Sugjerimet tona për këtë fundjavë të nxehtë e me diell janë të fokusuara në qytetet e Gjirokastrës, Pogradecin, Tiranës, Gramshit dhe qytete të tjera.
Gjirokastra
Fundjavën niseni të enjten me datë 27 qershor 2024, ora 20.30 me aktivitetin e veçantë me titull “Ekuilibër” nga Erdit Asllanaj dhe Denada Kardhashin, duke ndërthurur tingujt e tetë goditjeve me instrumente karakteristike, me monologje, performanca dhe interpretime moderne të vargjeve të autorëve shqiptarë pranë Shtëpisë Muze “Kadare” në Gjirokastër. Për të vijuar me Festën “N’Sokak” duke risjellë nje nga traditat më të vjetra , atë të nxjerries së rakisë, pranë Pazarit e me DJ të ndryshëm pranë “Obeliskut” në mbrëmjen e së shtunës. Nuk mungojnë as aktivitetet e jetës së natës në bare, restorante të qytetit.
Pogradeci
Çdo fundjavë është ndryshe në Pogradec. Përgjatë datave 25 – 29 qershor 2024 do të mbahet “Balkan Film Food Festival” në këtë qytet në edicionin e tij të katërmbëdhjetë (14). Filmat do të jepen pranë Qendrës Kulturore “Lasgush Poradeci“ dhe sheshi “Odeon” në Pogradec. Një nga takimet më të veçanta do të jetë për “Serafin Fankun, Felinin e teatrit shqiptar”, një bisedë me Akad. Asoc. Stefan Çapaliku dhe Dr. Anxhela Çikopano për punimin e z. Çapaliku me të njëjtin titull. Ky aktivitet do të zhvillohet pranë Qendrës Kulturore “Lasgush Poradeci“ në datën 28 qershor 2024, ora 11.00. Gjithashtu do të ketë koncert “Rin Tour” me të rinjtë e qyteteve të rajonit të juglindjes që do të bëjnë turin veror në qytetet e Devollit, Korçës, Pogradecit e Kolonjës përgjatë datave 26 -29 qershor 2024. Jeta e natës do të vijojë në bare, restorante, beach bare.
Kryeqyteti
Muzika do të dominojë në aktivitetet e kryeqytetit. Në të dyja Fan Zone e kryeqytetit do të ketë koncerte me muzikë live kryesisht të dedikuara muzikës popullore e argëtuese në datat 27 e 28 qershor pranë Sheshit “Skënderbej” apo dhe te Stadiumi “Selman Stërmasi”. Nuk do të mungojnë as koncertet nga Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar (28 qershor) apo “Albania Guitar Festival” (27 qershor), krahas baletit “Fatalita” te Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit (25-26 qershor). “Një harabel në një fushë të minuar”, performancë si kombinim të elementeve të poezisë slam me performancën teatrale për të shprehur historinë personale dhe emocionet e autores, do të vijë te “Teatri i Metropolit” Tiranë në datat 26 e 27 qershor 2024. Tirana Contemporary Theatre Festival “Mediums” do të ketë reprizën e dytë me aktoren Marsela Lena me “Burka e Medeas” pranë oborrit të COD Kryeministri, më 26 qershor 2024. Përgjatë Javës Kulturore Braziliane do të ketë muzikë e filma të ndryshëm, që i gjeni të promovuara te “Almanart”. Një ekspozitë e re hapet te Galeria “Kalo” me titullin “Fragments” nga Eliot dhe e kuruar nga Entela Tepexhik përgjatë datave 25 – 30 qershor 2024. Vijon të jetë e hapur ekspozita “Andy Warhol” me 29 vepra origjinale të piktorit të mirënjohur pranë “Galerisë së Artit Tiranë” deri në fillim të muajit gusht. Jeta e natës apo muzika live nuk mungojnë asnjëherë në Tiranë, në bare, restorante, pishina, lokale, klube, krahas stand-up comedy që ju pëlqejnë aq shumë.
Një ekspozitë e veçantë me titull “Që prej Motmoti” nga “Art Paja” do të hapet në Kamëz nga data 28 qershor 2024 pranë Galerisë së Qendrës “Ata” në Kamëz.
Shkodra
Një mbrëmje e veçantë muzikore me artistë të mirënjohur e të rinj do të mbahet në oborrin e Teatrit “Migjeni” në Shkodër me emrin “Yje nën Yje” me pjesëmarrjen e Bujar Qamili, Drande Xhaj, Edmond Halili, Myfarete Laze, Jozefina Simoni, Tan Brahimi, Akil Varfi e të tjerë. Kjo mbrëmje do të zhvillohet më 28 qershor 2024 në orën 20.00 dhe hyrja do të jetë e lirë. Vijon të jetë e hapur ekspozita “Felice Beato dhe Adolfo Farsari, dy italianë në Lindjen e largët” te Muzeu i Fotografisë “Marubi” Shkodër.
Sarandë
Festivali “Music Fest” do të mbahet në qytetin e Sarandës përgjatë datave 29, 30 qershor dhe 1 korrik 2024. DJ të ndryshëm do të luajnë për pushuesit që ndodhen në Sarandë, në qytet apo dhe në shëtitje me anije përgjatë 3 netëve. Gjithashtu vijon të jetë e hapur ekspozita “Shqipëria në Akuarel” nga Helidon Haliti te Galeria “Art Saranda”. Patjetër që nuk do të mungojnë aktivitetet e jetës së natës në zonat bregdetare, me muzikë live apo DJ të ndryshëm.
Gramsh
Këtë të shtunë do të mbahet koncerti “Ëndrra në Livando” me Alban Skënderaj në zonën e Kushovës, pranë një fushe me livando në Gramsh. Një koncert i veçantë në llojin e tij, që mikpret artdashës në Gramshin e natyrës së veçantë.
Korça
Përgjatë datave 20 – 27 qershor do të mbahet Festivali Ndërkombëtar i Monodramës “Albaromo” nga trupa të ndryshme teatrore të huaja e vendase në Korçë dhe Devoll. Gjithashtu do të ketë koncert “Rin Tour” me të rinjtë e qyteteve të rajonit të juglindjes që do të bëjnë turin veror në qytetet e Devollit, Korçës, Pogradecit e Kolonjës përgjatë datave 26 -29 qershor 2024. Në datën 29 qershor 2024 do të hapet “Undīnus”, një ekspozitë gjithëpërfshirëse e artit dixhital e parashikuar si një udhëtim vetë-eksplorimi nënujor. Kjo përvojë përfaqëson procesin dhe udhëtimin e artistit përmes peizazhit të zhytur.
Kjo shfaqje përbëhet nga një ekspozitë gjithëpërfshirëse e 8 veprave të artit dixhital pranë “Galerisë së Arteve Digjitale” në Korçë nga artistë të huaj e vendas. Jeta e natës do të vijojë në bare, restorante e lokale me muzikë live apo DJ të ndryshëm.
Për këto dhe më shumë na ndiqni te “Almanart”, guida juaj kulturore vetëm me 1 klikim!