Një prej personaliteteve më të njohura, Dritan Çelaj, ka ekspozuar për herë të parë në një ekspozitë, pikturat e tij të cilat janë realizuar si një pasion i jetës ku siç shprehet ai, “në hapësirën intime ku është shprehur vetja”.
Që prej vitit 2000 kur nisi të krijonte, Çelaj ka realizuar më shumë se 400 tablo kryesisht duke ushtruar ekspresionizëm me teknikën e vajit. Ajo çfarë i karakterizon pikturat e tij është energjia pozitive, freskia që vjen si rezultat i ngjyrave të ftohta që përdor, por
që shpesh i balancon me simbole të theksuara me ngjyra të ndezura. Nuk mungojnë portretet e trajtuara shpesh me një lloj brishtësie që e karakterizojnë punën e tij, përgjithësisht intuitive. Çelaj nëpërmjet pikturës së tij, ka arritur të gjejë vlera tek arti dhe prania me artin. “Gjithë filozofia që unë kam kuptuar është të shijosh gjërat e vogla. Nëse i japim vlerë gjërave të përditshme dhe gjërave të vogla që bëjmë, e gjithë jeta jonë merr vlerë dhe jeta e shoqërisë merr vlerë”.
Drejtori i Galerisë, Abaz Hado është shprehur se kjo është një nga ekspozitat më të bukura të hapura deri tani. “Unë kur kam parë këto materiale kam thënë “wow” dhe nuk është një reagim që e bëj shpesh, për mua kjo ekspozitë është një befasi “. Ai ka shtuar se natyrat e qeta janë trajtuar me një mjeshtëri e cila është për tu admiruar.
Ashtu si pjesa më e madhe e personave që krijojnë të përcjellin diçka nëpërmjet pikturës, edhe Dritan Çelaj e nisi fillimisht me peizazhin, për të provuar më tej veten në realizimin e portreteve me gjithë kompleksitetin e tyre, e për të ardhur më
pas deri në trajtimin me detaj në veprat e tij, të mjediseve, ku do të gjente veten dhe territorin e duhur për të shpalosur më së miri artin e tij.
Megjithëse çdo periudhë ka treguar se një vepër arti merr jetë kur del jashtë studios, Dritan Çelaj ka zgjedhur që për vite me radhë e ti mbajë të pa ekspozuara punimet e tij, duke mos lejuar që publiku të ndjekë ato nga afër në ekspozitën “Allow Colors” ose “Lejo ngiyrat” e cila do të jetë në dispozicion të publikut, deri në fund të muajit Mars.
Kjo ekspozitë vjen si një rrëfim i përjetimeve të tij brenda tranzicionit të shoqërisë shqiptare në vite ndërsa kërkimi artistik i autorit, kalon përmes peizazhit dhe natyrës njerëzore duke trajtuar gjithë kompleksitetin e saj. Nuk mungon fuqia e imagjinatës, përballjet mes reales dhe surreales, apo prania e brendisë shpirtërore të vetë autorit. Një udhëtim i beftë nga përvojat e përditshmërisë deri në sekuenca të rralla të ruajtura në kujtesën e tij.
Duke e konsideruar pikturën si një mjet që shpreh kërkimin dhe takimin me botën, në punimet e Çelës shmangen tërësisht shenjat e gjykimit moral duke lënë kështu hapësirë që personazhet e pikturave të tij të jetojnë në harmoni me natyrën dhe rrjedhshmërinë e saj. Në ekspozitën e çelur në Galerinë e Artit që do të qëndrojë e hapur deri në fund të muajit Mars, morën pjesë shumë personalitete nga fusha të ndryshme, ku vlerësimet kanë qënë mjaft pozitive./ballkanweb/