“I pandehuri”
…Robert Servatiusi, avokat nga Këlni, i zgjedhur nga Ajhmani për ta pasur në patronazh dhe i paguar nga qeveria izraelite, deklaroi në një intervistë të dhënë për shtypin: “Ajhmani ndihet fajtor para Zotit, jo para ligjit”; por ky shpjegim nuk u konfirmua kurrë nga i interesuari. Me siguri mbrojtja do të parapëlqente ta shpallte të pafajshë, pai në bazë të sistemit juridik të periudhës naziste ai nuk kishte bërë asgjë të keqe: sepse gjërat për të cilat ishte akuzuar nuk ishin krime por “veprime të Shtetit”, veprime që asnjë shtet i huaj s’kishte të drejtë t’i gjykonte; dhe sepse ai kishte për detyrë të bindej dhe – fjalët tekstuale të Servatiusit – kishte kryer akte “për të cilat dekorohesh bë rast fitoreje dhe shkon në trekëmbësh në rast humbjeje”.
Që më 1943, Gëbelsi kishte deklaruar: “Do të mbetemi në histori si burrat më të mëdhenj të shtetit të të gjitha kohërave, ose si kriminelët më të mëdhenj. Jashtë Izraelit Servatiusi shkoi më tej dhe pohoi se “i vetmi problem penal legjitim”, në rastin Ajhman. Do të kishte qenë “të nxirrje para gjyqit izraelitët që e kapën, gjë që deri më tani nuk është bërë”: një pohim ky, duhet theksuar, që sikur binte ndesh me deklaratat e tjera të tij, pasi në Izrael ai përsëriti mëse një herë – dhe shtypi i kushtoi vëmendje të vecantë kësaj gjëje – se zhvillimi i procesit ishte “një fitore e madhe shpirtërore” dhe mund të ballafaqohej denjësisht me atë të procesit të Nurembergut…