Lexojmë “Duke pritur Godonë! Oh ato ditë të bukura!” nga Samuel Beckett

Pasazh i marrë nga “Duke pritur Godonë”

…VLADIMIRI: Sa keq.
DJALI: T’i them gjë zotit Godo, zotëri?
VLADIMIRI: Do t’i thuash – (e pret fjalën në mes) – t’i thuash që më takove – (mendohet) – që më takove. (Hesht një çast. Vladimiri bën përpara, djali zbrapset, Vladimiri ndalet, djali po ashtu) Pa më thuaj, je i sigurt që më takove, se mos më thuash nesër që nuk më ke parë kurrë?
Qetësi. Papritur Vladimiri kërcen përpara, djali ia mbath si shigjetë. Qetësi. Dielli perëndon, del hëna. Vladimiri qëndron pa lëvizur. Estragoni zgjohet, zbath këpucët, ngrihet me këpucë në dorë, i vë në fund të skenës, shkon drejt Vladimirit, e vështron.
ESTRAGONI: Ç’ke kështu?
VLADIMIRI: S’kam gjë.
ESTRAGONI: Unë po iki.
VLADIMIRI: Edhe unë.
Heshtje.
ESTRAGONI: Kam shumë që fle?
VLADIMIRI: Nuk e di.
Heshtje.
ESTRAGONI: Ku do shkojmë?
VLADIMIRI: Jo dhe aq larg.
ESTRAGONI: Jo, jo, do të ikim larg që këtej.
VLADIMIRI: Nuk mundemi.
ESTRAGONI: Pse?
VLADIMIRI: Duhet të kthehemi nesër.
ESTRAGONI: Pse ç’do bëjmë këtu?
VLADIMIRI: Do të presim Godonë.
ESTRAGONI: Ke të drejtë! (Hesht një copë herë) Nuk erdhi?
VLADIMIRI: Jo.
ESTRAGONI: Tani u bë shumë vonë.
VLADIMIRI: Po, u bë natë.
ESTRAGONI: Sikur ta linim fare këtë punë? (Hesht një çast) Sikur ta linim fare?
VLADIMIRI: Ai do të na ndëshkonte. (Qetësi. Sheh pemën) Vetëm pema jeton. ESTRAGONI: (duke parë pemën) Ç’është kjo?
VLADIMIRI: Është pemë.
ESTRAGONI: Desha të them ç’lloj peme është?
VLADIMIRI: Nuk e di. Shelg.
ESTRAGONI: Eja këtu të shohësh. (E tërheq Vladimirin drejt pemës. Ndalet para saj. Qetësi) Sikur të varnim veten?
VLADIMIRI: Me se të varemi?
ESTRAGONI: Nuk ke ndonjë copë litar?
VLADIMIRI: Jo.
ESTRAGONI: Atëherë, s’bëjmë dot gjë.
VLADIMIRI: Ikim.
ESTRAGONI: Prit, kam rripin.
VLADIMIRI: Është shumë i shkurtër.
ESTRAGONI: Më tërhiq ti nga këmbët. VLADIMIRI: Po mua, kush të më tërheqë?
ESTRAGONI: Ke të drejtë.
VLADIMIRI: Megjithatë dale ta shoh njëherë. (Estragoni zgjidh ushkurin që i mban pantallonat. Pantallonat, shumë të gjera, i bien deri te nyejt. Të dy shohin ushkurin.) Fundi i fundit, edhe mund ta përdorim. Po a është i fortë?
ESTRAGONI: Ta shohim. Mbaje.
Kapin secili nga një skaj të ushkurit dhe e tërheqin. Ushkuri këputet. Të dy sa s’bien.
VLADIMIRI: S’vlen një grosh.
Qetësi.
ESTRAGONI: Si the që duhet të vijmë prapë nesër?
VLADIMIRI: Po.
ESTRAGONI: Atëherë të marrim me vete një litar të fortë.
VLADIMIRI: Mirë e ke.
Qetësi.
ESTRAGONI: Didi.
VLADIMIRI: Po.
ESTRAGONI: Nuk mund ta shtyj më kështu.
VLADIMIRI: Kështu thonë të gjithë.
ESTRAGONI: Sikur të ndaheshim? Mbase do të na ecte më mirë.
VLADIMIRI: Do të varemi nesër. (Hesht një çast) Veç në ardhtë Godoja.
ESTRAGONI: Po erdhi?
VLADIMIRI: Atëherë e hodhëm lumin.
Vladimiri heq kapelen – atë të Lukit – shikon brenda saj, fut dorën, e shkund dhe e vë prapë.
ESTRAGONI: Si thua, ikim?
VLADIMIRI: Ngri pantallonat.
ESTRAGONI: Si?
VLADIMIRI: Ngri pantallonat.
ESTRAGONI: Të heq pantallonat.
VLADIMIRI: Ngri pantallonat.
ESTRAGONI: Ah, po vërtet!
Ngre pantallonat. Qetësi.
VLADIMIRI: Atëherë ikim?
ESTRAGONI: Ikim.
Nuk lëvizin vendit.
BIE PERDJA

Shqipëroi: Mirela KumbaroAnton Papleka

Shtëpia botuese: Çabej

Viti: 2020

fq. 128

Almanart