Search
Close this search box.

Kur George Orwell shiti të drejtat e ‘1984’ për një palë këpucë

Një botues amerikan, i fitoi të drejtat e kryeveprës “1984” George Orwell, në këmbim të një palë këpucëve numër 47 dhuruar shkrimtarit anglez të ndarë nga jeta në vitin 1950, në moshën 46-vjeçare.

Lajmi bëhet i ditur nga mediet ndërkombëtare, bazuar në disa letra të papublikuara më herët dhe të zbuluara nga Peter Harrington, një tregtar londinez i librave antik. Letrat në tetorin e ardhshëm do të dalin në panair në Frieze Master.

Romancieri kishte kaluar një sërë peripecish për të përfunduar “paralajmërimin” e tij distopian kundër totalitarizmit. 

Përshkrimet që ai sjell për mbikëqyrjen e sistemit zënë vend edhe sot, duke mbetur si “fotografi e së ardhmes” që Orwell bëri përmes letërsisë.

Por në një dyfaqësh letër të vitit 1948, kur situata e pasluftës në Britani ishte kritike, gjetja e një palë këpucësh në përmasat e tij (nr 47) duket se ishte një shqetësim serioz për autorin. 

I sëmurë rëndë prej turbekulozit ai i nis nga spitali letrën Robert Giroux, redaktorit dhe botuesit me ndikim të librave në SHBA, duke shkruar:

“Përveç mungesës së kuponëve, nuk mund të merrja asnjë palë këpucë në madhësinë time (nr 47) këtu”.

Orwell shkruante se i kishte kërkuar botuesit të tij anglez Fredric Warburg (themeluesi i Secker & Warburg, i cili gjithashtu botoi Fermën e Kafshëve të Orwellit në 1945) t’i blinte këpucë, kur ai të vizitonte Amerikën.

Këpucët dhuratë, Orwell, do t’i merrte nga shtëpia botuese “Harcourt, Brace & Company” ku Giroux ishte redaktor i nivelit të lartë. Dhe kjo do të ndikonte për të siguruar marrëveshjen për botimin. Agjenti letrar i shkrimtarit i shiti të drejtat te Brace, që do ta botonte atë në qershor të vitit 1949.

Në një letër që pason, Orwell, pas marrjes së dhuratës, shkruante se donte të falënderonte personin e duhur për “mirësinë e madhe”.

“Ato janë këpucë të shkëlqyera dhe besoj do lumturoheni të dëgjoni se më përshtaten, ndonëse me muaj kam qenë ‘i lidhur’ pas shtratit në spital dhe nuk i kam veshur ende”.

Shëndeti i dobët e kishte detyruar Orwell të largohej nga shtëpia e tij në ishullin Jura dhe në nëntor 1947 ai u shtrua në spitalin “Hairmyres” në Lanarkshire,të specializuar në problemet e mushkërive. Më tej në letër Orwell thotë se është i sëmurë rëndë.

“Me trishtim them se vuaj nga turbekulozi që nga nëntori i kaluar, madje mendoj që nga fillimi i vitit 1947”, shton më tej, duke theksuar se shëndeti nuk e lejon të bëj thuajse asgjë serioze.

Libri “1984” do të bëhej një nga romanet më domethënës të shekullit të kaluar. /La Repubblica/si/

Almanart