Kongresi i Lushnjës, 103 vjet më parë u ndalua copëtimi i Shqipërisë

103 vjet më parë, më 21 janar 1920 u shkrua një nga faqet më të rëndësishme të historisë shqiptare, u mblodh Kongresi i Lushnjës, i cili ndaloi copëtimin e Shqipërisë nga tentativat e fqinjëve për të ndarë Shqipërinë e për të zgjeruar territoret e tyre. Ishte pikërisht kjo ngjarje që ndaloi anarkinë në vend, e hodhi themelet e shtetit shqiptar e krijimit të institucioneve.


Në këtë përvjetor u përkujtua nderi, përkushtimi dhe vizioni i patriotëve shqiptarë, që përkundër egoizmit të tyre dhe konformimit me orekset e fqinjëve zgjodhën krijimin dhe fuqizimin e shtetit shqiptar.


Sot kjo ngjarje dhe mesazhi që na vjen nga një brez patriotësh që e krijuan dhe ruajtën këtë vend është më i gjallë se kurrë. Në veri kemi tentativat për të krijuar Jugosllavinë e Re, ndërsa në jug kemi ende një ligj lufte që nuk është hequr ende nga fqinji jugor, e për të cilin nuk dëgjojmë më asnjë fjalë nga qeveritarët tanë, të cilët deri dje përbetoheshin se do arrinin të hiqnin ligjin e luftës me fqinjët. E vetmja gjë që mungon sot është vetëdija e një klase politike, që të kuptojë se ky vend do duhet të jetojë e të ekzistojë edhe pas 100 vitesh të tjerë, ashtu siç na e lanë dikur etërit themelues të kombit.
Sot kemi vetëm një rrugë, të heqim kufijtë e egoizmit dhe të rinisim një rrugë të re të zhvillimit dhe prosperitetit, duke u bashkuar më së pari të gjithë shqiptarët bashkë, kudo ku ata jetojnë, e të zhdukim abuzimin, varfërinë e të ringjallim shpresën tek shqiptarët.

Mësimet e Kongresit të Lushnjës duhet të jenë një drejtim real për gjithë klasën politike, kudo ku shqiptarët jetojnë sot. /kult

Almanart