Katër koncerte do të zhvillohen këtë muaj të parë të vitit në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Koncerti i parë është ai i datës 10 janar me titull “Not’te da Oscar”. TKOB shprehet se kalendari artistik- janar 2023 sjell ndërmend gjurmët e kompozitorëve të mirënjohur botëror të muzikës klasike. “Me 4 premiera në koncerte simfonike, 5 solistë në violinë, piano, flaut e violonçel dhe me kryeveprat klasike të Mozart-it Tchaikovsky-t, Prokofiev-it, Shostakovich-it, etj. Ju mirëpresim në teatrin e përjetimeve!” bën me dije vetë institucioni. Në datën 10 janar për publikun do të zhvillohet koncerti i Orkestrës Simfonike të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit “Not’te da Oscar”. Ky koncert pritet që të jetë një udhëtimi përmes kryeveprave muzikore të kinemasë së shquar amerikane. Me kolonat zanore të sagës “Star Wars”, “Harry Potter”, “Schindler’s List”, “Superman”, “Home Alone”, “Pirates of the Caribbean” dhe shumë të tjerëve, për herë të parë në Shqipëri, orkestra simfonike e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, dirigjuar nga Giovanni Pompeo dhe ndjekur nga solisti në violinë, Ettore Pellegrino, sjell për artdashësit koncertin simfonik me krijimtarinë e ikonës së kulturës muzikore amerikane, John Williams. Veprat e kompozitorit amerikan John Williams janë interpretuar në mënyrë të përsëritur nga muzikantët e famshëm Yitzhak Perelman, Mstislav Rostropovich, Leonard Slatkin, Yo Yo Ma.
Koncertet e tjera në vijim të programit
Koncerti i dytë në kalendarin artistik këtë muaj të parë të vitit në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit është ai me titull “Klasikët në Opera” më datë 14 janar. “Klasikët në Opera” i sjell flautistja Enalda Gjoni dhe pianistja Etrita Ibrahimi, nën dirigjimin e Dritan Lumshit. Mbrëmja e datës 21 janar sjell për publikun në TKOB koncertin me titull “Një natë ëndrrash”. Një koncert simfonik vokal, ku do të interpretojnë sopranoja Ripatta Bufo dhe mezzosopranoja Vikena Kamenica, të shoqëruara nga Orkestra Simfonike e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Koncerti i radhës që vjen premierë këtë muaj për publikun është ai i datës 28 janar titulluar “Violonçeli misterioz”, me dirigjent Adriano Martinolli D’Arcy dhe solist në violonçel Petar Pej?i?. Programi artistik i muajit janar vjen me katër koncerte premierë, por në vijim vepra shqiptare dhe të tjera të huaja janë pjesë e kalendarit artistik të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Në dhjetor drejtoresha e TKOB Abigeila Voshtina gjatë prezantimit të kalendarit artistik u shpreh se përmban një program me synim rritjen e cilësisë artistike. Gjithashtu më parë drejtoresha Voshtina tha se teatri i bashkohet dhe institucioneve të tjerë në botë në shpalljen e 2023 si “viti Verdian”, ku nuk do të mungojnë dhe kryeveprat e këtij autori. Në ditët e fundit të dhjetorit solistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, si dhe artistë të ftuar ishin në skenë në grand gala-në e fundvitit “Aspettando Verdi”./sot.com/