Katër filma të kinemasë italiane do të shfaqen në Tiranë. Për publikun do të jetë një përmbledhje e filmave të përzgjedhur ndër kandidatët për çmimin “David di Donatello”, çmimi prestigjioz i Akademisë së Kinemasë Italiane, e cila çdo vit zgjedh filmat më të mirë italianë. Qendra Kombëtare e Kinematografisë shprehet në faqen e saj se për ekspozitën kinematografike të Tiranës u zgjodhën katër filma, të ndryshëm për nga zhanri dhe ndërtimi i mjedisit ku zhvillohen ngjarjet. ““Ariaferma” nga Leonardo Di Costanzo, çmimi për skenarin më të mirë dhe aktorin kryesor më të mirë; “I fratelli De Filippo” nga Sergio Rubini, një film që gjurmon historinë e dy autorëve të mëdhenj të komedisë napolitane; “Il materiale emotivo” nga Sergio Castellitto, bazuar në një skenar të Ettore Scola dhe “Freaks Out” nga Gabriele Mainetti, një rrëfim magjik dhe surreal në Romën e pushtuar të vitit 1943”, thuhet nga QKK, që ka publikuar një material mbi filmat që do të shfaqen nga data 28 deri më 30 mars në kinema Millennium në Tiranë, në italisht me titra në anglisht.
Italian Screens
Italian Screens është një iniciativë e krijuar për të prezantuar më të mirën e kinemasë italiane dhe promovohet nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, nga Cinecittà për Drejtorinë e Përgjithshme të Kinemasë dhe Audiovizionit, nga Ministria e Kulturës dhe nga Akademia e Kinemasë Italiane -Çmimet David di Donatello. Italian Screens përbën një mundësi tejet të rëndësishme për t’i bërë të njohur jashtë vendit protagonistët e kinemasë italiane, për të krijuar një audiencë që vlerëson produksionet e shkëlqyera të momentit, por edhe për t’i prezantuar operatorëve vendas më të mirën e asaj që sistemi audioviziv italian ofron për të, me qëllim inkurajimin e bashkëprodhimeve, rritjen e cilësisë profesionale të industrisë dhe ndërkombëtarizimin e kinemasë sonë. Ekspozita përfaqëson gjithashtu një mundësi mjaft të mirë network-u për të lejuar operatorët e sektorit të qëndrojnë në kontakt me ata që mund të ilustrojnë më së miri programin nxitës, në nivel kombëtar dhe rajonal, në mbështetje të produksionit për ata që realizojnë xhirimet në Itali. Pas ndalesave në Miami, Atlanta, Los Angeles, San Paulo, New Delhi dhe Berlin, nisma do të prezantohet në Tiranë nga data 28 deri më 30 mars në prani të institucioneve, disa prej figurave më të njohura të kinemasë shqiptare dhe të ftuarve specialë nga Italia, regjisorë dhe protagonistë të filmave që do të shfaqen. Nisma është pjesë e një projekti më të gjerë për thellimin e marrëdhënieve kulturore mes Italisë dhe Shqipërisë, organizuar nga Cinecittà për DGCA të Ministrisë së Kulturës, me qëllim inkurajimin e mundësive të takimit mes producentëve, distributorëve dhe krijuesve të të dy vendeve./sot/