Search
Close this search box.

Kalendari artistik i Teatrit Eksperimental me 6 premiera teatrore deri në korrik, do të ketë edhe workshop mbi dramën shqipe

Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” nga muaji mars deri në korrik do të ketë në skenë gjashtë premiera. Shfaqje për të rritur dhe për fëmijë, danc kontemporan, por një hapësirë do t’i kushtohet edhe work shop-it mbi dramën shqipe. Kalendari artistik përmban shfaqje të ndryshme, nuk mungojnë dhe bashkëprodhimet teatrore, por buxheti i Teatrit Kombëtar Eksperimental edhe për ketë vit do të jetë i njëjti. Siç ka ndodhur në 10 vitet e fundit, 8 milion lekë të reja do të jenë në funksion të sezonit të ri. Drejtori i teatrit Gjergj Prevazi një ditë më parë bëri me dije premierat teatrore, ku i pranishëm ishte dhe Jeton Neziraj drejtor i Qendrës Multimedia. Drejtori i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” Gjergj Prevazi u shpreh se sezoni nis me shfaqjen “Gruaja e thyer”. “Ky teatër është e rëndësishme të ketë një ofertë ndryshme. Këtë javë do të jetë premierë, një pjesë që është në kuadrin e Frankofonisë, një monodramë. Ne startojmë sot një projekt bashkëpunimi me Qendrën Multimedia dhe jemi në pritje dhe të Teatrit të qytetit të Gjilanit, që shpresojmë që shpejt do të na bashkohet me bashkëprodhim”, tha ai. Kalendari i TKES është i pasur, por buxhetet vazhdojnë të diskutohen për realizimet teatrore nga krijuesit. “Natyrisht që buxhetet nuk janë kurrë të mjaftueshme, do të gatuajmë me këtë që kemi përpara”, tha Prevazi. Dramaturgu dhe regjisori Jeton Neziraj drejtor i  Qendrës Multimedia vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit teatror, por shtoi se dhe në Kosovë krijuesit kërkojnë gjithashtu më shumë. “Situata është kjo që është dhe etja e krijuesve, e drejtuesve të institucionit do të ishte siç ka qenë permanente, dhe vazhdon të jetë në Kosovë insistimi për rrije të buxhetit”, tha Neziraj.

Kalendari artistik

Projektet e miratuara nga bordi artistik i TKEKS për periudhën mars- korrik 2023 janë “Teatri i Fantazisë” shfaqje teatrore për fëmijë produksion i këtij teatri. Autor dhe regjisor Endri Çela. Premiera u dha më 11 mars, reprizat në muajt mars, prill. Buxheti i akorduar 286,000 lekë. “Gruaja e thyer” (monodramë) bashkëprodhim i TKEKS me Ambasadën Franceze ne kuadër të frankofonisë 2023. Autore Simone De Beauvoir, interpreton Adriana Tolka, Regjia: Endri Çela. Premiera 24 mars, repriza të tjera gjatë muajve mars – prill 2023. Buxheti i akorduar 157,600 lekë. “Gadjo” (dramë) -bashkëprodhim i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivoli”, Teatrit të Qytetit të Gjilanit dhe Qendrës “Multimedia”. Autor Jeton Neziraj, regjia Blerta Neziraj. Premiera në Tiranë më 28 prill. 10 repriza në tiranë gjatë muajve prill- maj-tetor, 15 repriza në Kosovë. “Dieci Danze” (danc konteporan) – bashkëprodhim i TKEKS me koreografin italian Giulio De Leo dhe Albanian DanceTheater Co. Premiera në Tiranë më 5 prill. “Now you see her” (Tani keni sy për ta parë) (dramë) – produksion i TKEKS. Autore Lisa Karen, Raha Javanfar, Amy Nostbakken, Cheyennne Scot, Norah Sadova. Regjia Klaudia Piroli. Premiera 11 maj, repriza të tjera gjatë muajve maj – tetor 2023. Buxheti i akorduar 1,660,000 lekë. Workshop drama shqipe produksion i TKEKS “Workshop për dramaturgët e rinj” për Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Data e fillimit 27 mars. Buxheti i akorduar 300,000 lekë. “Gjirafat s’vallëzojnë dot”- dance teatër për fëmijë- produksion i TKEKS. Përshtatja dhe regjia Semela Skënderasi. Buxheti i akorduar 636,000 lekë.

Almanart