Zamir Kabo, pianisti shqiptar që jeton në Austri, erdhi në Tiranë me koncertin “Pianodrom” së bashku me Philip Scheucher në kuadër të “Javës Kulturore Austriake”. Si ka qenë ky organizim për ju?
Koncerti siç e thatë dhe ju, u zhvillua në kuadër të “Javës Kulturore Austriake” dhe është një bashkëpunim i Ambasadës Austriake në Tiranë dhe Ministrisë së Kulturës. Ishte një javë e mbushur plot me aktivitete nga ana e Ambasadës dhe koncerti jonë u planifikua të mbahej më 26 tetor që është dhe Dita Nacionale e Austrisë.
Së bashku me Philipp ne për këtë koncert u munduam të përzgjidhnim vepra të traditës klasike, vepra themelore të repertorit pianistik për 2 piano, por gjithashtu dhe vepra moderne të frymëzuara në shpirtin e traditës klasike. Koncerti doli shumë mirë, siç e pamë nga një sallë e mbushur me artdashës, si dhe urimet e shumta që erdhën më pas. Nuk ka gjë më të vyer sesa kur pasi luan, të vijnë dhe të urojnë muzikantë që tashmë janë në pension në profesion, por aktiv në mendje e shpirt. Gjithashtu kur publiku i thjeshtë artdashës e mban frymën 1 orë e 20 minuta pa bërë zhurmë dhe në fund të thonë që ishte shumë i shkurtër koncerti. Këto janë gjëra që ne si muzikantë na ngrenë peshë shpirtin.
Për këtë aktivitet duam të falenderojmë shumë znj. Ambasadore Monika Zach, të gjithë stafin që e bëri të mundur dhe në veçanti znj. Eljana Mankollari, që është aq e gjindur, aq e përkushtuar, si dhe aq e përgatitur.
Më parë keni qenë në Tiranë për koncertet me pjesë nga Grieg së bashku me Orkestrën Simfonike të RTSh apo me violinçelistin Vlorent Xhafaj më 2018. Gjithashtu keni zhvilluar dhe koncerte me artistë shqiptarë jshtë Shqipërie, si psh.koncerti me Flaka Goranci në Linz të Austrisë më 2019. Si ju duket tashmë skena kulturore artistike shqiptare dhe bashkëpunimet me bashkëkombasit.?
Po, kam luajtur për të disatën herë me Orkestrën e RTSh dhe në atë vit luajtëm së bashku Koncertin e Edward Grieg. Skena muzikore shqiptare ka pasur një rënie, duhet thënë që prej kohës së një festivali që nuk ekziston më “Allegretto Albania” por prapë se prapë Tirana si qytet ka publik të shumtë artdashës që vijnë gjithmonë kur ka koncerte të mira dhe me kualitet. Është një gjë shumë interesante që duhet thënë që, dhe pse publiku i gjerë nuk është profesionist, përsëri di përbrenda të diferencojë.
Skena kulturore e ka rimarrë mirë vehten, por ka akoma shumë punë për t’u bërë, si nga ana teknike e institucioneve, sidomos mungesa e pianove, si dhe sallat që duhen bërë me akustikë profesionale, si dhe materialet e duhura. Ka shumë persona që mundohen të organizojnë aktivitete serioze, por ka shumë pengesa nga më të ndryshmet. Gjithsesi puna duhet të vazhdojë dhe mos të ngelë në vend.
Do të dëshiroja gjithashtu dhe një përfshirje më të madhe të artistëve shqiptarë nga Kosova e jashtë trojeve të Shqipërisë. Kjo gjë duhet konsideruar.
Profil i artistit
Zamir Kabo, ka lindur më 1988- n në Tiranë në një familje muzikantësh. Mësimet e para në piano i mori në shkollën artistike “Servete Maçi”, për të vijuar Liceun Artistik “Jordan Misja”.
Studimet e larta i fillon në vitin 2006 në Fakultetin e Muzikës në Shkup, nën drejtimin e profesorit Boris Romanov, ku edhe përfundon në 2010- n me vlerësimin 10 Suma cum Laude. Në 2011-n vazhdon studimet master po me të njëjtin profesor dhe përfundon përsëri me notën 10 Suma cum Laude.
Ndërkaq ka marrë pjesë në Masterclass të ndryshme me profesorë të njohur si: Arbo Valdma, Francesco Monopoli, Dmitri Bashkirov, Giovanni Umberto Battel, Mikhial Voskresensky, Karl-Heinz Kämmerling, Bernd Goetzke, Elena Margolina-Heit dhe Jacques Rouvier. Ka interpretuar si solist në festivale ndërkombëtare nga Ohri, në Spanjë, deri në Moskë(Salla Rachmaninov e Konservatorit Çajkovski).
Por ai i ka qëndruar besnik skenës shqiptare përmes koncertesh recitale, i shoqëruar nga orkestra e RTSH nën drejtimin e mjeshtrit Yury Sobolev dhe Dr. Oleg Arapi, ku ka interpretuar vepra nga Rachmaninov, Brahms, Stravisnky, Schubert, Prokofiev etj. Aktualisht vazhdon studimet Master në Universitetin e Arteve “Mozarteum”, Salzburg, nën drejtimin e profesoreshës Cordelia Höfer–Teutschn.
Më poshtë po ju sjellim një nga koncertet e pianistit Zamir Kabo: