Handke, përsëritja e së keqes

Nga Hasija Boriq

“Çështjet e holokaustit janë çështje të cilat ose i tejkalon ose në to dështon. Aty nuk të jepet rasti për t’u përmirësuar”, pati thënë i madhi Danillo Kish. Këtyre çështjeve iu përgjigjet me dinjitet dhe rreptësi me shfaqjen tuaj “Projekti Handke”, të cilën patëm fatin ta shihnim rreth një muaj më parë në Teatrin Kombëtar në Sarajevë.

Këtë tekst po e shkruaj më 10 dhjetor në ditën kur Teufika Shabanoviq, Adnan Mahmutoviq, Jasenko Selimoviq, Satko Mujagiq, Meho Kapo dhe mijëra boshnjakë dhe hercegovas nga Suedia patën mbajtur një tubim proteste në Stokholm para Konserthusetit, ku çmimi “Nobel” për letërsi do t’i jepej njeriut që dështoi në testin moral, përbindëshit ideologjik, siç e quanin shumë intelektualë europianë, Peter Handkes. Peter Handke, një shkrimtar që mohoi gjenocidin në Srebrenicë, duke deklaruar se shumica e raporteve nga Bosnja ishin të rreme, ndërsa vuajtjet e serbëve i krahasonte me vuajtjet e hebrenjve gjatë epokës naziste. “Unë nuk e di të vërtetën, kam ardhur të jem pranë Millosheviqit dhe Serbisë”, pati thënë ai në funeralin e Millosheviqit.

Dhe, jo vetëm ai, edhe Komiteti i Nobelit dështoi në atë provim, që ne besonim se do të ndryshonte mendje, se do të bënte një mrekulli, se do të hiqte dorë nga vendimi i vet i turpshëm.

Ishte ditë e ftohtë dhjetori në 2019 në Stokholm. Më kujtohet qyteti i dekoruar, me drerët gjigantë të ndezur, turmat në dyqanet e qytetit, sepse ata që humbasin Zotin gjithnjë e më shumë i shndërrojnë Krishtlindjet në një paradë kiçi. Nëna ime kishte ndërruar jetë jo shumë kohë më parë dhe po mendoja se nëse duhej të udhëtoja edhe unë, apo sipas zakonit tonë të mirë, të prisja mysafirë që vijnë për të më ngushëlluar. Unë tashmë veç kisha takuar shumicën e njerëzve të mi të dashur në funeral, me përqafime dhe shtrëngime duarsh ata më ndihmuan të lëshoja nënën në dherishten e ftohtë në Barat e Sarajevës. Pyesja veten: E çfarë do të bënte nëna ime, një hercegovase luftarake dhe këmbëngulëse, po të ishte në vendin tim? A do t’i mbetej hatri? Diku nga thellësia e shpirtit tim dëgjova zërin e saj. Shko. Ky do të jetë teuhidi yt për mua. Shko, për hir të të gjithë të tëvrarëve pafajësisht. Kujto se si krenohesha me ty dhe me luftën tënde, kur ishe e para që u ngrite kundër Handkes në Parlamentin e Austrisë, kur botoi librin “Një udhëtim në lumenjtë Danub, Sava, Morava dhe Drina ose Drejtësi për Serbinë”. Mos harro, se ai pati thënë se poezia e Radovan Karaxhiqit nuk është më e keqe se poezia e Ilse Eichinerit, e asaj të burgosurës në kampet e përqendrimit në Luftën e Dytë Botërore. E ti e pate lexuar vjershën e Karaxhiqit, në të cilën ai ëndërron se si digjet Sarajeva dhe pate thënë: “Shkoni në Hagë, organizoni atje një mbrëmje letrare kushtuar poezisë së Karaxhiqit”. Pate thënë se ajo që pasoi në Parlamentin e Austrisë ishin një nga duartrokitjet më të dashura në jetën tënde.”

“Handke lahej në lumin ku ende po lundrojnë kufomat e myslimanëve”, ashtu siç do të thoshe ti, Jeton.

Asokohe vajza ime Hana kishte shkruar në profilin e saj në FB: “Qafën e thefsh në ferr, Peter Handke. Edhe ti Komitet i Nobelit qafën e thefsh në ferr që i jep çmim njeriut që mbështet regjimin që ma bëri jetën ferr për pak kohë”. Më është dashur t’i them këto fjalë të fëmijës sim, publikisht, për shkak të vuajtjeve të të gjithë fëmijëve tanë.

Ato ditë në internet u dëgjuan fjalë dënimi të shkrimtarëve dhe gazetarëve të mëdhenj e të nderuar që kishin qëndruar në Bosnjë-Hercegovinë gjatë agresionit, që nga Christiane Amanpour dhe më tej, P. E. N., qendrat e botës, dhe shumë shoqata gazetarësh.

Dhe nënat e Srebrenicës, të udhëhequra nga antikja Munira Subashiq, mbërritën në Sheshin Norrmalm përballë Konserthusetit, gra që për dekada kanë kaluar pragjet e të fuqishmëve në botë, duke dëshmuar në gjykata ndërkombëtare, duke marrë pjesë në protesta, konferenca, duke kërkuar drejtësi për djemtë dhe bashkëshortët e tyre të vdekur. Me to, si gjithmonë, ishin Emir Suljagiq, Vahidin Preljeviq, Roy Gutman, i ardhur nga Amerika e largët, Florance Hartmann nga Parisi, Alida Bremer nga Gjermania. Ata folën me zërin e intelektualëve të përkushtuar e të moralshëm që morën anën e së mirës në këtë kohë të keqe e të vështirë, në të cilën fashizmi po merr hov dhe po ngrihet sërish. E nderuara dr. Christine Doctare, një grua suedeze, e hoqi nga gjoksi çmimin “Nobel”, të cilin e kishte marrë me një grup mjekësh të OKB-së për humanizëm dhe me një gjest të fortë e hodhi nga gjoksi në shenjë proteste. Në fund, performova edhe unë duke lexuar fjalët e Hanës sime. Dhe duke vazhduar më tej: “Një tjetër shkrimtar gjerman, laureat i “Nobelit”, Heinrich Boell, pati thënë: ‘Lufta nuk do të ndalet për sa kohë që një plagë e shkaktuar prej saj kullon gjak. Sot emrin e atij shkrimtari mban një shtëpi botuese, e cila edhe mua më ndihmoi të jem këtu sot. Pyes veten, çfarë institucioni do të mbajë emrin e Peter Handkes nesër?’”

Më pas fola duke cituar Mak Dizdarin: “Bosnja ishte gjithmonë e destinuar të ëndërronte drejtësinë, të luftonte për drejtësinë, të priste drejtësinë, por jo edhe ta gëzonte atë”. U ktheva nga vendi ku ishte duke mbajtur mbledhje Komiteti i Nobelit, ngrita dorën si në gur varri dhe citova sërish Makun: “Kjo dorë të thotë të ndalosh dhe të mendosh mirë për duart e tua.” Në fund deklamova poezinë “Përshkrimi i vendit”, por në mënyrë të tillë që publiku të përsëriste çdo varg pas meje. Nga mijëra e mijëra gryka boshnjake jehonte: “Sfiduese nga gjumi.”

Në shesh ishin me mijëra boshnjakë dhe hercegovas, si dhe suedezë, të cilët ishin me ne nga ndjenja e solidaritetit. Në rreshtin e parë të publikut rrinin në gjunjë dy të rinj shqiptarë me bukuri antike, nuk lëvizën nga vendi gjatë protestës dyorëshe, si kariatida mbajtën lart mbi kokë flamurin shqiptar. Pas shfaqjes suaj, pyeta veten: E, a mos ishin Blerta dhe Jetoni me ne para tre vjetësh? Tash e di: e di, ju i dhatë përgjigje gjithë kësaj gjëje me shfaqjen tuaj.

Në atë shfaqje, Blertë e dashur dhe Jeton i dashur, pashë edhe një përgjigje cinike në pyetjen time: “Çfarë institucioni do të mbajë emrin e Peter Handkes nesër?”. Ju përgjigjeni përmes një personazhi në shfaqje: “Nuk do të befasohesha, pasi ai ka statusin e shenjtorit në Serbi, nëse ndonjë tempull, ndonjë kishë quhet Tempulli i më të Përndritshmit Handke, sepse ai është Zot, ai është Jezu Krishti.”

Pas këtij cinizmi, aktori thotë se Handke ka vendosur që një pjesë të çmimit të tij “të japë për bamirësi”. Epo, mendoj se një pishinë duhet të emërohet me emrin e tij. Domethënë, ai vendosi për të mos i dhënë për Srebrenicën, për të uriturit në Jemen apo për refugjatët, por për të ndërtuar një pishinë. Ku? Në fshatin Hoçë të Madhe, afër Prizrenit në Kosovë, vetëm pak kilometra larg fshatit Krushë e Madhe, ku ushtarët e Millosheviqit vranë 250 shqiptarë. Ja pra, e si do të mund të përfundonte ky “gjest i madh, human” i nobelistit të porsaprerë, pos të dështonte ky projekt, sepse fshatarët e atij fshati serb nuk mund të pajtoheshin se ku do të ndërtohej pishina. “Në këtë pishinë”, thotë Jetoni, “mund të masturbosh lirshëm ndërkohë që mendon për rolin e letërsisë në zbulimin e të vërtetave të jetës, të pshurrurit rekomandohet padyshim nëse, derisa je duke pshurrur, të shfaqet ai çasti nga dhënia e çmimit ‘Nobel’ dhe i atyre budallenjve që i këndojnë atij: Happy Birthday to You.” Dhe, paralelisht me atë tekst cinik e ironik, në një praktikë të thjeshtë, që është thuajse i vetmi element i skenografisë së reduktuar, i shohim aktorët të ngjeshur në një grup, të cilët qëndrojnë në heshtje, duke thirrur shqiptarët e ekzekutuar tragjikisht, gjë që ngjall një simpati të fortë te ne, shikuesit.

E gjithë shfaqja u ndërtua mbi këtë parim, siç e përjetova unë. Ironike, cinike, ngandonjëherë hakërron me njëfarë, do të thosha, pothuajse humori të Feralit, dhe si do të mund të flitej në ndonjë mënyrë tjetër për Handken? Dhe pastaj pa patetikë të sforcuar, të rreme, thjesht veç fakte të zhveshura. “Kufomat e babait dhe të birit u gjetën në një varr masiv”, janë fjalë që të lënë pa frymë dhe na zhytin në tragjedinë më të thellë. Po them patetikë të sforcuar, sepse ajo është e thellë, e vërtetë, pothuajse e dëbuar nga teatrot tona. Pa të nuk ka art të madh dhe as ndjenjë tragjike të botës. Dhe, shfaqja juaj, të dashurit e mi Blertë dhe Jeton, frymon me të dhe kjo është arsyeja pse ne, shikuesit tuaj, u prekëm thellë. Imazhet tuaja lirike, Blertë, të buta, të bukura, empatike dhe plot dhimbje, si ajo me skiatorin e vogël me maskotën e Vuçkos, simbol i Olimpiadës së Sarajevës, që është lajtmotivi i kësaj shfaqjeje, na zbresin në thellësitë më të thella tragjike. Ai djalë qëndron i heshtur në tryezën horizontale të stërvitjes dhe imiton skijimin me gjeste. Shfaqet disa herë në shfaqje, duke na transportuar nga bota skëterre e Handkes në botën e pastërtisë. Ai imazhi i një engjëlli të vogël, i cili ngrihet mbi retë në fund të shfaqjes, shkon lart, në një botë më të drejtë dhe më të mirë. Rrallëherë kam parë një përdorim më kuptimplotë të tymit në skenë. Zakonisht regjisorët na mbulojnë me tym pa ndonjë qëllim dhe kuptim të caktuar, ndërsa te ti, Blertë, janë hem borë, hem re. Unë te ky fëmija me Vuçkon, shoh Nerminin, djalin e Ramës, shpirti i të cilit ka shkuar në parajsë, ti e shndërron atë në një simbol të pastër, universal të të gjithë të të pafajshmëve të vrarë në këtë botë.

“Unë jam jashtë hapësirës dhe kohës. Po mundohem t’i përgjigjem babait, por jam pa fjalë. Mbetem sall një thes i zi plot eshtra. Bëhem një me dheun, mbytem në njëqind mijë kocka të shpërndara në kodrat dhe fushat e Bosnjë-Hercegovinës, po bëhem heshtje, ndërgjegje”, thotë Nermini. Para kësaj është një skenë me Ramën, duke e thirrur djalin e vet Nerminin. Derisa Ejla Bavçiq në fillim të shfaqjes në vend se të flasë anglisht, në gjuhën që zhvillohet e gjithë shfaqja dhe pyet: “A mund të them diçka në gjuhën boshnjake? Bir, Nermin, sillma kafen”, dikush na jep kafe, ne as që e kemi idenë se për cilin Nermin bëhet fjalë. Vetëm se ai emër të mbetet diku në trurin e vogël, sepse imazhet brilante të shfaqjes shpalosen me aq shpejtësi dhe fuqi, saqë i ndjekim pa frymë dhe vetëm nga fundi ballafaqohemi me historinë e Ramës dhe Nerminit, të cilën e interpreton Handke në librin e vet: “Rama merakosej për djalin e tij që ishte në mal, ndaj e thirri të vjen në vend të sigurt”. Dhe, afër fundit, dëgjojmë Ejlën duke kënduar me mjeshtëri një këngë popullore që i ngjan një vajtimi të lashtë, që na jehon për ditë të tëra. Dhe klithma e Ramës: “Nermin, bir, hajde lart te serbët, unë jam në zonën e lirë, te serbët”.

Por le të kthehemi në fillim të shfaqjes. Në skenë është një shenjë rrugore – Srebrenica. Peter takon dikë që e quan Dajë Joseph, ne e njohim Goebbelsin. Joseph i shpjegon: “Biri im, Peter, sa më i madh të jetë numri i të vdekurve, ai bëhet më pak i rëndësishëm. Duhet të dish se numri njëqind është kufiri që ndan vrasjet që tronditin botën nga të gjitha vrasjet e tjera masive. Njerëzit arrijnë të numërojnë deri në 100 dhe më pas çdo numërim bëhet i mërzitshëm, i shndërron fjalët në shenja të paartikuluara, që nuk kanë asnjë kuptim, sasia e tronditjes njerëzore zvogëlohet.”

Handke: “Si mund t’i bind lexuesit e mi se 8000 varre nuk ekzistojnë? Ata janë aty, njerëzit mund t’i shohin me sytë e tyre!”

Goebbels: “Ne përdorëm dhoma gazi dhe mjete të tjera primitive për hebrenjtë, ndërsa ti ke mjetet e tua magjike, stilistike dhe letrare. Peter, shfrytëzoji ato. Qite një pikëpyetje, një gjë e tillë është në përputhje me natyrën e letërsisë.”

“Ka pasur gjenocid në Srebrenicë”, klith Handke, “dhe unë mund të pyes: a ka pasur gjenocid në Srebrenicë?”

Goebbels: “Srebrenica është një rast i fabrikuar. Holokausti është fabrikuar. Nëse ndonjë gjë komplikohet, ti thuaj: Krejt kjo është letërsi. Unë vij nga Homeri dhe Cervantesi, Tolstoji. Shkruaj, a janë ata të vrarë apo të vetëvrarë? Shoh gra me shami duke qarë. A qajnë? Rrethimi i Sarajevës? Sarajevizimi i rrethimit?”

Handke ka mësuar nga “daja” i tij se si çdo e vërtetë mund të anulohet duke e relativizuar atë.

Kjo pasohet nga një seri skenash qesharake, në të cilat ne qeshim me të madhe, se si aktorja serbe largohet nga projekti sepse “Serbia megjithatë është më e madhe se shfaqja”, loton Marina Abramoviq, skenat në të cilat një grua gjermane nuk mund të jetojë pa librin për Handken dhe i bie të fikët kur sheh se në çantën e saj nuk e ka librin dhe e pyesin: a mundet Olga Tokarczuk, skenat e “padive” në të cilat shtëpia botuese e Handkes do të padisë të gjithë autorët e shfaqjes, kritikët që do të shkruajnë kundër Handkes, aktorët, nuk do t’i padisin vetëm veteranët serbë të betejave në BeH dhe Kosovë, as nuk do t’i padisin 8000 viktimat e Srebrenicës (a janë 8000?, me ironi je duke e pranuar, Jeton, stilin e Handkes dhe në mënyrë të shkëlqyeshme je duke e ironizuar gjatë gjithë shfaqjes. U fute aq mirë në mënyrën se si mendon Handke, në filozofinë e tij të errët, sa që në fund nuk e dija se cilat ishin citimet e vërteta nga libri i Handkes, cilat ishin ngjarje të vërteta nga jeta e tij dhe cilat ishin parafrazimet tuaja të shkëlqyera).

Oh, si e menduat këtë, Jeton. Një skandal i madh seksual ka ndodhur në Akademinë Suedeze. Burri i një prej anëtarëve të Akademisë joshte vajza të reja në ato dhoma të errëta, duke u premtuar pjesëmarrje aktive nëpër aktivitete letrare, promovime, bile edhe çmimin “Nobel”, e pse jo. Ato ishin orgji seksuale djallëzore në ambientet e Komitetit të Nobelit dhe kur u zbulua skandali, familja mbretërore shkulte flokët, nuk u dha çmimi “Nobel” për letërsi në vitin 2018 dhe Komiteti Nobel u dënua nga e gjithë bota. Dhe më pas, dikujt i ra në mend një zgjidhje shpëtimtare: Duhet mbuluar ky skandal me një skandal tjetër. Jepini Handkes kontrovers çmimin “Nobel” dhe bota do të fillojë të zhurmojë për të. Të mbulosh një pisllëk moral me një tjetër pisllëk edhe më të madh. Ashtu edhe ndodhi.

Image
“The Handke Project” me titullin “Handke Projekat” u dha premierë në Teatrin Kombëtar të Sarajevës më 14 nëntor të këtij viti

Skenat akuzuese zëvendësojnë njëra-tjetrën, po citoj: “Në vend që të mbështeste qindra gra serbe që kundërshtuan luftën, Handke mbështeti Millosheviqin, Mlladiqin, Kusturicën, Karaxhiqin”. Kështu, ai u privoi serbëve mundësinë që të përballen me ndershmëri me të kaluarën e Millosheviqit. Ai është pjesë e sentimentit antimysliman dhe kundër refugjatëve që ka zënë rrënjë në Europë. Ai është produkt i masave që nxorën shpatat për kryqëzatat e reja. Por fashizmi nuk kalon! No pasaran!”

Është ide e shkëlqyer, Neziraj, një nga skenat e fundit të bisedës mes Peter Panit, heroit të preferuar të përrallave për fëmijë, dhe Handkes, të cilit Peter Pan i preu krahët. Për ata që ende nuk e kanë parë shfaqjen, ja sa shkëlqyeshëm e mbyllni çështjen e pyetësorit të Goebbelsit që e kishte në fillim.

Peter Pan: “Ti je Kapiten Grremçi, ai ka grremçin e vet, ndërsa ti ke pikëpyetjet tua. Ti je delenxhi, demagog, inxhinier i dhimbjes, mohues i gjenocidit, pena jote është thikë që shpon zemrat e viktimave. Safari yt në Bosnjë ishte udhëtim i turpshëm, Peter Handke, ti ishe atje dhe laheshe në një lumë, ku ende notonin kufomat e myslimanëve”.

Me afrimin e fundit të shfaqjes suaj, ne zhyteshim gjithnjë e më shumë në magjinë e saj, imazhet gjithnjë e më të fuqishme, na linin pa frymë. Handke flet: “E lashë protokollin e varrimit. Dua të lexohet elegjia ime e fundit ballkanike. Unë dua të jem një serb ortodoks që lufton për Kosovën.”

Dy priftërinj ortodoksë hyjnë në skenë me temjanicë dhe tym, dëgjohen kambanat e kishës. Prifti shqipton fjalët: “Nga kjo ditë e bekuar, ti do të quhesh Shën Handke”. Priftërinjtë pastrojnë dhe shenjtërojnë trupin e Handkes. Ata përdorin gjak në vend të ujit. “Psalmet” jehojnë nga skena, të cilat na rrëqethin trupin:

Dëgjoni psalmet e krishtera të Akademisë Suedeze

Do të dehemi me shlivë në kockat e manekinëve myslimanë

në të ashtuquajturin kamp përqendrimi Omarska

Sepse kështu ruhet qytetërimi europian

Më vonë do të lahemi në lotët e rremë të nënave të Srebrenicës

Pas kësaj skene, pra, vjen ëndrra e Nerminit për Srebrenicën. Shfaqja godet me fuqinë antike.

Forca e aktorëve Ejla Bavçiqit, Arben Bajraktarit, Adrian Morinës, Klaus Martinit, Verona Koxhës, Anja Drleviqit është diçka që meriton një përkulje të thellë dhe një ese të veçantë për atë që na demonstruan atë mbrëmje në premierën e Sarajevës. Secili prej tyre luajti disa role, duke u transformuar lehtësisht nga personazhi i Handkes në personazhin e Goebbelsit, Peter Panit. Jo vetëm dhe teknikë e shkëlqyer, por edhe angazhim intelektual, duke ecur në litarin e ngushtë mes jetës dhe vdekjes.

Këtu më duhet të theksoj se një pjesë të madhe të punës e kanë bërë dramaturgia Biljana Srblanoviq dhe bashkëpunëtorja e saj në tekst, shkrimtarja kroato-gjermane, feralistja Alida Bremer. Kemi shijuar këngët e pazakonta antike të Gabriele Marangonit, kostumet e menduara mirë e të punuara për merak të Blagoje Micevskit, skenografia e thjeshtë e Maria Kalabiqit mjaftoi për të përmbushur gjithçka që i nevojitej shfaqjes dhe aktorëve.

E shihni miqtë e mi të dashur kosovarë që e përdor shpesh fjalën “antike”. Po, shfaqja e juaj është antike në forcë, e ka burimin edhe te dhimbja juaj, e cila është po aq e madhe sa jona, boshnjake. Mund të qeshesh me komoditet me atë politikanin kloun që thotë se “ka gjenocide e gjenocide. Nëse holokausti ishte gjenocid, atëherë duhet të gjejmë një emër tjetër për Srebrenicën”, shet mend personi në fjalë. Ju e dini shumë mirë se cili është qëllimi për të shfarosur një grup fetar ose kombëtar dhe se gjenocidi u shkakton vuajtje të përhershme popujve ndaj të cilëve është kryer. Dje Holokausti, armenët, Ruanda, Prijedori, Srebrenica, Kosova. Shfaqja juaj është një tablo e asaj vuajtje dhe ky tekst modest i imi, si dhe të tjerë që jam duke i shkruar, apo luaj, është kontributi im i vogël për të. Shfaqja e juaj është një klithmë dhe një rebelim kundër fashizmit të kohës sonë. Në shfaqjen e juaj, na dhatë mundësinë që në fund të shajmë: Fuck you, Peter Handke!

Faleminderit.

Marrë nga nomad.ba. Përktheu nga boshnjakishtja: Fadil Bajraj

Almanart