Search
Close this search box.

Komedia e trishtë “Profesionisti” vjen premierë në teatër, një vepër me mesazhe të forta

Komedia e trishtë “Profesionisti” me regji nga Leka Bungo do të shënojë premierën në skenën e teatrit “Petro Marko” në Vlorë. Shkruar nga autori Dusan Kovacevic vjen në skenë një vepër, që ka mesazhe dhe i flet kohës dhe së kaluarës. Leka Bungo me këtë vepër pas 56 vitesh rikthehet në skenën e teatrit të Vlorës si regjisor. Në role janë aktorët Viktor Zhusti, Astrit Hasani, Artan Islami dhe Matilda Avudli. Shfaqja do të jetë premierë mbrëmjet e datave 14 dhe 15 janar. Regjisori i njohur Leka Bungo tregon se në këtë komedi të trishtë janë probleme me të cilat përballet shoqëria shqiptare sot. “Në veprën “Profesionisti” publiku do gjejë problemet më të mprehta, siç është çështja e hapjes së dosjeve të sigurimit të shtetit. Një nga problemet më akute për Shqipërinë, për ligjshmërinë, etj. Kjo vepër ngërthen pikërisht në qendër të saj një nga ato problemet se si në regjimin komunist përndiqeshin nga sigurimi nga agjentura e fshehtë e shteteve komuniste njerëzit e ndershëm. Dhe kjo është edhe ajo që përbën boshtin dramaturgjik rreth të cilës sillen ngjarjet e kësaj vepre, të cilën autori e quan komedi të trishtë”, tregon regjisori Leka Bungo. Shkruar nga autori Dusan Kovacevic dhe me regji nga Leka Bungo kjo është dhe vepra e parë premierë këtë vit në skenën e teatrit të Vlorës. Regjisori Bungo thotë se nëpërmjet kësaj vepre ai sjell në kujtesë të gjithë terrorin psikologjik, që kanë përjetuar njerëzit në sisteme komuniste nga aparatet e sigurimeve siç kanë qenë të gjitha njëlloj, diku më pak e diku më shumë. “Kanë qenë nën territorin e këtyre instrumenteve të fshehtë, sepse nëpërmjet tyre është mbajtur dhe diktatura”, thotë regjisori. Për regjisorin Leka Bungo, Dusan Kovacevic është një nga autorët më në zë të Europës, nga i cili në Shqipëri janë vënë dhe të tjera vepra më parë.

 Puna me veprën teatrore

Regjisori Leka Bungo thotë se në veprën teatrore “Profesionisti” spektatori do të shohë një teatër të vërtetë. Ai thotë se “Profesionisti” është një vepër, që përcjell mesazhe te publiku. “Në veprën që ne po vëmë në skenë unë kam parë diçka ndryshe, sepse vepra është e një natyre filozofike dhe psikologjike. Një vepër serioze, me dinjitet që spektatori do shohë teatër të vërtetë. Vepër që ka mesazhe dhe që i flet kohës, i flet të kaluarës”, tregon Bungo. “Profesionisti” është produksion i teatrit të Vlorës “Petro Marko”, ku aktori Viktor Zhusti është i ftuar dhe luan rol kryesor. Regjisori Leka Bungo tregon se kjo është vepra e parë teatrore që vë këtë vit në skenë. “Por unë kthehem në Vlorë pas 56 vitesh si regjisor me një vepër. Kur unë isha 24 vjeç jam emëruar në Vlorë 56 vjet përpara dhe kam vënë dramën e parë në skenë. Tani pas 56 vitesh vij për të vënë këtë vepër. Vënia e veprës në teatrin “Petro Marko” përveç dëshirës sime gjeti mbështetje reale dhe te kryetari i Bashkisë së Vlorës, që na hapi dyert dhe në mënyrë të veçantë drejtori dhe prapavija e teatrit janë sjellë në mënyrë perfekte, gjë që ne nuk e prisnim dhe kemi gjetur një atmosferë të mrekullueshme”, tregon regjisori Leka Bungo. Skena dhe kostumet  janë nga Drini Shehu, efektet dhe formulimi muzikor Artur Dhamo. “Profesionisti” një komedi e trishtë e sjellë me mjeshtëri nga një kast aktorial i shkëlqyer pas skenës së Vlorës pritet të jetë dhe në Tiranë për publikun./sot.com/

Almanart