“Kubi i arratisjes” shpalos në Tiranë ditarin e Dritëro Agollit

“Arratisje në Kohëjetë”  titullohet ekspozita në qendër të Tiranës dedikuar kolosit të letrave shqipe, Dritëro Agolli. Është një ekspozitë e parëndomtë.   Vjen nëpërmjet një kubi të vendosur në “Parkun Rinia”, mbi të cilin projektohen imazhe duke i zhytur vizituesit në artin grafik me teknologjinë e artit imersiv. Mbi kub shfaqet një ditar hologramik me data të rëndësishme të jetës dhe veprës së Dritëro Agollit ( 13 tetor 1931 – 3 shkurt 2017) nga rrugëtimi i tij i pasur si gazetar, poet, shkrimtar, politikan, në kohë e mosha të ndryshme.

“’Kubi i arratisjes’, në ‘Parkun Rinia’, nisi mbrëmjen e datës 28 mars me një parahapje me vizitorë të rëndësisë së veçantë, si fëmijët me aftësi ndryshe të Institutit të nxënësve që nuk dëgjojnë”, ka raportuar Agjencia Telegrafike e Lajmeve. Ka vijuar pasditen e së premtes, në prani të lexuesve, dashamirësve të letërsisë dhe në datën 30 mars, me pjesëmarrjen e shkollës nëntëvjeçare “Dritëro Agolli”, duke vijuar pasditja përmbyllëse të dielën e 31 marsit, me praninë e gjimnazistëve të “Sami Frashërit”.

“Performanca vjen përmes lojës së dritave dhe siluetave e njëkohësisht të pranishmit do të mund të dëgjojnë edhe regjistrime audio të shkrimtarit të madh duke  recituar poezi të tij”, shkruhet në njoftim.

Almanart