Search
Close this search box.

Kryevepra e dhimbjes e quajtur Gernika

Guernica është një vepër arti e krijuar nga Pablo Ruiz Picasso e cila fillimisht u krijua për të shprehur tmerrin e Luftës Civile Spanjolle (1936-1939), por, me kalimin e kohës, e ka bërë atë kryeveprën më të mirë për të shprehur tmerrin dhe brutalitetin e luftës

“Artisti është krijues i gjërave të bukura,” shkroi Oscar Wilde. Por, tabloja Gernika, (1937) e piktorit spanjoll Pablo Picasso (1881-1973), nuk është e bukur, ajo është mizore dhe barbare.

Ajo është një tablo e vdekjes dhe errësirës së buruar prej lakmisë njerëzore. Dhe a janë vdekja dhe errësira të bukura?

Në fakt, vdekja është mungesa e jetës dhe errësira mungesa e dritës, por kjo vepër e vdekjes vlon me jetë dhe kjo pikturë e errët është plot dritë.

Një paradoks midis dy botëve.

Një betejë midis dy emocioneve të territ e dritës, në të cilën shikuesi dëgjon thirrjen që del prej saj se jeta është fitimtare, njeriu duhet ta dojë atë, dhe se i gjithë njerëzimi duhet të ecë në dritë e jo të vetëasgjesohet në luftë.

Arti si bukuri është veçse një iluzion, vetëm një refleks i fytyrave dhe atributeve të shumta të artit. Kjo vepër është një dokumentar, vajtim i një kombi, manifest politik e njerëzor, simbol i kubizmit dhe shkëlqimit të mendjes dhe penelit të Pablo Picasso.

Ajo nuk është e bukur. Ajo është një kryevepër e dhimbjes.

I madhi Oscar Wilde, ishte shkrimtar romantik, dhe artin e lidhte ngushtë me bukurinë, por ai u nda nga jeta në fund të vitit 1900, pak javë përpara fillimit të shekullit më gjakatar të njerëzimit, në të cilën shpërthyen dy luftëra botërore, dhe në të cilin vdiqën tri herë më shumë njerëz sesa të gjithë viktimat e luftës të marra së bashku në historinë e njerëzimit.

Kësisoj, për artistët e shekullit të njëzetë, arti nuk mund të ishte thjesht bukuri, por një pasqyrë dhimbje, vdekje, terrori, e mbi të gjitha një deklaratë e manifest i shkruar nga dora e njerëzimit.

Teksa shkelja me ngadalë mbi pllakat e hirta në muzeun Reina Sofia në Madrid, me t’u përballur me këtë tablo u drithërova i tëri.

Të gjithë vizitorët e mbanin frymën përpara kësaj vepre, si një homazh për jetët e shuara dhe qytetin bask të shkatërruar që frymëzuan artistin, por edhe si një reagim instinktiv përballë vdekjes.

Tabloja nuk ka ngjyra.

E gjitha është e pikturuar me vaj në kanavacë me ngjyrë të zezë, gri, dhe të bardhë, me dhjetëra tonalitete të hijes, e me përmasa 3.6 metra e lartë dhe 7.8 metra e gjerë.

Ajo është e mbushur me figura dhe simbolika të shumta. Por, kjo tablo e jashtëzakonshme është ndërtuar mbi një histori të dhimbshme.

Gernika është një qytet i vogël, në krahinën e Biskaj në territorin bask të Spanjës.

Gjatë Luftës Civile Spanjolle 1936-1939, ajo konsiderohej si bastioni verior i lëvizjes republikane të rezistencës dhe epiqendra e kulturës baske, por kjo nuk ia shtonte rëndësinë atij qyteti si objektiv për sulm shkatërrimtar.

Gernika ishte vetëm një qytezë e zakonshme, por eksperimenti i shkatërrimit që ishte planifikuar për të e tejkalonte mëshirën dhe integritetin njerëzor.

Gjatë Luftës Civile Spanjolle forcat republikane përbëheshin nga fraksione të ndryshme (komunistë, socialistë, anarkistë etj.) me qasje të egra e të ndryshme ndaj qeverisë dhe rezultateve që kërkonin, por ata kishin një kundërshti të përbashkët ndaj nacionalistëve.

Këta, të udhëhequr nga gjeneral Francisco Franco, ishin gjithashtu të fraksionuar por në një masë më të vogël.

Ata kërkonin një kthim në ditët e arta e të lavdishme të Spanjës, shtetin ligjin, rendin dhe vlerat tradicionale të familjes katolike, dhe ishin të vendosur t’i arrinin ato përmes dhunës e luftës.

Rreth orës 16:30, të hënën, më 26 prill 1937, luftëtarët e legjionit gjerman Condor, të komanduar nga koloneli Wolfram von Richthofen, bashkë me forca italiane të Musolinit, bombarduan Gernikën për më shumë se tri orë.

Avionë me fluturim të ulët hodhën bomba e qëlluan me mitralozë edhe banorët e fshehur nëpër ara. Gjermania, në atë kohë e udhëhequr nga Adolf Hitler, u kishte dhënë mbështetje materiale nacionalistëve dhe po e përdorin luftën si një mundësi për të testuar armët dhe taktikat e tyre të reja.

Operacioni i bombardimit i hapi rrugën gjeneralit Franco të merrte Bilbaon duke siguruar fitoren e tij në Spanjën veriore.

Qyteza e Gernikës nuk kishte ndonjë vlerë ushtarake të madhe në vetvete, dhe bombardimi ishte thjesht një ushtrim ushtarak për të testuar përdorimin e bombave te civilët e pambrojtur.

Bota nuk kishte përjetuar kurrë më parë një shfarosje masive të pafajshme këto mënyra, me këto përmasa dhe për qëllime të tilla mercenare.

Atë ditë rrugët ishin përplot me banorë të qytetit dhe fshatarë të ardhur nga rrethinat. Asnjëherë më parë në luftën moderne nuk kishte patur masakër të njerëzve në numër të tillë dhe me mjete të tilla.

Ka ende debate mbi numrin e saktë të viktimave, flitet për rreth dy mijë njerëz, por një sulm ushtarak mbi një popullatë civile indinjoi mbarë opinionin publik ndërkombëtar, dhe artistët nisën ta demonstronin indinjatën dhe furinë e tyre përmes pikturave, veprave letrare dhe muzikore.

Në këtë tablo vërehet në mënyrë të menjëhershme se të gjitha figurat shohin në të majtë. Duket se ato i apelojnë shikuesit të shohin majtas, si burimi i vetëm i shpëtimit dhe çlirimit.

Picasso shquhej për pikëpamjet e tij politike komuniste, dhe ai mbeti besnik ndaj komunizmit deri në ditën e vdekjes, ndaj kjo thirrje e dukshme për t’u drejtuar nga e majta si zgjedhja më e mirë për një komb duket qartë përmes drejtimit dhe lëvizjes së figurave.

Në këtë vepër gjenden gjashtë njerëz, tri kafshë, një bimë dhe një dritë. Figura qendrore e tablosë është kali, simbol i mishërimit të vuajtjeve.

Një njeri mund të ushtrojë vullnetin e tij, të lehtësojë dhimbjen e tij; një kafshë është e pafuqishme në mëshirë. Picasso foli për kalin si përfaqësues i popullit, ndaj në trupin e kalit vërehen shumë vija, të reshtuara si gurë varresh, një homazh për viktimat. Secila vijë simbolizon një jetë të shuar.

Dhe dallohet në plan të parë një plagë, një e çarë në qendrën e trupit të kafshës, si një goditje vrastare për një komb.

Në qendër, piktura e Picassos ka në tërësi një kornizë letrare që përmban skica nga “i çmenduri” i Niçes [Friedrich Nietzsche], në disa koncepte të veprave të tij, dhe nga mitet e Perseut, Pegazit dhe Meduzës.

Mbi tablo bie një dritë e thyer, gjendet një grua me llambë, dhe ndonëse disa pjesë janë të shpërbëra, vërehet një trup i zbërthyer në fund.

Në kompozim vërehen tragjedi të mëdha njerëzore si një nënë duke i klithur me dhimbje qiellit me fëmijën e pajetë në duar, apo figura në të djathtë kërkon shpëtimin nga rrënojat, por edhe motive të marra nga letërsia, krishterimi dhe mitologjia, të cilat janë ndërthurur me tragjedinë e Gernikës.

Picasso zgjodhi të përdorte titullin e veprës së Niçes, Lindja e tragjedisë nga fryma e muzikës.

Ai krijoi një instrument muzikor me krahë. Instrumenti muzikor me krahë është një lahutë. Por Picasso bën një kthesë e trillim nga filozofi egzistenacialist.

Forma e hapur trupore është syri i Hitlerit dhe Hitleri është një kukull e së ligës.

Prandaj, tragjedia e shpalosur në këtë tablo të jashtëzakonshme nuk lind nga fryma e muzikës, por nga syri i së keqes që dallohet në krye të tablosë.

Si një shaman në një shpellë, Picasso transformon imazhet e tij.

Picasso ka marrë një titull nga Niçe, e cila ka të bëjë me lindjen e tragjedisë artistike dhe e ka shtrembëruar atë titull për të treguar se si lind një tragjedi njerëzore në jetën reale. Kënetat e vogla në anën e majtë të gërmimit përfaqësojnë vargjet muzikore.

Dy krahët e Pegasos shndërrohen në një valë; prandaj, manifestohet Shpirti i Muzikës. Pegazi simbolizon lindjen e jetës dhe Picasso jep mesazhin se edhe nga tragjedia mund të lindë jetë e re.

Në tablo shihet një grua që luan rolin e një burri. Shihet një fener në një dorë të çmendur. Gruaja me krahun e gjatë dhe llambën mund të jetë i çmenduri i Niçes me fanar i përshkruar në këtë pasazh:

A nuk keni dëgjuar për atë të çmendur që ndezi një fener në orët e ndezura të mëngjesit, vrapoi tek tregu, dhe bërtiti vazhdimisht: “Unë kërkoj Zotin! Kërkoj Perëndinë! “… Ku është Perëndia? … Po ju them që e kemi vrarë – ti dhe unë. Të gjithë ne jemi vrasësit e tij.

Dora e stërgjatur që mban fenerin e drejtuar nga syri në krye të tablosë është arsyeja e cila kërkon të mësojë të vërtetën, kërkon të kuptojë arsyen e lindjes së kësaj tragjedie, dhe për më tepër, t’i tregojë shikuesit se ai syri i ligë në krye është shkaktari i luftës.

Një figurë tjetër që zë një vend të rëndësishëm në tablo dhe tërheq vëmendjen e shikuesit është demi.

Ai duket i tërbuar; me hundën duke shfryrë dhe bishtin duke e rrahur. Tërbimi dhe kafshëria shpalosen dukshëm përmes demit.

Lufta me dema është një ndër elementët më të rëndësishëm zakonor e traditor në Spanjë.

Dhe kjo kafshë manifestohet në shumë vepra të Picassos dhe artistëve të tjerë spanjollë por edhe më gjerë, siç ishte Ernest Hemingway i cili u tërhoq dhe u magjeps nga ajo traditë. Demi si shpirti i Spanjës.

Kjo vërehet në këtë tablo e tashmë njihet ndërkombëtarisht.

Shumë popuj të botës e kanë të mitizuar këtë kafshë. Ne e dimë nga historia se demi ishte kult adhurimi si tek hebrenjtë e rebeluar ndaj Jehovës ashtu si kafshë sakrifice në Mesopotami, Romë, e vende të Mesdheut.

Në Greqinë e lashtë demi mori një transformim dhe domethënie të re përmes Minotaurit, një përbindësh me trupin e një njeriu dhe kokën dhe bishtin e një demi.

Minotauri ishte pasardhësi i mbretëreshës së Kretës Pasifa dhe një demi madhështor. Tek Gernika demi ka formën e germës H, e cila mund të jetë referim për Adolf Hitler, pra një krijesë përbindëshe, një shartim midis bishës së huaj Hitler dhe njeriut vendas Franco.

Një përzierje njeriu dhe kafshe që shfaqej shpeshherë si tematikë në artin surrealist, dhe që manifestohej natyrshëm prej shekujsh në traditën spanjolle të luftës me dema.

Një komb tjetër mund ta shohë si barbarizëm traditën e luftës me dema pasi nuk arrin dot ta perceptojë njësimin e bishës me njeriun, vdekjes me dashurinë, vrasjes me fisnikërinë, arkaizmin me instinktin modern, dhe pasionin kafshëror për jetën.

Pasi dola i tronditur nga muzeu Reina Sofia, me goditjen emocionale që më kishte dhënë Gernika, disa orë më vonë u ula në shkallët e Plaza del Toros të Madridit për ta përjetuar vetë këtë koncept të shartimit midis jetës dhe territ, e shpalosur si vdekje fisnike, e për të kuptuar më mirë afeksionin e Picasso, Hemingway, dhe Francisco Goya, me atë simbol të traditës dhe vetë zemrës spanjolle.

Dhe me të nisur ndeshja, unë nisa të kuptoja dhe të cekja brenda vetes përzierje emocionesh të pa përjetuara më parë. Matadorët, pikadorët, dhe bandarillerot përballë një bishe që duhej vrarë me fisnikëri.

Një demi që, pavarësisht përfundimit të ndeshjes, ishte gjithnjë heroi dhe viktima, fisniku dhe bisha.

Disa turistë anglezë u ngritën dhe u larguan të tronditur duke thirrur me zë të lartë: barbarizëm, ky është barbarizëm, por spanjollët nuk ua vunë veshin pasi ata kishin gjak tjetër në arteriet e tyre mesdhetare.

Kur bisha lëshoi frymën e fundit nën goditjen e vetme e fisnike të matadorit, të gjithë spektatorët u ngritën në këmbë duke duartrokitur heroin e gjallë dhe bishën e vdekur, dhe u dëgjuan trumbetat, dhe një karrocë e artë u duk në arenën me rërë, dhe litarë lidhën brirët e demit me karrocën, e ajo nisi ta tërhiqte demin në forma rrethore, si homazh për atë sakrificë që lidh njeriun me të përtejmen.

Dhe unë aty kuptova se çfarë kuptimi kishte në të vërtetë ajo kafshë për atë komb, dhe përse Picasso duhet ta pikturonte patjetër në kryeveprën e tij. Ndaj edhe vetë Picasso u shpreh në një intervistë se “demi është brutaliteti dhe errësira.”

Ashtu si figurat e tjera në këtë vepër, demi shikon majtas, por hija e tij është më shekullore, pasi vërehet syri i tretë, ai syri i lashtë egjiptian i ndjesisë së gjashtë që shërben si një urë minotareske midis jetës dhe të nëndheshmes, dhe demi duket se përveç mitit kombëtar dhe hijes hitleriane, prezanton edhe rrugën e ferrit.

Te vepra Komedia Hyjnore, Dante dhe Virgjilli hynë poshtë dhe në të majtë në zbritjen e tyre në ferr.

Ndaj, shoqëruar me stigmatën e vizatuar në dorën e njeriut të shtrirë, luftëtarit me shpatë të thyer porsi një hero e martir pa lavdi, ferri dhe kryqëzimi i Krishtit prezantojnë dualitetin e qenies njerëzore, atë të humbjes dhe sakrificës.

Shenja e stigmatës, njeriu i shtrirë me krahë të hapura në formë kryqi, gjendet te vepra Dita e Tre Majit, 1808 e Francisco Goya, ndërsa gruaja që shtrëngon fëmijën e gjendet te Pasojat e Luftës e Paul Rubens.

Picasso ndërthuri elementë të këtyre dy veprave ikonë të tmerrit të luftës, për të treguar se ja cilat janë pasojat e luftës, pavarësisht shekujve dhe popujve. Lufta vret. Lufta është terror.

Lufta është vdekje.

Kjo vepër është një provokim simbolik, një dokumentar tragjik, por edhe një mesazh i fortë indinjate dhe zemërimi personal.

Në fillim të luftës civile, Picasso ishte emëruar drejtor i muzeut Prado në Madrid, ndonëse vetë jetonte në Paris.

Dhe kur mësoi për bombat e rëna në muzeun e Prado, në shtëpinë e kryeveprave dhe thesarin e artit spanjoll, ai u inatos shumë me luftën dhe me gjeneralin Franco i cili kërkonte ta shkatërronte totalisht muzeun Prado.

Ndaj artisti bëri me dhjetra e dhjetra vizatime parapërgatitore për tablonë Gernika, të mbushura me mllef dhe indinjatë.

Ai e punoi atë në studion e tij në Paris e cila u zu e gjitha nga ajo telajo gjigande, e Picasso duhet të përdorte shkallë për të punuar mbi të. Vepra përfundoi brenda dy muajsh dhe u ekspozua në pavionin spanjoll në Paris ku ndryshe nga ç’mund ta imagjinohet sot mori kritika pa fund dhe nuk u pëlqye aspak nga kritikët e artit.

Por pas luftës civile spanjolle, lufta mori përmasa globale, e u kthye në Luftën e Dytë Botërore, dhe tabloja Gernika nuk ishte më vetëm simbol i tragjedisë së një populli, por i gjendjes së mjerueshme dhe vdekjes që kishte zaptuar të gjithë botën.

Ajo tablo nuk ishte më vetëm një telajo gjigande e stilit kubist, e formave tri dimencionale, e mendimit futurist, por ishte një fakt real, që e gjithë bota po e prekte.

Ndaj Gernika u bë fytyra e vërtetë e realitetit ku gjendej bota, dhe ajo, bota, nisi ta shihte dhe ta vlerësonte ndryshe.

Bashkë me artistët dhe njerëzit e mëdhenj lindin edhe histori e legjenda të mëdha, në të cilat padyshim protagonistët janë vetë këta njerëz.

Picasso ka shumë të tilla, por ndër më të njohurat është ajo ndodhi, gjatë një dimri të ftohtë të vitit 1941, ku teksa punonte në studion e tij në Paris, Picasso pati një vizitë kontrolli, por edhe admirimi për mjeshtrin, nga disa ushtarë gjermanë të Gestapos, të cilët, teksa vërtiteshin nëpër studio duke pipëtuar punët e tij, vunë re disa kartolina të riprodhuara nga vepra Gernika, të shpërndara mbi tavolinë.

Një oficer e mori në dorë njërën prej tyre dhe e pyeti mjeshtrin, “Ju e keni bërë këtë? Jo,” u përgjigj Picasso, “nuk e kam bërë unë, e keni bërë ju. Merreni një kartolinë. Merreni si suvenir për masakrën që bëtë.”

Picasso e la në testament që Gernika nuk duhej të kthehej në Spanjë për aq kohë sa Franco ishte në pushtet dhe derisa vendi të drejtohej nga një qeverisje demokratike. Ndaj në vitin 1981, tetë vite pas vdekjes së Picassos, pas dyzetë vitesh në mërgim, kryevepra u kthye nga banesa e saj në Nju-Jork për në Madrid.

Kjo vepër tashmë është bërë simbol i terrorit të luftës, i dhimbjes njerëzore dhe dhunës ndaj jetës. Ajo është kartolinë e çdo lufte anë-e-mbanë botës, madje ajo kapërcen edhe kohërat, duke simbolizuar si humbjen njerëzore në luftrat arkaike ashtu edhe ato moderne. Ajo flet edhe në ditët e sotme, dhe mbetet tabloja më demaskuese apo e padëshiruar nga zotët apo pionerët e luftës.

“Nuk i takon piktorit të përcaktojë simbolet,” u shpreh Picasso kur u pyet për të shpjeguar këtë vepër të famshme.

“Publiku që shikon figurën duhet të interpretojë simbolet ashtu siç i kupton ato.” Kur ne e shohim këtë vepër zbulojmë frikërat tona më të fshehta, por edhe arrijmë në një mendje se Gernika na tregon se nuk ka asgjë të re nën diell.

Se luftrat e kanë shoqëruar njeriun që në zanafillën e tij, dhe se terrori ka përndjekur të gjithë epokat, por Gernika do të mbetet gjithmonë një ikonë anti-luftë, anti-terror, për t’i kujtuar çdo njeriu e çdo jetëmarrësi se çfarë fytyre ka vdekja.

Almanart