Fred White, i cili si baterist i “Earth, Wind & Fire” nxori disa nga këngët më të këndshme në historinë e popit, duke ndihmuar në ofrimin e një kolone zanore për dasmat e vendit, bare, ribashkimet e shkollave të mesme dhe çdo funksion tjetër në të cilin kërcejnë njerëz të të gjitha moshave, vdiq të dielën. Ai ishte 67 vjeç.
Vdekja e tij u njoftua në Instagram nga vëllai i tij, Verdine White, basisti i grupit. Në njoftim nuk thuhet se ku ka ndërruar jetë dhe as shkaqet.
Fred White ishte anëtar i “Earth, Wind & Fire” gjatë një periudhe të rëndësishme të tyre, nga mesi i viteve ‘70 deri në fillim të viteve ‘80, kur grupi krijoi pjesën më të madhe të muzikës së tij më të dashur. Ai performoi në “Let’s Groove”, “Boogie Wonderland”, “Shining Star” dhe “September”, të cilat Spotify vlerëson se janë dëgjuar 1.18 miliardë herë.
“Earth, Wind & Fire” u themelua dhe drejtua nga gjysmëvëllai i Fredit dhe Verdinit, Maurice White. Megjithëse muzika e grupit dallohej për pjesën e tingujve të gëzueshme të borisë dhe vokalin e qetë, Maurice, në kujtimet e tij të vitit 2016, “My Life with Earth, Wind & Fire”, e përshkroi grupin si “një grup bateristësh”.
Vetë Maurice ishte një baterist i arrirë (për disa vjet ai kishte qenë anëtar i Ramsey Lewis Trio) dhe nuk ishte larg mendsh që katër perkusionistë të luanin të gjithë përnjëherë gjatë koncerteve të “Earth, Wind & Fire”. Për dy vjet, të dy, Fred White dhe Ralph Johnson, performuan në skenë me komplete baterish.
“Fred ishte bazament i fortë”, shkroi themeluesi i grupit, Maurice White. “Ai ofroi një tempo të fuqishme dhe një ndjenjë të fortë roku, cilësi të çmueshme si një baterist. Ai ishte një nga gjërat më të mira që na ndodhi”.
Frederick Eugene Adams lindi më 13 janar të vitit 1955, në Çikago. Ai kishte të njëjtën nënë me Maurice, Edna (Parker) White, një shtëpiake. Babai i tij, Verdine Sr., ishte pediatër. Fredi filloi t’u binte baterive në moshën 9-vjeçare. (Maurice e quajti atë një “fëmijë mrekullibërës”). Fredi, ashtu si Verdine Jr., e ndryshoi mbiemrin e tij në White në mënyrë që të ishte më e qartë se ai kishte lidhje me Maurice.
Fredi u rrit “në një geto në Çikago”, kishte thënë ai për revistën “Modern Drummer” në vitin 1982 dhe krijoi një lidhje me bateritë. Ai filloi të luante në koncerte rreth moshës 13-vjeçare. Në moshën 14-vjeçare ishte pjesë e një grupi që performonte në klubet e natës. Në moshën 15-vjeçare, ai luante me këngëtarin e blues, Donny Hathaway, dhe krijonte justifikime kur nuk mund të merrte pjesë në prova për shkak të shkollës.
Pas turneut të Fredit me grupin e rokut, “Little Feat”, Maurice dhe Verdine vendosën që atij t’i jepnin një mundësi të luante me “Earth, Wind & Fire”. Fredi ishte ende adoleshent.
Maurice White vdiq në vitin 2016 në moshën 74-vjeçare.
Në kujtimet e tij, Maurice e përshkroi Fredin gjatë viteve të tij me grupin si një “shpirt të guximshëm”, i cili ishte “kryelartë, i ri dhe pak arrogant”, i cili krijonte probleme me shokët e tij të grupit, veçanërisht për shkak të situatës së pazakontë të dy bateristëve që performonin në skenë në të njëjtën kohë.
Duke folur për “Modern Drummer”, Fred White pranoi se vitet e tij të para kur ndante detyrat e baterisë me zotin Johnson ishin një “betejë”, pasi ai “ishte mësuar të ishte i vetmi baterist dhe ishte mësuar ta mbante grupin”.
Grupi përfundimisht hoqi dorë nga konfigurimi i baterive të dyfishta dhe i zhvendosi përgjegjësitë e Johnson te vokali dhe instrumentet e tjera me goditje./koha.net/