Nga: Peter Bradshaw / The Guardian
Vdiq modernisti i fundit i madh i shekullit XX. Jean-Luc Godard ishte karizmatik, lider kulti nga distanca; ishte thuajse Che Guevara që i ka shpëtuar vrasjes dhe është mplakur duke u fshehur në xhunglën boliviane: më pak i dukshëm, më pak i rëndësishëm, por gjithsesi i aftë që t’i organizojë nga distanca ato grabitjet e bankave dhe ato aktet spektakolare të rezistencës së armatosur, që ua kujtojnë njerëzve thirrjet e tij revolucionare. Në fillim Godardin e adhuronin dhe e admironin si hero, dhe pastaj e injoronin dhe e shanin: e tallnin dhe e përqeshnin pa menduar, dhe ai sërish u pëlqye. Kishte ndikim në aspektin me të cilin Vala e Re Franceze e tronditi Hollivudin dhe të gjithë krijuesit e filmave; në ditët e sotme, procedurat e tij të rralla eksperimentale u bartën në video art.
Godard shpërtheu në kinemanë botërore me filmin “À Bout de Souffle” në vitin 1960, nën kujdesin e regjisorit François Truffaut: një rrëfim për një vajze të re amerikane në Paris – që luhej nga ylli i Hollivudit, Jean Seberg – dhe lidhjen e saj të mallkuar me një maço tërheqës që ishte në arrati e që luhej nga Jean-Paul Belmondo. Godardi e grisi librin e rregullave pa u lodhur për ta lexuar: me digresionet e tij të egra, skenat e dialogut të çuditshëm, stilin realist të vendndodhjeve, udhëtimet pa rrëfime dhe prerjet e skenave – montazhi i gabuar frymëzues, gjysmë i qëllimshëm i krijuar nga një autor intuitiv dhe i pamësuar.
Vitet 1960 ishin periudha e tij e lavdishme, kur imazhet dhe sloganet mund të ndryshonin botën; bënte filma me rrjedhshmëri dhe shpejtësi marramendëse. Godardi ishte mendjemprehtë, i thjeshtë, mishërim i freskisë kontinentale. Është shumë ikonike fotoja e tij duke mbajtur një shirit filmi dhe duke e kontrolluar – sepse tipat nopran mendojnë se nuk do të jenë në gjendje ta shohin më mirë, nëse i heqin syzet e errëta! Morali seksual dhe agonia e intimitetit dhe dashurisë së pamundshme ishin temat e tij, të kombinuara me diskutimet e zgjuara rreth politikës. “Bande à Part” (1964) dhe “Two or Three Things I Know About Her” (1967) kanë energji dhe stil të mrekullueshëm: fluturojnë nga gëzimi dhe sfidojnë gravitetin gjatë rrugës për teposhtë.
Por, filmi im i preferuar i Godardit i asaj periudhe – në fakt filmi i tij më i preferuar nga të gjithë – është “Une Femme Mariée” (1964), një kryevepër e arrirë, e krahasueshme me “Cléo from 5 to 7” të regjisores Agnès Vardas. Macha Méril është Charlotta mahnitëse, e bukur, një grua e re e martuar që ka një aferë me një aktor të pashëm. Është shumë erotik, me një shkëlqim jashtë konventave; një ese digresiv kinematografik. Ka interesim uarholian për intervistat e revistave dhe ikonografinë e reklamave, një dalldi fetishiste për të brendshmet. Godardi përdor gjithashtu titra për gjërat që ajo mendon, ndërsa përgjon dy gra që flasin për seks: duke parafytyruar Annie Hallin e Woody Allenit. Është një nga filmat më seksi dhe më të çuditshëm të realizuar ndonjëherë, për çka e preferoj në krahasim me filmin më të rëndësishëm të sinefilëve – “Le Mépris” (1963) ku luan Brigitte Bardot.
Shpeshherë ndonjë film i Godardit, si “Pierrot le Fou” (1965), ishte çuditërisht i ashpër, pothuajse jokoherent, duke thithur në vetvete disa prej çrregullimeve të xhirimit: veprimi ishte i furishëm, pothuajse farsë – një koment satirik për fëmijërinë e melodramës hollivudiane – e megjithatë kishte gjithmonë kohë për debate të gjata intelektuale. Godard do t’i kthehej gjithmonë militarizmit dhe imperializmit, fajit dhe turpit francez për luftën, hijes së tmerrshme të kampeve të vdekjes dhe natyrisht Vietnamit, asaj çështje kyçe të viteve 1960 që e dërgoi Godardin në një zabel radikal maoist dhe në një majtizëm prej të cilit kurrë nuk e ka marrë krejtësisht veten.
Unik midis kineastëve, ishte gjithashtu teoricien, kritik, mjeshtër i mendimit, eksperimental: kineasti i parë radikal në historinë e shkurtër të këtij mediumi që mendonte seriozisht se çfarë ishte kinemaja dhe çfarë nënkupton. Por, çuditërisht, Godardi nuk e çmonte kinemanë si formë arti në nismat e veta, por sillej sikur gjithçka kishte mbaruar. Fjalitë e fundit te “Weekend” (1967) thonë: “Fundi i tregimit – Fundi i kinemasë”. Në këtë aspekt ngjante paksa me kritikun letrar George Steiner, i cili në mënyrë kontroverse deklaroi se tragjedia ka vdekur ose se gjuha gjermane kishte vdekur.
Godard u bë magjistar misterioz që donte të bënte jo filma po “kinema”, disi të çlironte tingullin dhe imazhin prej katër mureve kufizuese të ekranit të madh. U frymëzua shumë nga kritiku i madh André Bazin i revistës “Cahiers du Cinéma”, duke e filluar karrierën e tij si kritik në atë revistë të shquar; ishte themelues i lëvizjes së Valës së Re në kohën kur të kritikoje ishte të ndërhyje me vendosmëri në kinema dhe të bëje filma ishte të ndërhyje në vetë jetën. Kinemaja ishte kapje e realitetit.
Krahasimet janë të mëdha. Godard ishte gjyqtar i ashpër, Robespier i kinemasë ose një John Lennon – Paul McCartney ishte François Truffaut, ai shoku i butë dhe më komercial i Valës së Re nga i cili Godard do të shkëputet. Apo ndoshta Godardi ishte Sokrati i mediumit, duke besuar se nuk ia vlen një kinema e pashqyrtuar.
Filmi “Goodbye to Language”, diskursiv dhe enigmatik si gjithmonë, nga kritikët amerikanë u cilësua si filmi më i mirë i vitit 2014. Filmi i tij “Socialisme” (2010) ishte një tjetër kolazh imazhesh dhe idesh, që shfaqte njerëzit në pushim: pa shtetësi, të tjetërsuar. Për mua, te këta filma të mëvonshëm lentet e kamerës së Godardit janë pothuajse si një teleskop shumë i fuqishëm. Duket se qeniet njerëzore i shikon nga larg, ndoshta nga një planet tjetër.
Shumëkush hoqi dorë nga Godardi, ose u turpëruan nga adhurimi për ish-heroin e viteve 1960 i cili refuzoi të shiste, ose të rritej, ose të bënte filma komercialë, ose të lëvizte djathtas, por vazhdoi me të njëjtën ashpërsi të vjetër: paçka që politika e tij seksuale nisi të dukej trogloditike dhe urrejtja e tij për Izraelin ndonjëherë dukej se kalonte në antisemitizëm.
Për shumëkënd, kryevepra e tij pas “Breathless” është projekti epik i dokumentarit me tetë pjesë “Histoire(s) du Cinéma” (1988-1998) – një kolazh jashtëzakonisht ambicioz, me të cilat Godard krijon peizazh personal të kinemasë, një vepër të dashurisë sinefile.
Pra, nuk ka dhe nuk ka qenë askush si Godardi dhe humbja e tij e bën këtë ditë të zymtë. Është ditë për të parë “Une Femme Mariée” për të kujtuar se sa emocional dhe seksi ishin filmat e tij.