Komedia “Dita më e bukur” këtë janar vjen në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. David Foenkinos një nga romancierët më në zë të momentit në Francë, ka shkruar edhe tri vepra teatrale e njëra nga ato është edhe komedia “Dita më e bukur”. Me regji nga Ledio Topalli dhe një kast aktorësh të njohur, që publiku i ka vlerësuar me aktivitetin e tyre artistik shfaqja teatrore rikthehet në skenë nga data 24 deri më 29 janar. Në rolet në komedi janë Gentian Zenelaj, Jorida Meta, Klodian Hoxha, Adelina Muça dhe Sheila Haxhiraj. Në komedi aktori i njohur Klodian Hoxha vjen me rolin e Pierrit. Ai thotë se këtë vit kjo është vepra e parë, që ai është në një skenë teatri. Aktori Klodian Hoxha thotë se komedia “Dita më e bukur” nga David Foenkinos është një vepër, që ka pasur më parë një interes të madh nga publiku kur u shfaq në skenë. ““Dita më e bukur” është një vepër shumë interesante. Një komedi fantastike. Jam shumë i lumtur që po e rikthejmë sërish shfaqjen për publikun kryeqytetas, sepse dhe më parë ka pasur një interes të jashtëzakonshëm. Ne me kastin edhe regjisorin e menduam për ta risjellë edhe një herë komedinë “Dita më e bukur” në skenën teatrore”, thotë aktori i njohur Klodian Hoxha. Në jetën artistike si aktor Klodian Hoxha ka role të ndryshme në teatër. Por këtë herë ai vjen me rolin e Pierrit, një personazh që siç thotë dhe vetë mezi po pret të jetë në skenë. “Përsa i përket personazhit është një karakter shumë i bukur edhe mezi po pres ta shijoj në skenë. Përsa i përket karakteristikave nuk gjej asnjë të përbashkët me rolin edhe kjo e bën sa të vështirë aq edhe më të bukur”, thotë aktori Klodian Hoxha.
Një vepër tërheqëse
Personazhe të skalitur dhe një dialog i shpejtë, inteligjent e plot humor, keqkuptime, personazhe që kanë zili jetën e njëri-tjetrit, e bëjnë këtë vepër shumë interesante dhe tërheqëse për publikun. Natalia gjendet në maternitet pasi sapo ka lindur fëmijën e saj të tretë, i cili është një djalë. Për bashkëshortin e saj Pierrin kjo është dita më e bukur e jetës së tij sepse është bërë me djalë, pasi ka pa pasur edhe dy vajza të tjera nga martesa me Natalinë. Ai fton Michelin mikun e tij më e mirë që ta prezantojë me djalin e tij, në maternitet. Por kjo vizitë nuk do të shkojë ashtu siç pritej, pasi Micheli do të vijë me dashurën e tij, Sofinë dhe shumë sekrete do të zbulohen gjatë kësaj vizite. Këto sekrete do të ndryshojnë krejtësisht jetën e personazheve të kësaj vepre teatrore. Një tjetër fenomen që prek kjo shfaqje është edhe përballja me të vërtetën. Humanë që kanë frikë të përballen me të vërtetën e si pasojë, krijohen shumë keqkuptime, por kur ata përballen me të e quajnë një vrasëse: “E vërteta është një vrasëse”. Skenografia në vepër Redi Preni, kostumografia Sofi Kara dhe as. regjior Lorenc Kaja. Vepra që është në skenë nga data 24 deri më 29 janar vjen në vijim të aktivitetit artistik, që ka nisur këtë vit në Teatrin Eksperimental./sot/