Galeria e Artit Tiranë mirëpriti këtë janar Festivalin Ndërkombëtar të Posterit “Prishtina 2022”. Sezoni i ri artistiko-kulturor i vitit 2023 në GAT nis me një eveniment ndërkombëtar në fushën e dizajnit. Festivali është në Tiranë në edicionin e dytë dhe në këtë eveniment janë artistë nga 32 shtete më veprat e tyre. Artistë të huaj dhe shqiptarë kanë prezantuar posterët e tyre me mesazhe interesante nga vendet prej nga vijnë. Drejtori i festivalit Rrezeart Galica si dhe kurator ekspozitës shprehet në tekstin e tij se shprehjet artistike në edicionin e dytë janë mbresëlënëse, janë gjurmë që reflektojnë të vërtetën e vendit të secilit artist pjesëmarrës në këtë eveniment. “Pjesa kreative e tyre e ndërtuar me anën teknike për të artikuluar mesazhin është e barabartë me kërkesën e një zëri kumbues, që thërret për të drejtën e tij në këtë botë me shumë probleme. Artisti, sot, është ai që tërë kohën sensibilizon përmes gjuhës së tij, nxit kërkesat e vendeve me demokraci të rrënuar që të kenë një demokraci të vërtetë dhe në të njëjtën kohë arrin të dematojë gjithsecilin që trumbeton se bota vërtetë është e lirë dhe e demokratizuar”, shprehet ai. Rrezeart Galica kurator i ekspozitës së Festivalit Ndërkombëtar të Posterit “Prishtina 2022”, ku punët e artistëve pjesëmarrës në dhjetor u ekspozuan dhe në Kosovë, vijon më tej se edhe pse organizimet më të mëdha ndërkombëtare, mëtojnë që të drejtën njeriut për të qenë të lirë ta avansojnë, asnjëherë artisti nuk e bën spektatorin në këtë përpjekje. “Me një vigjilencë që të kap detajet, çdo artist, përmes elementeve grafike arrin të ndërtojë e përçojë mesazhin te gjithsecili e të bëjë jehonë të drejtës së çdo qenie për të qenë i lirë. Artistët pjesëmarrës në këtë ngjarje kanë pasur guximin që të vërtetojnë ekzistencën e tyre përmes dëshirës për të qenë të lirë, dëshirë të cilën e ka artikuluar gjithsecili artist nga bota në veprën e tij apo të saj”, shprehet Galica.
Punët në ekspozitë
Ekspozita e Festivalit Ndërkombëtar të Posterit është e para këtë vit në Galerinë e Artit Tiranë, ku publiku mund të shohë punime të autorëve nga shtete të ndryshme. Pranë GAT Heldi Pema tregon për posterin, që sipas tij ka gjithmonë tendencën për të treguar një fenomen, por që përcillet me anë të grafikës. “Merren elementë nga jeta e përgjithshme apo filozofia e fjalës liri, etj, dhe transformohet në një lloj grafike, ku me elementë pak të thjeshtë direkt apo jo indirekt jep një vlerësim apo kërkesë mbi atë tematikë që ke zgjedhur. Tema për të cilën janë ftuar të bëjnë punime artistët ka qenë liria”, thotë Heldi Pema për punimet në festival, që janë në GAT këtë muaj të parë të vitit. Në vijim të aktivitetit të Galerisë së Artit Tiranë do të ketë dhe të tjera ekspozita me punime të artistëve të ndryshëm. Edhe në vitin që lamë pas GAT zhvilloi një aktivitet të pasur artistik, me ekspozita dhe aktivitete të ndryshme./sot.com/