Filmi i shkurtër ‘Heroi i shkretëtirës’ (Hero of the Desert) me skenar dhe regji të Lorena Sopit, ka marrë Çmimin për filmin më të mirë të shkurtër të vitit (Best Short Film of the Year) në “Golden Fox Film Competition”, i cili ka përfunduar të enjten në Tokio të Japonisë. Lajmin e ka bërë të ditur vetë regjisorja, nëpërmjet komunikatës për media ku shkruhet se “Golden Fox Film Competition”, është event vjetor i kinematografisë se përbotshme qe organizohet nga kineastët japonezë për t’i përzgjedhur arritjet me të suksesshme të vitit paraprak.
“Është ky çmimi i nëntë ndërkombëtar që ka fituar ky film qe nga premiera ndërkombëtare që është shfaqur ne Festivalin e Madh të Salernos në Itali”, shkruhet në komunikatë.
Se “gjithçka që doni në jetën tuaj papritmas mund të humbet, por në fund, dashuria do të kthehet në një mënyrë tjetër”, është linja logjike mbi të cilin ndërtohet “Heroi i shkretëtirës”. Sipas përshkrimit që i bëhet, trajton dashurinë e pamundshme, humbjen dhe vetminë.
“Jetën e vrazhdë përbrenda përplasjes së dy mentaliteteve. Nga njëra anë, përcaktimin e fatit përbrenda kornizave dhe paragjykimeve tradicionale, kondita të cilat shpeshherë përcaktojnë kufijtë e dhunshëm të jetës dhe vrasin ëndrrën e madhe të lirisë. Kurse nga ana tjetër, tendencën e njeriut patriarkal për të dalë nga ‘kështjella e ngurtë e traditës’ dhe për të ndjekur rrjedhën e jetës moderne urbane”, thuhet në përshkrim. Këto dy pole, përplasën ashpër në filmin ‘Heroi i shkretëtirës’ duke krijuar si “rezultat një jetë të humbur, përplot nostalgji, mëri, mllef, dhembje e vetmi. Jeta e paragjykuar si ëndërr e lirisë, në botën që ka trashëguar mentalitetin e mesjetës, por që zhvillohet në shekullin e globalizmit, gumëzhin zhurmshëm nga fantazmat e shpirtrat e së kaluarës me heshtjen kërcënuese të së tashmes”.
Filmi 25-minutësh është prodhuar nga AS Film dhe Film Fest Kosova, me mbështetjen e Departamentit për Kulturë të Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prishtinës. Në rolet kryesore luajnë: Vjosa Tasholli, Mikel Markaj, Dibran Tahiri, Jehona Gashi, e të tjerë. Skenograf është Uran Duli, Gafer Elbasan Sherifi, kostumografe Alma Krasniqi, dizajner zëri Ilir Xheladini, ndihmësregjisor Sovran Nrecaj dhe Hana Bucaliu, Drejtor fotografie është Lorenc Pelushaj.