Gentian Koçi te “Europe House” për filmin “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”

Në një rrëfim intim për publikun e interesuar, me pyetje dhe përgjigje edhe nga audienca, regjizori dhe po ashtu skenaristi i filmit “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”, Gentian Koçi, tregoi detaje të reja për filmin, i cili u shfaq tek “Europe House”. Të pranishmit patën mundësinë të shohin e disa prej tyre dhe ta rishihnin filmin, i cili u transmetua pak pas orës 6 të mbasdites.
Në përfundim, regjizori Gentian Koçi foli për krizat që e kishin shoqëruar filmin, tërmetin në Shqipëri e më pas pandeminë, e sesi gjithë vështirësitë e bashkëpunimit ndërkombëtar, sollën në fund një film i cili është vlerësuar në rangjet më të larta. Bashkëpunimi portugezo-greko-shqiptar, ku përfshihet edhe Kosova, rezultoi të ishte i frytshëm. Për regjizorin Koçi, bashkëpunimi me të shoqen në realizimin e filmit ishte një mundësi shtesë për të gjetur frymëzim.
Nga aspekti i produksionit, Koçi theksoi se kishte provuar ta zhveshte filmin nga artificat e zakonta që përdoren për të maskuar dobësitë e filmave. “Unë nuk doja që të kishte një kolonë zanore për të kaluar nga skena në skenë, ku të largohej vëmendja nga pikat e vërteta dramatike. Imazhi shfaqet i plotë, pa dritëhije që mund të mbulojë imperfeksionet. Çdo gjë është e vërtetë dhe loja aktoriale del e plotë.” u shpreh ai.
Nga pikat më të dhimbshme për të, ishte prerja e dy skenave të cilat, nuk shkonin me rrjedhën e filmit. “Ishin dy skena shumë të mira, por krijonin një si bark në film. Por për këtë është faza e montazhit. Më vjen keq, dhe nuk i rishoh e as i kujtoj sepse më dhembin shumë që u prenë nga versioni përfundimtar.”
Për herë të parë, regjizori rrëfeu të vërtetën e titullit.
“Historia është e vërtetë, në sensin që jam frymëzuar nga dy vëllezër binjakë monozigotë belgë, të cilët ishin të shurdhër dhe u diagnostifikuan edhe me humbjen e shikimit. Ata, para se të ndërmerrnin hapin, veshën këpucë të reja dhe pinë një kafe së bashku.”
Regjizori nuk u shpreh më tej, por nga një kërkim i shkurtër, mund të gjeni historinë e binjakëve belgë  Marc dhe Eddy Verbessem, të cilët kërkuan eutanazinë në moshën 45 vjeçare, në momentin që zbuluan që do humbisnin edhe shikimin e tyre nga glaukoma. Ata jetonin bashkë dhe vetëm, dhe komunikonin me gjuhë speciale shenjash, që e kishin krijuar vetë. Të dy marangozë, ndiheshin se nuk kishin më asnjë arsye për të jetuar, nëse nuk mund ta shihnin më njëri-tjetrin.
Filmi është shfaqur në Tiranë gjatë nëntorit të vitit të shkuar dhe u bë mjaft i dashur për shikuesit, të cilët kanë shprehur vlerësimin e tyre personal. Filmi është vlerësuar edhe me çmime, dhe ka përfaqësuar Shqipërinë në çmimet “Oscar”, në kategorinë “Best International Feature Film”./A.Radovani

Almanart