Parathënie
Më 1795, në të njëjtin vit me Alinën dhe Valkurin, paraqiteshin dy vëllime të vegjël me një tërheqje shqetësuese: “Filozofia e salloneve”, e ilustruar nga një frontespis alegorik dhe katër figura erotike. Do të gjykohej për guximin e këtyre figurave, vetëm nga përshkrimi i pamjes më të përmbajtur të tyre. Tre personazhet që e përbëjnë janë krejtësisht të zhveshur; zonjusha Eugjeni dë Mistival, e paraqitur në profil, ndodhet në këmbë mbi një shilte; në gjunj, para dhe prapa saj, janë zonja Sent-Anzhë dhe Dolmanseja që ushtrojnë mbi nxënësen e tyre llojin e lëpirjes me gjuhë duke nxjerrë më në pah pozicionet e tyre. Veç kësaj, zonja Sent-Anzhë, me njërën dorë midis kofshëve të hapura të vajzës së re, me tjetrën fërkon edhe organin mashkullor të Dolmansesë….
Titulli i vëllimeve pasohej nga këto fjalë: Vepër pas vdekjes e autorit të Justinës. Kështu, një mashtrim si ky që shkrimtari e përdorte për të dytën herë, i hapte atij me zgjuarsi “strehën e varrit”, duke ia rritur njëkohësisht famën librit të ri deri në atë shkallë sa edhe pas tre vjetësh shitjeje romanit nuk i kishte rënë suksesi.
Nëntitulli, ose mësuesit imoralë, paraqet me saktësi që në dialogun e parë përmbajtjen e veprës. Në fakt, Filozofia e salloneve, ideja e së cilës është marrë në mënyrë të dukshme nga Aloisja Sigea, – nga ky diktim i mrekullueshëm i shqiptuar nga goja e vetë Venusit, – na jepet si tabloja e edukimit erotik të një vajze të re. Krijimi letrar është ndarë në shtatë dialogje, me një gjuhë krejt të çliruar, ku shpesh replikat formojnë disertacione të vërteta në të cilat metafizika, morali dhe historia gërshetohen me seksologjinë. Dialogu i parë bëhet midis zonjës Sent-Anzhë, grua e re fort e shthurur, – në dymbëdhjetë vjet martesë, i është dhënë dymbëdhjetë mijë dashnorëve, dhe vëllait të saj, kalorësit dë Mirvel, bashkëpunëtor në shthurjet e saj ku merr pjesë edhe ai. Ajo e ka ftuar të marrë pjesë edhe në orgjinë që do të zhvillohet në sallonin e saj, pikërisht atë ditë, me Dolmansenë, “njeriun më të korruptuar, më të rrezikshëm”, dhe zonjushen Eugjeni dë Mistival, virgjëreshën e adhurueshme pesëmbëdhjetë vjeçare. “Dolmanseja dhe unë do të fusim në kokën e saj të bukur të gjitha parimet e shthurjes më të shfrenuar, do ta përcëllojmë me zjarret tona, do ta ushqejmë me filozofinë tonë, do ta frymëzojmë me dëshirat tona dhe, meqë unë dua të përziej edhe pak praktikë në teoritë tona, ty do të vemë të korrësh lulet e Kiterës, ndërsa Dolmansenë trëndafilat e Sodomës. Unë do të marr dy kënaqësi njëherësh: atë ku do të kënaq veten me këto epshe kriminale dhe atë tjetrën ku do të jap edhe mësime për këto epshe, duke i frymëzuar shije të veçanta vogëlushes së pafajshme, që munda ta tërhiqja aq mirë në rrjetën time.”
Dialogu i dytë, shumë i shkurtër, zhvillohet midis zonjës Sent-Anzhë dhe Eugjenit; në të tretin shfaqet Dolmanseja, ndërsa në dy të tjerët që pasojnë, përveç personazheve të mëparshëm, Mirvelit dhe Agustinit, hyn edhe djaloshi kopshtar. Numri dhe zhdërvjelltësia e instinkteve të këtyre personazheve lejojnë kombinimet erotike më të rafinuara. Ndërkohë, zonja Sent-Anzhë dhe Dolmanseja i vihen punës për të shkatërruar didaktikisht në shpirtin e vajzës së re të gjitha nocionet morale që nëna e devotshme kishte kultivuar tek ajo. Ateizmi dhe blasfemia, egoizmi, mizoria, përdhunimi dhe vrasja, pabesia, inçesti dhe sodomia janë të hatashme nga fillimi deri në fund të Filozofisë së salloneve, si një përmbledhje e saktë e doktrinave të Sadit të përcjellura në formën dramatike. Teoritë antisociale të dy protagonistëve nuk kundërshtohen veçse një herë gjatë tiradës së kalorësit që thotë këtë frazë: “T’i lemë më mirë mënjanë parimeta fetare, them unë; por të mos braktisim Virtytet që ndjeshmëria na frymëzon.” Eugjeni është treguar menjëherë nxënëse e etur për dije dhe e denjë për lëvdatat, duke mos refuzuar hyrjen në asnjë vrimë, për kënaqësitë e të cilave i kishin folur aq shumë. E megjithatë, vërshimi i një prishjeje të plotë nuk i mjafton nxënëses së re, e cila ëndërron t’ia bëjë së ëmës disa nga ato mizori që sapo ka dëgjuar dhe që ia kanë ndezur aq shumë imagjinatën. Nga ana e saj, zonja dë Mistival, e shqetësuar nga mungesa e gjate e Eugjenit, shkon vetë te Sent-Anzha (dialogu i shtatë dhe i fundit, sepse i gjashti që ka vetëm disa faqe vlen më tepër si urë kalimi) për ta parë me sytë e saj se çfarë përbindëshi erotik është bërë e bija brenda një dite. Me pjesëmarrjen e vajzës së re, të çmendur nga hareja, çdo lloj dhune seksuale ushtrohet mbi zonjën Mistival, ende e bukur dhe në vjeshtën e moshës së saj. Për më tepër, një shërbëtor i quajtur Lapier, i prekur nga një sëmundje e veçantë, ftohet që ta infektojë viktimën me një penetrim sodomik. Pastaj, para se të shtrohen për të ngrënë, me qëllim që të marrin forca të reja për orgjinë e hatashme, Eugjeni kërkon t’ia bëjë vetë ajo së ëmës torturën e qepjes së organit gjenital, të urdhëruar nga zonja Sent-Anzhë. Dialogu i pestë i Filozofisë së salloneve, përmban një pamflet të gjatë të titulluar: Francezë, edhe një përpjekje nëse doni të jeni republikanë, të cilin Dolmanseja e lexon me zë të lartë. Moris Heni e ka përmbledhur shumë mirë shpirtin e tij në vlerësimnin e përgjithshëm që bën mbi autorin tonë: “Sadi (që e ka vendosur këtë shpirt) brenda individit, brenda individëve të panumërt që shprehin shoqëritë tona, e vetmja forcë reale dhe organike e këtyre, ndjek një kritikë të pamëshirshme ndaj të gjitha detyrimeve shoqërore që priren ta reduktojnë në ç’të munden veprimtarinë e elementit të papërmbajtshëm njerëzor. Vetëm atij, interesi i individit i këshillon të pranojë jo një kontratë sociale, por një kompromis shoqëror, i cili mund të mohohet dhe përtërihet në çdo çast. Për atë, çdo shoqëri që nuk e njeh këtë të vërtetë themelore është e shtypur dhe e destinuar të vdesë.” Duhet theksuar në kë pamflet protesta e mprehtë e autorit kundër dënimit me vdekje “Ligji, i ftohtë siç është, nuk do të mund të pranohej nga pasionet që mund të legjitimojnë te njeriu veprimin mizor të vrasjes. Njeriu mund të marrë nga natyra përshtypjet që ia falin atij këtë veprim, ndërsa ligji, përkundrazi, është gjithmonë në opozitë me natyrën dhe, duke mos marrë asgjë prej saj, nuk mund të lejojë as edhe shmangiet e saj: duke mos pasur të njëjtat motive, është e pamundur që ai të ketë të njëjtat të drejta:”
Cilido qoftë interesi i Francezë edhe një përpjekje, ku disa ide të dialogjeve vishen edhe me vlerësime sociologjike, nuk ka se si të mos prishë sadopak harmoninë artistike të Filozofisë së salloneve. Ka mundësi që, duke ia kushtuar veprën e tij si fillim një publiku të pavarur, Sadi ta ketë ndier veten të detyruar për ta futur atë pamflet që do ta freskonte krijimin e kohës, tepër i parfumosur me zakonet e regjimit të vjetër. Nga të gjitha veprat klandestine të markezit dë Sad, Filozofia e salloneve është shumë më pak mizore; me përjashtim të faqeve të fundit, ku përshkruhet tortura e zonjës Mistival dhe ku emocioni erotik i provuar nga lexuesi nuk kthehet kurrë në frikë, ashtu si në pamjet e tmerrshme të Justinës së re dhe të Zhulietës. Shumë pjesë nga dialogjet, me gjithë ngacmimet e tyre korruptuese, do të mundeshin, madje pa shumë skandal, të paraqiteshin edhe në skenë. Na kujtohen me kënaqësi kavatinat e Moxartit folës që dilnin nga gojë e këndshme e Simonë Valerës, në kohën e konferencës sonë mbi markezin, në pranverë të 1948-s. Shpesh, një heroinë e tillë e Sadit ne na është paraqitur si versioni i ndaluar i një të dashure të Shekspirit. Më shumë se cilado vepër tjetër e tij, Filozofia e salloneve, me formën e saj të dialoguar, të shpie te kio përqasje e ngjashme: frazat e një turpi rrezatues të shqiptuara nga zonja Sent-Anzhë dhe Eugjeni dë Mistal, janë si një ëndërr më tepër të imagjinuara në gojën e Kresidës apo Rozalindës gjatë ekzaltimit nga kënaqësia.
GILBERT LELY