Galeria e Arteve në Shkodër e nisi këtë vit kalendarin e saj me ekspozitën personale të artistit nga Prishtina Guri Çavdarbasha, dedikuar skulpturave me përmbajtje qeramike. Ekspozita “Brickolage” duket sikur pasqyron një lloj tragjizmi të paqëllimtë por që buron ndoshta vetvetiu nga fëmijëria dhe rinia e hershme e autorit, të kaluar në periudhën e luftës në Kosovë.
Këtë ekspozitë të parë e përshëndeti edhe drejtuesi i Galerisë Fatmir Juka, i cili bëri një prezantim të shkurtër të autorit para të pranishmëve.
Autori i ekspozitës Guri Çavdarbasha shpreh kënaqësinë që çel një ekspozitë për herë të parë në Shkodër ndërsa përqendrohet edhe në mesazhin që kërkon të përcjellë përmes punimeve të tij.
Guri Çavdarbasha ka lindur në vitin 1982, ndërsa është diplomuar në vitin 2004 në Akademinë e Arteve në Prishtinë. Ai është autori i disa ekspozitave personale dhe kolektive. Ekpozita në Shkodër me kurator Zef Pacin do të qëndrojë e hapur për vizitorët deri më 7 shkurt në mjediset e Galerisë së Arteve në Shkodër.