Lexojmë: “Fjalët” nga Jean-Paul Sartre

Lexuesit, dy fjalë

Nga filozofi dhe shkrimtari ekzistencialist Zhan-Pol Sartr (1905-1980), lexuesi ynë njeh – të shqipëruara e të botuara këto vitet e fundit, pas shembjes së monizmit – pak libra: disa drama e tregime. Pra, nga vepra e tij mbetet shumë për t’u përkthyer e botuar: ese’ filozofike (“Qenia dhe hiçi”. Kritikë e arsyes dialektike”, etj.) kritikë letrare (“Bodëlëri”, “Shën Zhene, aktor e martir”, “Idioti i familjes”, etj.), romane (“Neveria”, “Rrugët e Lirisë”, etj), romane (“Neveria” Rrugët e Lirisë”, etj), drama (“Të vdekur të pakallur”, “Të ngujuarit e Altonës”, etj.).

Deri para se të binte, edhe te ne, muri i Berlinit, Zhan Pol Sartri u sulmua egërsisht nga kritika letrare zhdanovo-hoxhiste, qoftë gazetareske apo universitare. U arrit deri atje sa ky filozof, i internuar nga nazistët e kundër të cilëve kishte luftuar, të shpallej pronazist nga një gazetaruc që e kishte lexuar e kuptuar së prapthi dramën “Të ngujuarit e Altonës, këtë pjesë të fuqishme antinaziste e antidiktatoriale. Aso kohe, në universitet, në fakultetin e Gjuhë-Letërsisë apo në atë të Gjuhëve të Huaja, Sartri dhe ekzistencializmi ateist, kjo rrymë humaniste që përfaqëson ai, u denoncuan me tërbim, librate tij u futën nëpër lista të zeza e rezervate të kuqe, disa profesorucë dështakë shkruan artikuj e studime kunder tij në “dritën e ideve të klasikëve të marksizëm-leninizmit dhe të veprave të shokut Enver Hoxha”. Por Sartri e vepra e tij u qëndruan këtyre gromësirave të shëmtuara dhe Sor lexuesi ynë mund të gjykojë vetë për vlerën e tyre. Sidoqoftë, teorikisht e praktikisht, Sartri ka ushtruar një ndikim të fuqishëm në rininë intelektuale të pas Luftës II Botërore. Vepra e jeta e tij janë simbol i qartë i një militantizmi humanist që e ka vënë vazhdimisht në pikëpyetje shoqërinë moderne në emër të njeriut e të lirisë së vet. Libri “Fjalët” (1964) flet për fëmijërinë e Zhan-Politik të mitur që u rrit midis dy grave, së ëmës Anëmari e gjyshes Luizë, dhe të gjyshit Sharl Shvajcer, mësues gjermanishteje, protestan me origjinë nga Alzasa, qe përdor ndër të parët “metodën e drejtpërdrejtë” në mësimdhënien e gjuhëve të huaja. Autori tregon shume këndshëm, me vërtetësi analitike e qesëndi të hollë se si në moshë fare të njomë, i jepet me mish e me shpirt leximit të librave të autorëve klasikë franceze qe gjendeshin me shumicë në bibliotekën e të gjyshit. A rrefen gjithashtu se si fillon të shkruajë edhe vetë tregime Kjo veprimtari letrare e parakohshme zhvillohet në kuadrin komik të jetës familjare të Zhan-Polit të vogël, i cili është edhe i singertë, edhe i pasinqertë në “hovet” e tij letrare, ndërkohë që të afërmit e inkurajojnë në rrugën që ka zgjedhur. Sidoqoftë ai është më i singertë kur ëndërron bëma të jashtëzakonshme të frymëzuara nga librat për fëmijë që lexon. Pastaj, i tejngopur madje i neveritur nga këto trimëri imagjinare, ai kryen një “transferim”, fuqinë e shenjtë të heronjve që mishëron, ia vesh shkrimtarit të ardhshëm që do të bëhet. Në përfytyrimin e vet prej fëmije shtatë a tetë vjeç, ai bindet se prirjet letrare që ka nuk do t’i zhgënjejnë shpresat e njerëzimit të cilin i bie për detyrë ta mbrojë.

Gjithsesi, “Fjalët” është një libër që kërkon një lexim dyplanësh. Në planin e parë, gjithçka është lineare: një i rritur tregon për fëmijërinë e vet; në planin e dytë, gjithęka zhvillohet në thellësi e lartësi: autori gjykon veten si fëmijë e si të rritur, fëmija e dikurshme gjykon vetveten e ardhshme dhe të rriturit që e rrethojnë, të rriturit gjykojnë fëmijën, i cili gënjen veten e të tjerët në mënyrën më të singertë dhe, njëkohësisht, shpreh të vërtetën edhe nëpërmjet imagjinares, të sajuarës. Në mënyrë dialogjike, parakalojnë para lëxuesit vlera e antivlera, qëndrime e antiqëndrime, thënie e antithënie në mënyrë të drejtëpërdrejtë e të tërthortë, madje edhe në mënyrë të drejttërthortë, çka e bën leximin e këtij libri të mundimshëm, veç kaq interesant. Sidomos për leximtarin e vëmendshëm, të kulturuar e kërkues ndaj vetes gjatë aktit lexues, “Fjalët” është një libër që të bën të mendosh, ta vrasësh mendjen për ta mbajtur gjallë shpirtin, për ta pasuruar atë, për ta merituar emrin “intelektual i mirëfilltë”. Së fundi, rikrijimi i kësaj kryevepre në gjuhën shqipe ka qenë, për mua të paktën, tejet i vështirë, madje rraskapitës e më ka shkaktuar edhe ankth; si njësi përkthimore bazë kam ruajtur paragrafin dhe, Brenda tij, fjalinë; në ngushtësirën e secilës fjali kam luftuar me fjalët e pabesa, me kuptimin e formën, tingullin e ritmin e tyre, bile edhe me shenjat e pikësimit; po le të mos e zgjas: i takon lexuesit të të përcaktojë nëse i kam dhënë një shqipërim dinjitoz apo thjesht një përkthim; sidoqoftë diçka duhet t’i kem dhënë në këtë fillim viti 1995. Faleminderit e lexim të mbarë!

Edmond Tupja

Të lexosh

Në Alzasë, rreth viti 1850, një mësues, baba me shumë fëmijë, pranoi të bëhej bakall. Ky renegat kërkoi një kompensim: meqenëse po hiqte dorë nga formimi i mendjeve, një nga të bijtë do të formonte shpirtrat; nga familja do të dilte një prift, ky do të ishte Sharli. Por Sharli bëri bisht, parapëlqeu të bridhte rrugëve pas gjurmëve të një kalorëseje cirku. Fotografia e tij u hoq nga muri dhe të gjithëve iu ndalua t’ia zinin emrin me gojë. Po tani, kush e kishte? Ogysti nxitoi të ndiqte shembullin e sakrificës të të jatit: iu fut tregtisë dhe kjo i pëlqeu. Mbetej Lui që s’kishte ndonjë prirje të veçantë: i jati ia vuri syrin këtij djali të qetë dhe e bëri shumë shpejt prift. Më vonë, Lui u tregua kaq i bindur sa nxori nga familja e vet një prift, Alber Shvajcerin, karriera e të cilit dihet tashmë. Ndërkohë, Sharli e kishte humbur kalorësen; gjesti fisnik i të atit i kishte lënë mbresë: ai e ruajti gjithë jetën shijen e së madhërishmes dhe u tregua i zellshëm të krijonte rrethana të mëdha me ngjarje të vogla. Się shihet, ai nuk mendonte ta shmangte prirjen familjare: dëshironte vetëm t’i kushtohej shpirtërores në një formë të lehtë, njëlloj priftërie që t’ia lejonte kalorësit, arsimi iu duk i përshtatshëm: Sharli vendosi të bëhej profesor gjermanishteje. Mbrojti disertacionin për Hans Sahsin, vendosi të përdorë metodën e drejtpërdrejtë në mësimdhënien e gjuhëve të huaja duke e quajtur veten, më vonë, shpikës të saj, botoi, në bashkëpunim me zotin Simono, një Deutsches Lesebuch që u vlerësua, bëri një karrierë të shpejtë në qytetet Makon, Lion, Paris. Në Paris, ditën e ndarjes së dëftesave në shkollën ku jepte mësim, ai mbajti një fjalim që u nderua duke figuruar në një botim më vete: Zoti Ministër, Zonja, Zotërinj, fëmijë të dashur, ju s’mund ta merrni kurrë me mend se çfarë do t’ju flas sot! Për muzikën!”. Thurte bukur vargje në raste ngjarjesh të shënuara. Kur mblidhej familja, e kishte për zakon të shprehej kështu: “Lui është më i përshpirtshmi, Ogysti më i pasuri, unë, më inteligjenti. Të vëllezërit qeshnin, kunatat mblidhnin buzët. Ne Makon, Sharl Shvajceri ishte martuar me Luiza Gijmenin, vajzën e një përfaqësuesi ligjor të Kishës katolike. Muaji i mjaltit nuk i pëlqeu aspak nuses: ai, i shoqi, e kishte ngritur pa mbaruar dasma dhe i kishte hipur një treni. Ne moshën shtatëdhetëvjeçare, Luiza kujtonte ende sallatë me presh që kishin ngrënë në restorantin e stacionit të… 

Almanart