë. Zgjuarsia dhe prirja e tij për studime filozofike tërhoqën vëmendjen e murgjve të cilët vazhduan ta ndihmojnë edhe më tej, derisa ai u pranua në një seminar fetar në Rusi. Pas gjashtë vjetësh u dorëzua prift dhe për njohuritë e tij gjuhësore, u dërgua në një mision rus në Amerikë. Këtu filloi për Fan Nolin (emri i marrë si prift) karriera, ku ai u bë vërtetë ‘i madh’ dhe fitoi mirënjohjen e bashkatdhetarëve të tij shqiptarë, lufta e tij për çlirimin e kishës ortodokse të Shqipërisë nga ndikimi grek.
Ideja nuk ishte e re: të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit, në rrjedhë të shek. të 19-të ishin ndarë me mundim nga kisha greko-ortodokse në Stamboll dhe kishin themeluar kishat e tyre autoqefale. Por askush nuk kishte guxuar, deri atëherë, t’u tregonte 300.000 shqiptarëve ortodoksë rrugën e emancipimit dhe të përgatiste mjetet për këtë. Së pari Fan Nolit iu desh të përkthente në shqip të gjitha tekstet e nevojshme për ritet fetare. Me zgjidhjen e detyre të nevojshme për ekzistencën e një pjese të rëndësishme të kombit shqiptar, me themelimin e një kishe shqiptare-ortodokse autoqefale, Fan Noli e futi veten në radhën e atdhetarëve më të mëdhenj shqiptarë. Nga pikëpamja politiko – partiake mund të mos jesh me të për qëndrimin e tij socialist, madje, herë-herë, komunist, por në këtë pikë nuk i duhet ngrënë haku; ai e shpëtoi pjesën ortodokse të popullit shqiptar, për Shqipërinë dhe për etninë shqiptare. Por ka edhe veti e merita të tjera që e radhisin atë ndër burrat e mëdhenj të popullit shqiptar. Veprimtaria e tij letrare shkonte nga përkthimet e shkrimeve kishtare deri tek ato të Shekspirit dhe Gëtes, një seri e pambarim veprash të shkruara, të gjitha me një shqipe të bukur, të kuptueshme, ndonëse pakëz folklorike. Këtë njeri pra, i cili pak kuptonte nga politika e sidomos nga ajo që quhet e tillë në Shqipëri, i cili nuk kishte haber nga administrimi, e nxorën në krye. Dhe çfarë nuk u bë me emrin e Fan Nolit, shumë herë madje edhe pa dijeninë e tij
Për ikjen dhe kthimin e Zogut, dhe Shën Naumin
…Pasi u largua nga Tirana më 10 qershor 1924, bashkë me njerëzit e vet, Ahmet Zogu u vendos në Homesh të Dibrës, me qëllim që të dilte në Jugosllavi. Rrugën për këtë ia kishte hapur kunati i tij Ceno bej Kryeziu nga Gjakova, i vetmi shqiptar në Kosovën e pushtuar që e kishte mirë me autoritetet jugosllave. Ata dëshironin të kishin në Shqipërinë e lirë një njeri që të bënte politikën e tyre dhe po të ishte nevoja, të merrte përsipër rolin e Esat pashë Toptanit. Dhe askush nuk dukej më i përshtatshëm se Ahmet Zogu për këtë rol. Ndaj jugosllavët jo vetëm që e lejuan grupin e zogistëve të kalojë kufirin, por i mundësuan atij edhe rekrutimin e shumë mercenarëve shqiptarë dhe rusë të bardhë, në zonën e Dibrës jugosllave, Metohi. Ata e ftuan Ahmet Zogun në Beograd dhe u morën vesh me të, që si shpërblim të kësaj ndihme, t’i bëhej një korrigjim kufirit ekzistues në Shën Naum dhe në Vermosh.
Duke qenë se Komisioni Ndërkombëtar i Kufijve po merrej atë kohë me përcaktimin e kufijve të Shqipërisë dhe çështja e zotërimit të Shën Naumit ishte ende në diskutim, ajo u zgjidh me një vendim të Konferencës së Ambasadorëve, duke iu lënë Shqipërisë (30.10.1924)…
Për ‘Ti’ dhe ‘Ju’ tek shqiptarët
…Si te të gjithë popujt primitivë edhe te shqiptarët përdoret ‘Ti’. Me këtë fjalë mund t’i drejtohesh mbretit, ministrit, çifligarit dhe mikut të ngushtë. Te ‘Ti’ shqiptari gjen jehonën e vetë ndjenjave të tij të vluara dhe të vetënderimit të tij. ‘Ju’ është një neologjizëm që ndjehet e huaj, kurse ‘zotrote’ përkundrazi, një shprehje poshtëruese nga koha e feudalizmit turk dhe që të distancon shumë nga ai të cilit i drejtohesh…
Për shqiptarët
…Shqiptarët nuk kanë qenë kurrë engjëj të pafajshëm: dhuna, kapardisja, etja për grabitje, padurimi kanë qenë prej kohësh tipare të spikatura të karakterit të tij, por nga ana tjetër ai është shquar edhe për tipare fisnike: shqiptari është trim, kokëkrisur, besnik, shpirtmadh, bujar, i vetësigurtë dhe i zgjuar. Ai i përvetëson njëlloj shpejt si vetitë e mira, ashtu edhe ato të këqija. Në këtë truall pjellor dhe mikpritës, administrimi turk i periudhës së rënies mbolli disapak bimë të dobishme, por kryesisht shumë gram. Dhe ky i fundit, siç ndodh edhe në natyrë, u shtua dhe u harlis. Ky trashëgim i Perandorisë Osmane përbënte pra, thelbin e asaj shoqërie në Tiranë, prej së cilës unë, me zemër, largohesha gjithnjë e më shumë…
Për Tiranën
…Tirana, asokohe ka qenë një fshat i madh, të cilit i ra fati që brenda natës të gdhihej si kryeqytet i vendit. Ne deputetët e asamblesë Ligjvënëse kishim zgjedhur Tiranën dhe me ligj e kishim njohur edhe zyrtarisht si kryeqytet, e madje në garë me Shkodrën dhe Vlorën, që mëtonin edhe ato për këtë funksion. Falë vendosjes gjeografike dhe klimës së mirë, Tirana ishte më e përshtatshme se dy qytetet në fjalë, por në të tjerat nuk ofronte asgjë që duhej të kishte një kryeqytet. Duhet të laje nën dritën e një qiriri, ashtu me mundim të madh, fytyrën në një legen të dyshimtë që pastaj, t’i hipje një pajtoni shkatarraq, për të shkuar nëpër baltë dhe shi, veshur me frak dhe këpucë lustrafine, në ndonjë përfaqësi të huaj për darkë.
Tirana nuk kishte dritë elektrike, nuk kishte rrugë të shtruara dhe të ndriçuara. Shtëpitë ishin të thjeshta, shtëpi katundi dhe nuk kishin as lehtësirat më të vogla që do t’i gjeje edhe në fshatin më të humbur evropiano-perëndimor. E ndërkohë gjithçka që dëgjohej ishte kaq e fryrë dhe e stisur, sa, pa dashur, të shkonte mendja se mos ishe në ndonjë çmendinë. Në çdo hap do të ndesheshe me ndonjë shkëlqesi, rrugët dhe lokalet publike gëlonin nga ministrat, të dërguarit, senatorët, deputetët dhe nëpunësit e lartë dhe duhej bërë kujdes i madh që të mos u shkelje në kallo këtyre pecogrosëve. Dyqanet shkatërrinë të tregut mjeran, si rezultat i rritjes së kërkesës ishin, vërtet, të mbushura me çdo lloj malli, por gjithçka i ngjiste një panairi, gjithçka ishte rrëmujë dhe shpesh shtruar mu në rrugë të madhe.
Tirana e asaj kohe i ngjante një qyteti të kërkuesve të arit të Perëndimit të egër. Nuk Mungonte asgjë, duke filluar nga salloni e deri te strofullat e kumarit, nga kauboji i ngjeshur me pistoleta dhe gjerdanë fishekësh, deri te bankieri me cilindër dhe redingotë, nga karvanët e zhurmshëm nëpër rrugët me pluhur e bajga, deri te Fordi rrapëllitës, që çante me bori një shteg përmes turmës kureshtare. Ndonëse kishte një ndryshim me peshë midis qytetit kufitar të Far West-it dhe Tiranës: atje arkëtues ardhacakë kërkonin thesare të panjohura, këtu vendasit mbushnin thasët me ar, pa qenë të detyruar të mundoheshin shumë. Atyre nuk u duhej veçse të boshatisnin qeset, qeset e parave të ardhacakëve që vinin këtu të shtyrë nga megalomania. Sepse Tirana më 1925 (por edhe më vonë) ishte një nga qytetet më të shtrenjta në botë. Kjo ishte edhe arsyeja se përse unë e kisha zakon që bashkë me shërbëtorët dhe qentë, të banoja në një të ashtuquajtur hotel, ku vërtet paguaja si në një Hotel Palace të Evropës, por së paku, në fund të muajit e dija afërsisht se ku isha dhe nuk më dukej vetja si beqar në selamllëkun e shtëpisë së sime mëje…
Për martesën e Eqrem bej Vlorës
…Më 9 shkurt 1925 unë isha martuar. Bashkëshortja ime ishte Hadija, e bija e Salih pashë Vrionit, xhaxhait të sime mëje dhe vëllait të kunatit të kunatit të tim eti.
Gruaja ime ishte rritur jetime, kishte humbur që në fëmijëri baba dhe nënë dhe ishte rritur në shtëpinë e xhaxhallarëve të saj Omer Pasha dhe Galip pasha. Ajo ishte 19 vjeç më e vogël se unë! Pra ishte një martesë me mendje dhe jo me dashuri. Nismëtarët e kësaj lidhjeje u bënë tezja ime e dashur dhe shumë mentare, Nasipeja, shoqja e Galip Pashë Vrionit dhe im atë. Martesa me këtë kushërirë kaq të bukur, serioze, të vetëdijshme për sojin e saj, por edhe shumë të re, nuk do të më kishte shkuar kurrë ndërmend dhe jam i bindur që edhe ajo vetë nuk e kishte menduar ndonjëherë këtë mundësi. Megjithatë kjo martesë u bë dhe tani jam i bindur se unë vetë nuk do të kisha bërë kurrë një zgjedhje kaq të qëlluar dhe fatlume.
…një javë pas meje edhe im vëlla kishte marrë për grua motrën më të vogël të sime shoqeje. Një krijesë e dashur, e hijshme dhe shpirtmirë, e cila na hyri në zemër të gjithëve. Im më, e cila në këtë mënyrë të dyja mbesat e vogla i kishte futur kështu si nuse në shtëpi, ishte kaq e gëzuar, saqë – vetë amvise që kishte të rralla shoqet – ua la atyre në dorë tërë shtëpinë dhe pushtetin e saj…