Koncerti “Violonçeli misterioz”, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit

“Violonçeli misterioz” është këtë janar në programin muzikor të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Në vijim të koncerteve, që janë shfaqur deri tani, koncerti i radhës është mbrëmjen e datës 28 janar. Një koncert që vjen me muzikën e autorëve të njohur botërorë. Njëjtë siç kompozoi Tchaikovsky suitën nr. 4 Mozartiana, apo Shostakovich-i koncertin nr. 1për violonçel, apo siç shkroi Prokofiev-i simfoninë nr. 1, e po njësoj, orkestra simfonike e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, dirigjuar nga maestro italian, Adriano Martinolli D’Arcy, dhe violonçelisti Petar Pej?i? do të krijojnë magjinë e mistershme në skenën e TKOB-së, me koncertin simfonik “Violonçeli misterioz”. “Thonë se violonçeli të jep ndjesinë e të pasurit dikë pranë, i cili kompozon për ty melodinë më të bukur! “Violonçeli misterioz” ka shumë mistere për t’ju zbuluar, ndaj ejani në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit!”, thuhet për këtë koncert që vjen në vijim të aktiviteteve, që janë zhvilluar këtë muaj të parë të vitit në këtë institucion të artit dhe kulturës. Pyotr Ilyich Tchaikovsky ishte një kompozitor rus i periudhës romantike. Ai ishte kompozitori i parë rus, muzika e të cilit do të linte një përshtypje të qëndrueshme ndërkombëtarisht. Dmitri Shostakovich ishte një kompozitor dhe pianist rus, i cili u bë i njohur ndërkombëtarisht pas premierës së Simfonisë së tij të Parë në 1926 dhe u konsiderua gjatë gjithë jetës së tij si një kompozitor kryesor. Sergei Prokofiev si krijues i kryeveprave të njohura në shumë zhanre muzikore, ai konsiderohet si një nga kompozitorët kryesorë të shekullit të 20-të.

 Programi artistik në janar

Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shprehej më parë këtë muaj se kalendari artistik- janar 2023 sjell ndërmend gjurmët e kompozitorëve të mirënjohur botëror të muzikës klasike. “Me 4 premiera në koncerte simfonike,  5 solistë në violinë, piano, flaut e violonçel dhe me kryeveprat klasike të Mozart-it Tchaikovsky-t, Prokofiev-it, Shostakovich-it, etj. Ju mirëpresim në teatrin e përjetimeve!” bënte me dije institucioni. Në datën 10 janar për publikun u zhvillua koncerti i parë orkestrës simfonike të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit “Not’te da Oscar”. Orkestra simfonike e TKOB-së dirigjuar nga Giovanni Pompeo dhe ndjekur nga solisti në violinë, Ettore Pellegrino solli për artdashësit koncertin me krijimtarinë e ikonës së kulturës muzikore amerikane, John Williams. Koncerti i dytë në kalendarin artistik këtë muaj të parë të vitit në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit ishte ai me titull “Klasikët në Opera” më datë 14 janar. “Klasikët në Opera” i solli flautistja Enalda Gjoni dhe pianistja Etrita Ibrahimi, nën dirigjimin e Dritan Lumshit. Mbrëmja e datës 21 janar solli për publikun në TKOB koncertin me titull “Një natë ëndrrash”. Një koncert simfonik vokal, ku interpretuan sopranoja Ripatta Bufo dhe mezzosopranoja Vikena Kamenica, të shoqëruara nga orkestra simfonike e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit./sot

Almanart