PARATHËNIE
Ky “Ditar”, që i ra në dorë lexuesit një shekull pas hartimit të tij, përbën një dëshmi me vlerë të jashtëzakonshme biografike. I shkruar nga dora e Ana Grigorievnës, bashkëshortes së re të Dostojevskit, ai është hartuar në mënyrë të tillë, që të jetë i mbrojtur mirë nga çdo sy kureshtar, që do të donte të depërtonte në të. Për të ruajtur sekretin, ajo ka përdorur një stenografi të ndërlikuar, që përbën në vetvete një dokument të shifruar. Ky tekst i rrallë nxjerr në pah disa saktësi paraprake, që i përkasin periudhës së parë të jetës së tyre bashkëshortore.
Në gusht të vitit 1867, Dostojevski, që është nisur nga Drezdeni dhe Badeni, mbërrin në Gjenevë së bashku me gruan e tij të re njëzetvjeçare. Vetëm disa muaj më parë, ajo kishte punuar si stenografe e shkrimtarit, e dërguar tek ai nga botuesi Stellovski. Të goditur që të dy nga një pasion i përbashkët, ata martohen. Ajo bëhet kështu zonja Dostojevski, gruaja e dytë e një shkrimtari ndërkaq të famshëm. Ai është njëzet e gjashtë vjet më i madh se ajo, i sëmurë, i plakur para kohe. Viti i parë që Ana kalon me të shoqin në Gjenevë, është për të një zbulim i jetës bashkëshortore, por edhe i botës perëndimore njëkohësisht. Dostojevski, ndërkaq, kishte qenë i dënuar me vdekje dhe i ishte hequr ky dënim pikërisht në çastin e fundit. Ai kishte bërë burgun dhe kishte shkruar romanet “Krim e ndëshkim” dhe “Lojtari”. Të gjitha këto kishin qenë të shoqëruara nga ethet e tij të njohura për kazinotë. Jemi në çastin kur hapet për të periudha e kompozimit të romanit “Idioti”, që, në vetvete, është një meditacion kolosal dhe dramatik i paraqitjes kristiane të së Mirës. Pikërisht në këtë perspektivë të dyfishtë, të zotëruar kryesisht nga marrëdhëniet e çiftit të porsamartuar, zë vend ky “Ditar” i jashtëzakonshëm.
Ajo çka bie menjëherë në sy, qysh në faqet e para të tij, janë dy cilësi të rralla të kësaj gruaje, cilësi që, në vetvete, s’kanë asgjë kundërthënëse mes tyre: është çiltërsia e saj, është edhe turpi. Duke qenë një njohëse e mirëfilltë e stenografisë, Ana Grigorievna ka përdorur tërë artin e saj, për t’i mbrojtur e për t’i ruajtur sa më mirë ngjarjet dhe marrëdhëniet bashkëshortore që shënon aty. Ajo i ka rrethuar ato me një gardh të padepërtueshëm sekreti, një gardh ky që i ka bërë ballë për gati një shekull gjithë hulumtuesve, që kanë dashur të depërtojnë në të. Në këtë mënyrë, ditë pas dite, që nga viti 1867 deri në lindjen e fëmijës së tyre të parë më 1868, ajo ka shënuar me imtësi çdo gjë që ka pasur bëjë me jetën e saj, lidhur me shkrimtarin e madh.
Këto shënime, të njohura me emrin “Fletoret”, i dhanë asaj tërë materien e librit “Kujtimet”, që e shkroi shumë kohë më pas, pikërisht në vjeshtën e moshës së saj. Të nisura më 1911, “Kujtimet” u botuan më 1923, plot tridhjetë vjet pas vdekjes së shkrimtarit. “Duke rilexuar ‘Fletoret’ e burrit tim, si dhe ato të miat, – thotë Ana Grigorievna, në parathënien e ‘Kujtimeve’ të saj të botuara, – zbulova detaje kaq pasionante, saqë vendosa t’i shkruaja ato jo më me stenografi, por me një gjuhë që do të ishte e kapshme për të gjithë.”
Transkriptimi dhe nxjerrja në dritë e “Fletoreve” prej asaj vetë, do të shënojë etapën e parë drejt këtij realizimi, siç e dëshmon edhe një shënim i shkruar nga dora e saj më 1902: “Në rast se vdes apo kam një sëmundje të rëndë (shkruar frëngjisht në tekst), lidhur me fletoret që unë kam shkruar me stenografi, midis atyre që po lë gjenden katër të tilla. Ato përbëjnë ‘Ditarin’ që kam mbajtur kur ne sapo ishim nisur jashtë shtetit. Një pjesë të këtyre shënimeve* unë i transkriptova vetë dhe po vetë i nxora në dritë. Dëshira ime është që ajo pjesë që ka mbetur prej tyre të asgjësohet. Është e pamundur të gjendet dikush që do të dinte t’i deshifronte ato me saktësi. Sepse aty janë përdorur, qëllimisht, shkurtime fjalësh të një rëndësie të veçantë. Kështu, cilido që do të mundohej t’i zbërthente do të haste në vështirësi të atij lloji, që do ta çonin në përfundime krejtësisht të gabuara. Veç kësaj, s’do të dëshiroja kurrsesi që njerëz të huaj të depërtonin në jetën time intime dhe në atë të Fjodor Mihailoviçit. Ndaj dhe kërkoj me këmbëngulje që këto shënime të zhduken.” Qysh në çastin që Ana Grigorievna vendosi t’i përgatiste vetë “Kujtimet” e saj për botim, ajo e ndërpreu transkriptimin dhe nxjerrjen në dritë të “Fletoreve”. Porosia që la pas, për asgjësimin e tyre, tregon më së miri vlerën e jashtëzakonshme të të dhënave që ato përmbajnë.
Përpjekja e parë për deshifrimin e “Fletoreve” të mbetura, u ndërmor në vitin 1960, me iniciativën e akademikut Mihail Pavloviç Aleksejev. Përballja e teksteve të shifruara me fragmentet, ndërkaq të botuara prej vetë Ana Grigorievnës, i bëri të mundur Sesilë Poshemanskajas të deshifronte e të nxirrte në dritë tërësinë e plotë të tekstit të “Fletoreve”. Ato arritën të botohen të plota vetëm në vitin 1973. Edhe pse kemi të bëjmë këtu me një rrëfim të imtësishëm, rrëfim që nganjëherë shkon deri në kufijtë e së mërzitshmes, “Ditari”, me vërtetësinë e tij mahnitëse, përbën një dokument unik për jetën e çiftit Dostojevski. I munduar, i sëmurë, i shqetësuar, disa herë fëminor deri në kokëfortësi, e disa herë të tjera i urrejtshëm për meskinëritë e tij të papritura, përpara syve tanë kemi një Dostojevski çuditërisht të gjallë dhe krejt të afërt për ne. Sa larg jemi këtu prej njeriut të madh të “Kujtimeve” të botuara më 1923, ku atë e gjejmë të përshkruar me një mirësi të atij lloji, si të kishim të bënim me biografinë e një shenjti!
Ana Grigorievna shënon në këtë “Ditar” vetëm gjëra thelbësore të jetës së saj me shkrimtarin e madh. Por, kujdesi i madh që ajo ka, për ta ruajtur atë nga çdo shikim i jashtëm, madje edhe nga vetë Fjodor Mihailoviçi, ka bërë që ndërmarrja e saj modeste të ketë një liri përshkrimi të pakufishme. Gruaja e re merr guximin të shënojë në të gjithçka që ndodh në jetën e tyre, ngaqë është e sigurt që shënimet e saj s’do të lexohen prej askujt.
Megjithatë, ky tekst i nxjerrë nga i padeshifrueshmi “Ditar”, në kundërshtim të plotë me vullnetin e autores, nuk do të duhej të kishte dalë në dritë, po qe se ai do të kufizohej thjesht në ca imtësi therëse apo zbulime të papritura, që, nganjëherë duket sikur e ulin figurën e personit për të cilin janë shkruar. Në të vërtetë, historia e njerëzimit është e mbushur plot me gra abuzive, që e paraqesin bashkëshortin e tyre të shquar, duke e vënë atë në një nivel mediokriteti, brenda kuzhinës së tyre familjare. Një gjë e tillë është krejtësisht e përjashtuar për Ana Grigorievnën që, me të drejtë, ka merituar lavdërimin e një prej mjeshtërve më të mëdhenj të kësaj fushe, Leon Tolstoit: “Shumë shkrimtarë do të ndiheshin më mirë, thotë ai, – në qoftë se në krah të tyre do të kishin pasur një bashkëshorte si ajo e Dostojevskit”.
Por, dashuria që ka për të shoqin, nuk e verbon deri në atë pikë sa të besojë, qoftë edhe për një çast, se Dostojevski ka për të hequr dorë nga demoni i bixhozit. Po kështu, mllefet e tij qesharake nuk është se gjejnë më shumë falje para syve të saj. A nuk ia merr ai shpirtin me ca qortime sfilitëse për një letër të papaguar, që asaj i ka mbërritur nga e ëma e që tani i duhet ta paguajë vetë?
Në njëqind raste do t’i shohim atij ca tipare, të cilave, po t’u mëshohej edhe pak, kishin për të na vizatuar një personazh me të vërtetë të urryer. Për një mrekulli, nuk del aspak kështu. Nëpërmjet këtij rrëfimi tronditës, Dostojevski shfaqet këtu më i thjeshtë e më i vërtetë se kurrë. Të vjen keq dhe, në të njëjtën kohë, mahnitesh prej tij. Mrekullia e këtij njeriu ndihet qartë në dhembshurinë e jashtëzakonshme e të pashtershme që buron në çdo fjalë dhe në çdo frazë të këtij “Ditari”. Edhe pse s’ka as më të voglin iluzion për dobësitë a për të metat e të shoqit, Ana Grigorievna nuk e vë asnjë çast në dyshim përkushtimin e pakufishëm që ka për të. Është e mrekullueshme skena kur Dostojevski niset për Sakson-le-Bë, për të luajtur në kumar rublat e fundit të familjes. Edhe pse është e bindur që ai ka për t’i humbur të gjitha dhe më pas ka për të gënjyer për gjithçka, Ana e ruan të paprekur dashurinë e saj për të. Ç’gjë tjetër përveçse një dashuri e madhe do t’i bënte ballë kësaj vuajtjeje? Pa u shtirur, pa e tepruar gjithashtu, Ana Grigorievna ngrihet në rangun e atyre të paktave gra, që dinë të jenë vetvetja përpara njeriut që ato dashurojnë, duke pasur parasysh, megjithatë, edhe përmasat e jashtëzakonshme të figurës me të cilën kanë të bëjnë. Por, mu përmes dhembshurisë, një klithmë e mbytur përçon faqet e këtij “Ditari”: klithma e një skamjeje të frikshme, që shkon deri në kufijtë e një varfërie të padurueshme. Kjo shtrëngesë e vazhdu- eshme financiare, që rri mbi kryet e çiftit, e gatshme për ta shkatërruar në çdo çast atë, helmon dhe trazon pareshtur jetën e përditshme të Anës, madje edhe vetë ekzistencën e saj. Dëshmitë tronditëse që gjejmë këtu, hedhin dritë mbi familjen Dostojevski dhe për vështirësitë që ata kanë për të mbijetuar. Ankthi i varfërisë dyfishohet nga ndjenja e trishtë e mërgimit. Ana Grigorievna kupton më së miri vetminë e dyfishtë në të cilën i ka dënuar pozicioni që kanë: janë në vend të huaj dhe janë pa para. Sa kohë që i shoqi është kokë e këmbë i dhënë pas etheve të krijimit, ajo ka kthjelltësinë të shohë brishtësinë e frikshme të situatës në të cilën ndodhen. Dhe të gjithë këtë e shpreh me fjalë të paharrueshme për nga thjeshtësia. Asnjë përpjekje nga ana e saj për të bërë përshtypje (Fundja përse, kur dihet fort mirë se këto shkrime s’do të kenë lexues?), asnjë patetizëm spektakolar. Dhe kur, më së fundi, emocioni e kap për gryke, shkak për të bëhen ato vogëlsira të mjera, që fati trillan ia nxjerr përpara. Dhe mynxyrat më të mëdha duket sikur vijnë më së shumti prej tyre, sesa nga goditjet e papritura të fatit vetë.
Pikërisht këtu ne arrijmë të prekim thelbin e këtij personazhi, që na ka dhënë dokumentin më të çmuar të letërsisë dosto- jevskiane: turpin. Në këtë tekst, që nuk duhej të kishte lexues, përveçse autores vetë, gjithçka gjallërohet e merr jetë, madje i largohet zymtësisë, kur i rikthehet 4 tetorit të vitit 1867, ditës kur, si stenografe, trokiti për herë të parë në derën e Dostojevskit, këtij “shkrimtari aq të njohur”. Idili, që afron shkrimtarin e shquar me rishtaren e panjohur, zbulohet qartë në fjalët e këtij teksti. Midis tyre krijohet një mirëkuptim i heshtur, plot nuanca e nënkuptime. Në fund të fundit, janë dy njerëz të përvuajtur, që kanë nevojë t’i përçojnë njëri-tjetrit përvojën e secilit. Madje, fakti që ajo ka arritur të shprehë me fjalë gjithçka ka ndodhur mes tyre, e bën Ana Grigorievnën vetë një personazh dosto- jevskian. Mirësia e saj e pakufishme, një mirësi që i drithëron në zë, pa guxuar megjithatë të shprehet haptas, ngjan aq shumë me princin Mishkin, në romanin “Idioti”, figurën e të cilit Fjodor Mihailoviçi e ka skicuar pikërisht në atë kohë.
Por, përfytyrimet letrare e kapërcejnë ndjeshëm realitetin, ndaj dhe romani i tij është më i fortë sesa jeta vetë. Në fund të fundit, edhe pse u martua me Ana Grigorievnën, Dostojevski nuk hoqi dorë kurrë prej ideve dhe iluzioneve të tij fantastike. Por më e rëndësishme nga të gjitha, mbetet, pa dyshim, fakti që sekretarja e re, duke qenë pranë njeriut të madh, u bë vetë një model, një tip, pra një personazh dostojevskian. Dhe çështja shtrohet ndryshe tanimë: jo sesi ishte në të vërtetë shkrimtari i madh, por në ç’mënyrë kjo grua e re jetoi pranë tij. Dëshmia e saj mallëngjyese, aq e ngrohtë, aq e përmbajtur, ripërtërin gjininë e vështirë të ditarit intim, që ka të bëjë me njeriun e madh. Njeriun që, në të njëjtën kohë, është edhe bashkëshort. Por kjo nuk është e papritura e vetme e këtij “Ditari”. Prej tij marrim vesh se sekretarja e re, ajo gjithashtu, është vetë një shkrimtare.
POL KALININ
Eshtë fjala për “Kujtimet e botuara. (Shën. i përkth.)