Search
Close this search box.

Konfirmohet falsiteti i dy letrave që shiteshin si të Dickensit

Dy letra të cilat mendohej se janë shkruar nga Charles Dickens në vitet 1850 janë tërhequr nga një ankand i ardhshëm pasi një akademik i hodhi poshtë ato si të falsifikuara. Dr. Leon Litvack, analist ekspert i letrave dhe dorëshkrimeve të Dickens, ka thënë për “The Guardian” se “shkrimi i dorës është i gabuar”. “Është nënshkrimi aty ku ndodh gjithmonë lëshimi. Unë kam letra nga e njëjta periudhë që do të vërtetojnë se këto janë falsifikime”, ka thënë ai.

Letrat datojnë më 29 mars të vitit 1855 dhe 13 nëntor të vitit 1858. Marrësit ishin dashuria e re e Dikensit, Maria Beadnell, me të cilën ai kishte rivënë kontakt dhe bashkëshorti i saj, Henry Louis Winter.

Marisë shkruesi i letrës i ofron një biletë për në teatrin “Adelphi”, teksa shton se mund të mos jetë vetë prezent, “teksa do të duhej të më përshëndesnin me fjalë mikpritëse”, që përfshin edhe punën në revistën e tij.

Teksa i shkruan bashkëshortit të saj, shkrimtari i drejtohet me fjalë miqësore për “telashin” e tij, një referencë indirekte për falimentimin e tij, që e kishte dërguar në gjykatë. Duke cituar Dikensin, letra thotë: “Unë shkruaj për t’ju siguruar simpatinë time në telashet tuaja. Lutuni që të mos ju shkaktojnë shumë probleme. Ajo që ju ka ndodhur u ka ndodhur me mijëra burrave të mirë dhe të nderuar … Jini të drejtë me veten tuaj dhe prisni për një kohë më të mirë.”

Litvack tha: “Në të dyja rastet falsifikimet përsërisin me saktësi tekstet e letrave të publikuara. Pra, falsifikuesi duhet t’i ketë parë ato”.

Si redaktor kryesor i “Charles Dickens Letters Project”, ai kontaktoi “Fonsie Mealy’s”, një shtëpi irlandeze ankandi, e cila kishte planifikuar t’i shiste ato të mërkurën, duke thënë: “Për mendimin tim profesional ato janë falsifikime. Shkrimi i dorës nuk është ai i Charles Dickens.”

Litvack ka kuruar ekspozitat e Dickens në institucionet kryesore dhe konsultohet nga shtëpitë e ankandeve për origjinalitetin e dorëshkrimeve që u janë dërguar.

Ai tha se falsifikimet “u shfaqën herë pas here” dhe shprehu habinë që dy letrat vlerësoheshin me një çmimi, i cili shkonte vetëm deri në rreth 900 euro. “Një letër drejtuar të dashurës së re të Dikensit duhet të kushtojë shumë më tepër se kaq”.

Ai ka thënë se vlerësonte që një tjetër letër e Dikensit, e cila i përkiste vitit 1860, ishte në fakt letra e vërtetë e tij. Ai tha: “Por shkrimi i dorës dhe nënshkrimi janë mjaftueshëm të ndryshëm nga këto falsifikime dhe shtëpia e ankandeve duhet ta kishte kuptuar vetë se këto letra nuk janë nga e njëjta dorë”.

Almanart