Opereta “Karnavalet” do të vijë si produksion i ri në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Kjo vepër do tërikthehet pikërisht në 95-vjetorin e lindjes së kompozitorit të madh Avni Mula. Opereta do të vijë në skenë nën regjinë dhe kujdesin e veçantë të sopranos Inva Mula, të bijës së Avni Mulës, i cili shkroi “Karnavalet” mbi komedinë me të njëjtin titull të Spiro Çomorës dhe libret të Luigj Gurakuqit. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shprehet se kjo vepër që pritet të vijë në skenë gjatë këtij muaji për publikun tingëllon e freskët. “Vepra e repertorit kombëtar e cilësuar si një nga më të çmuarat e këtij lloji, që i ka rezistuar kohës, madje tingëllon e freskët jo vetëm për nga tematika, por edhe nga rrjedhshmëria e melodive aq të dashura dhe të interpretuara me aq mjeshtëri nga trupa dhe solistët e Teatrit Kombëtar tëOperës dhe Baletit”, thuhet nga institucioni për këtë vepër që pritet të vijë në skenë. Vepra “Karnavalet” vjen në vijim të aktivitetit artistik gjatë kësaj kohe në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, ku nuk kanë munguar dhe koncertet e ndryshme për publikun. Në veprën shqiptare “Karnavalet” gërshetohet bukur linja e dashurisë, një humor i hollë i personazheve, “pazaret e krushqisë” dhe mënyra e të jetuarit elegante korçare, të cilat kanë lënë gjurmë të rëndësishme në kujtesën e kulturës artistike dhe sociale të shoqërisë sonë. “Kjo operetë do t’ju kthejë pas në kohë, por do të tingëllojë më e re se kurrë, pasi në vetvete ajo nuk ka kohë”, thuhet nga teatri për këtë shfaqje, që do të jetë në skenë.
Opereta shqiptare
Opereta shqiptare “Karnavalet” do të jetë për katër net me radhë në skenën e TKOB-së. Me regji nga Inva Mula opereta do të jetë në skenë mbrëmjet e datave 25, 26, 27 dhe 28 shkurt për publikun. Me Orkestrën Simfonike të TKOB-së, dirigjuar nga virtuozja, Elda Laro, me kostumografi të frymëzuar nga estetika e viteve ’30, kuruar nga Elva Bella, skenografi të Romeo Çanit, ku gërshetohet mahnitshëm realistja dhe surrealistja, video-artistit Black- Box Film, por sipas teatrit dhe me plot surpriza të tjera. “Këto mbrëmje s’do t’i harroni kurrë”, shprehet TKOB. Solistë në vepër janë Solen Alla, Shpresa Beka, Ivana Hoxha, Klodian Kaçani, Vikena Kamenica,Marina Kurti, Renisa Laçka, Armando Likaj, Nina Muho, Dorina Selimaj, Denis Skura, Ramona Tullumani, Artur Vera, Matias Xheli, Erlind Zeraliu, Kreshnik Zhabjaku. Dirigjent kori në vepër Dritan Lumshi, as.regjisore Ada Gurra. Avni Mula lindi në Gjakovë në vitin 1928. Studimet e larta muzikore i kreu në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës (1952-1957), ku u diplomua si këngëtar lirik. Karrierën artistike e nisi menjëherë mbas kthimit nga Moska si solist në Teatrin e Operës dhe Baletit, duke realizuar role kryesore të repertorit operistik të kohës, përmes së cilave u dallua për nivelin e lartë të zgjidhjeve muzikore-skenike. Avni Mula veprimtarinë krijuese e nisi në gjysmën e dytë të viteve ’60, fillimisht në fushën e këngës e të romancës dhe më pas si autor i veprave të mëdha vokale-koncertale, kantata, poema vokale dhe skenike, ku veçohen opereta “Karnavalet e Korçës” dhe opera “Borana”. Firmën e tij mbajnë edhe shumë këngë të muzikës së lehtë, mes të cilave “Valsi i lumturisë”.