Search
Close this search box.

Krijimtaria e muzikore e autorëve të njohur shqiptarë në koncertin “Aromë gruaje”

Krijimtaria e muzikore e autorëve të njohur shqiptarë, por dhe hite të këngës botërore do të vijnë përmes koncertit “Aromë gruaje”. Një koncert që do të bëjë bashkë artistë të njohur nën drejtimin e dirigjentit Oleg Arapi, ku vjen krijimtaria e autorëve Avni Mula, Kujtim Laro, etj, si dhe këngë të tjera të njohura. Koncerti do të zhvillohet më datë 7 mars në sallën “Tonin Harapi” të Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tiranë dhe dirigjenti Oleg Arapi tregon se është një program muzikor i zgjedhur. “Në kuadër të festave të 7 dhe 8 Marsit, shoqata “SinfoArt” me mbështetjen e Bashkisë Tiranë, organizon koncertin “Aromë Gruaje” kushtuar mësuesve dhe nënave. Në program të koncertit janë këngë kushtuar mësuesit, nënës, gruas, si dhe hite të ndryshme të këngës shqiptare dhe asaj botërore. I ftuar special i koncertit, këngëtari Neptun Gjata, me banim në Itali”, shprehet ai. Në këtë koncert do të interpretojë sopranoja Nina Muho, violinisti Dalier Bulçari, i cili do të luaj kohën e III të koncertit për violinë të kompozitorit Pjetër Gaci, si dhe kori i fëmijëve i shkollës së “Kuqe”. Solistët do i shoqërojë Orkestra dhe Bendi Muzikor, në dirigjimin e dirigjentit Oleg Arapi. Në programin muzikor janë: Diodato: Che vita meravigliosa;  Tombe la neige: Salvatore Adamo; Bella- Cocciante canta Cocciante; Bar di mezzanotte: Alban Emiri; Kujtim Laro: Vala dhe Shkëmbi; Kur këndoj për nënën time e Avni Mulës, Valsi lumturisë -Avni Mula; Notre Dame de Paris- Belle: Cocciante, etj.

Artistët me aktivitet në skena shqiptare dhe të huaja

Sopranoja Nina Muho në aktivitetin e saj muzikor ka marrë disa çmime brenda dhe jashtë vendit. Ka realizuar disa role të para në Shqipëri dhe jashtë saj, në Teatro Lirico di Cagliari apo në operan “Giuseppe Verdi” -Trieste në role si “Violetta Valery” nga opera “La Traviata” e G.Verdit, Mimi nga opera “La Boheme” G. Puccini, Norina  te “Don Pasquale” G. Donizetti. Michaela nga opera “Carmen” e G.Bizet, etj. Nina Muho vazhdon aktivitetin artistik në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Shqipëri me vëmendjen maksimale solistike. Sipas dirigjentit Oleg Arapi, shumë premtuese si artiste e së ardhmes për një repertor të gjerë rolesh të para. Neptun Gjata ka marrë pjesë në koncerte e festivalet e ndryshme të qytetit të Vlorës, ku është nderuar me çmime. Ka kënduar me ansamblin “Labëria”, Pallatin e Kulturës, Estradën e Vlorës. Dirigjenti Oleg Arapi tregon se në 1991 emigron në Itali, por pasionin për këngën, muzikën popullore e lirike nuk e ndërpreu. “Ka marrë pjesë në shumë evente, në festivale e konkurse në Italinë e veriut”, shprehet mjeshtri Oleg Arapi. Neptun Gjata kohët e fundit ka marrë pjesë në festivalin “Bim Rumore Festival”, ndërkohë që është duke regjistruar një disk me këngë. Koncerti që do të zhvillohet së shpejti vjen në vijim të aktivitetit të dirigjentit Oleg Arapi, që ka dirigjuar koncerte me solistë shqiptarë dhe të huaj. Ka drejtuar formacione të ndryshme orkestrale në Avellino, Napoli , Salerno, Brindisi, Dibër të Madhe, Strugë, Prizren, Prishtinë, Sarajevë, në Katedralen Angleze, etj.

Almanart