Lexojmë “Dekalogu i një lagjeje tiranase”

…Që në atë kupolë të hekurt diktature, tregu i zi të kishte aq gjallëri dhe shtrirje të pamatë, ngjan pothuajse trillim. Kjo tregti informale, pakt i fshehtë mes qytetarëve, mbulonte thuajse cdo nevojë, që nga sapunët Camay dhe Lux, që iu jepeshin vajzave në pajë, te të brendshmet e najlonit që vinin nga Jugosllavia, te syzet e diellit që i tregtonin shoferëve të Albania e që ishin kaq kult, saqë shqiptarët nuk i hiqnin as stemën sticker anash xhamit “UV PROTECTION”. Larmia dhe gjithështrirja e këtij tregu, për paradoks ushqehej nga vetë mungesa, pra, sa më e madhe mungesa, aq më e madhe larmia e aqmë i shtrënguar pakti. Fjala vjen, nëse shteti ofronte njëherë në javë 1 kg mish të ngrië e të vjetër, njerëzit e mësuar të ushqeheshin mirë do t’i jepnin frymë tregut privat të mishit që në Tiranë e sidomos në Mëhallen e Re, kishte për pike referimi familjen Gazheli dhe Cara. Mu aty ku sot ëhtë ngritur një pallat në rrugen “Him Kolli”, ishte e ashtuquajtura rugicë qorre e Sterjo Spasses. Në fund të rrugicës ishte shtëpia e Bardh Carës, i cili therte dhe shiste mish tinëzash, Sipas Safetit, ishte një tregtar i ndeshëm “ngaqë nuk e jepte mishin pa kullu”, pa pesha e tij neto përafrohej me peshën e tij bruto, meqënëse e mbante për disa orë të varur në cengel bagëtinë e therur. Për t’iu shmangur syrit vigjilent të frontit demokratik, Carjet herë pas herë thernin tek oborri i tyre, e herë tek oborri i klientit, duke u shndërruar, kështu në një therrtore ambulante në lagje. Një vit, për drekë Bajrami, Bardh Cara erdhi te oborri i “Berkut” me një qengj, i cili duhej rrjepur, Safeti shfrytëzoi atë rast për të bërë një sqarim etnolinguistik të mallkimit tiranas të fryfshin m’kallam, sa në fakt, procesi i rrjepjes së qengjit kryhej në këtë mënyrë: I bëheshin në katër kërcijtë katër prerje të lehta rrethore dhe pastaj sa qengji i therur ishte ende i ngrohtë, merrej një kallam i mprehtë dhe futej mes lëkurës dhe mishit, fryhej dhe kështu lëkura rripej kollaj, Me fjalë të thjeshta, shpjegoi se mallkimi i t’fryfshin m’kallam nëmkuptonte “të rrjepshin”…

Autori: Krymi

Shtëpia botuese: Berk Botime

Viti i botimit: 2020

fq. 141

Për ta porositur librin online mund ta aksesoni në linkun më poshtë:

Almanart